MIT KS
Fillimi / Fejton / Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike IV
Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike IV

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike IV

Nga hetimet e tij Palmeri përpiqet të hedhë sadopak dritë mbi motivet e kësaj masakre dhe ai jep një shpjegim ineresant që i afrohet të vërtetës ose më saktë është një pjesë e saj. Ai i raportonte eprorëve të tij se “Rrethi ku banonte ky minoritet ishte i pasur, konseguenca ka qenë gjithnjë një ndjenjë zilie dhe urrejtjeje nga ana e grekëve për atë rreth ndaj çamëve”. Në të njëjtën kohë Palmeri vë në dukje se pretendimi absdurd për aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia, të cilën shteti grek e kishte kultivuar në maksimum për disa dekada, kishte prodhuar “një urrejtje shumë të fortë, e cila drejtohej jo vetëm kundër çamëve, por kundër gjithë shqiptarëve në përgjithësi”.

Në këtë mënyrë, Palmeri vë në dyshim pretendimin se spastrimi etnik i Çamërisë u krye për shkak të bashkëpunimit të kësaj popullsie me gjermanët, por si pjesë e strategjisë shoviniste të Greqisë kundër shqiptarëve.

Megjithatë, Palmeri e pranonte dhe mundësinë hipotetike të bashkëpunimit të një pjese të minoritetit shqiptar me italianët dhe si shkaqe të këtij bashkëpunimi të mundshëm ai jepte “;dëshirën për ta bashkuar Çamërinë me Shqipërinë ose për të shfrytëzuar mundësitë që paraqiste realiteti i krijuar për të qëruar hesapet e vjetra me grekët. Ai pohonte se nuk mund të arrihej në ndonjë konkluzion se kush nga të dy palët ishte përgjegjës për fillimin e armiqësive. Në të vërtetë, armiqësitë dhe konflikti nacional në Çamëri, siç kemi theksuar më lart, kishin filluar këtu me aneksimin e kësaj treve shqiptare nga greqia gjatë Luftërave Ballkanike. Shkaku themelor ka qenë politika sistematike antishqiptare dhe shkombëtarizuese e qeverisë greke dhe organizmave të ndryshme të saj. Kjo situatë e tendosur, sigurisht që ka shkaktuar edhe konflikte të veçanta midis të dy palëve, por dhuna dhe krimi grek dallohen cilësisht pasi ata ishin të ushtruara, të organizuara, të drejtuara ose të xnitura nga shteti grek. Prandaj bashkëpunimin e elementëve të veçantë shqiptarë me gjermanët dhe italianët, i cili e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti grek, qeveria dhe propaganda greke, pas luftës, madje dhe sot, u përpoqën të fryjnë dhe ta paraqisin si një bashkëpunim total ndaj popullsisë çame me gjermanët. Qëllimi ka qenë i qartë, që t’i vihej një bazë justifikuese spastrimit etnik të Çamërisë.

Por armiqësitë dhe përplasjet sipas të dhënave të mbledhura nga Misioni Britanik, rezultonin edhe në një linjë tjetër, në kuadrin e ballafaqimeve midis EDES-it dhe ELAS-it. Por as këto ngjarje nuk përbëjnë argumente për të përligjur spastrimin etnik të Çamërisë.

Përpara se Palmeri të kryente hetimet e tij në Çamëri, zbulimet britanike në dhjetor të vitit 1944 dhe në janar të vitit 1945, kishin informuar Foreign Ofisin se masakrat dhe shpërngulja e popullsisë çame ishin kryer nga Zerva. Pohohej se pas pushtimit italian një grup nacionalistësh shqiptarë “kishte ndihmuar në vitin 1940 Ushtrinë Italiane në fushatën e saj kundër Greqisë dhe në vitin 1944 ata i kishin dhënë ndihmë afektive forcave gjermane të pushtimit. Pas largimit përfundimtar të gjermanëve nga Çamëria trupat e Zervës u shpërndanë në shtëpitë e shqiptarëve. Në një lokalitet 40 ushtarë të Zervës u zhdukën dhe pastaj u gjendën të vdekur. Ky incident që ndodhi rreth qershorit të vitit 1944 shkaktoi raprezaljet e forcave të Zervës, të cilat çuan në dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Greqia”.

Pas raportit të Palmerit, një tjetër informacion iu dërgua Foreign Ofisit nga autoritetet ushtarake britanike në Greqi. Në të jepej vlerësimi i përgjithshëm se veprimet kundër çamëve ishin të kuptueshme, sado që ishin të qortueshme. Duke iu referuar Librit të Bardhë grek ky raport i paraqiste çamët si “një popullsi gjaknxehtë dhe violente ashtu si shumë komunitete të tjera malore ballkanike”. Ndër të tjera në këtë raport thuhej: “Dy herë minoriteti shqiptar ka qenë përfshirë në shkatërrimet e zonës ku ata jetojnë. Dhe bregdeti shqiptar që shtrihet përballë Korfuzit ishte një nxitje e përhershme për nacionalistët e zjarrtë grekë. Gjatë lëvizjes së rezistencës çamët i kishin shqetësuar grekët sërish duke vepruar në banda midis bregdetit dhe forcave të gjeneralit Zerva. Ata ia prenë lidhjet atij (Zervës) ose të paktën penguan lidhjet e tij me kolegët e vet në Korfuz. Çamët përfaqësonin për Aksin një element nacionalist antigrek. Nuk duhet harruar se Zerva kur u godit dhjetorin e kaluar nga ELAS-i, u ankua se ai ishte goditur gjithashtu nga shqiptarët. Këta më shumë mundësi ka që të ishin çamët se sa ndonjë forcë nga Shqipëria. Në këto rrethana, veprimet kundër çamëve nga ana e grekërve kanë qenë të kuptueshme, megjithëse të qortueshme”.

Çështja e Çamërisë, bashkë me atë të Kosovës u pozuan në opinionin publik nga Diaspora Shqiptare në kushtet e vetëizolimit të Shqipërisë, kur shteti shqiptar thuajse i kishte lidhur duart vetvetes për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare, duke vënë në plan të parë interesat e ngushta të mbrojtjes së pushtetit dhe parimet e bashkëpunimit në linjën e ashtuquajtur internacionaliste. Reagimet më të vendosura u bënë nga Shoqata “Çamëria” në SHBA, e cila zhvilloi shumë aktivitete në mbrojtje të çështjes çame. Në një letër dërguar Sekretarit të Shtetit të SHBA Cordell Hull, pasi theksonte kontributin që dha Shqipëria në luftën kundër fashizmit, shoqata kërkonte që parimet e Kartës së Atlantikut të zbatohen me konseguencë edhe në çështjen shqiptare. Në mënyrë të posaçme, shoqata i rferohej neneve 2 dhe 3 të kësaj karte dhe kërkonte që populli shqiptar, që kishte mbetur në shtetet fqinje të përcaktonte formën e qeverimit nën të cilën do të jetojë, të ushtrojë të drejtat sovrane dhe të restaurohej vetëqeverimi; të drejta këto që u ishin rrëmbyer me forcë. Në ktë mënyrë, ata jo vetëm kërkonin kthimin e popullsisë çame në trojet e veta, por që edhe Çamëria së bashku me Kosovën të shpreheshin lirisht për të ardhmen e tyre.

Forca kryesore që u vu në krye të përpjekjeve për të mbrojtur çështjen çame ishte Këshilli Antifashist i Çamërisë që zhvillonte aktivitetin e tij në Shqipëri. Ai drejtoi masat e popullsisë çame, përpjekjet e saj për t’u kthyer në atdhe. Kjo organizatë zhvilloi një aktivitet të gjerë si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në organizimin e refugjatëve çamë, në organizimin e propagandës dhe në mbajtjen gjallë të shpresave për t’u rikthyer në atdhe. Këshilli Antifashist i refugjatëve çamë u dërgoi disa memorandume dhe protesta Fuqive të Mëdha, Qeverisë Greke, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Komitetit Qendror të EAM-it, Guvernatorit të Epirit dhe Komitetit panepirot të EAM-it. Më e hershmja është jë protestë dërguar Fuqive të Mëdha më 17 tetor 1944 në të clën kërkohej që të largoheshin forcat e EDES-it nga Çamëria për të siguruar nderin, jetën dhe pronën e popullsisë si dhe sigurimin e të gjitha të drejtave të barabarta të bazuara në Kartën e Atlantikut dhe pjesëmarrjen e popullsisë çame në luftën e popullit grek kundër pushtuesit të huaj si dhe lirimin sa më shpejt që tëishte e mundur të 300 grave dhe fëmijëve të cilët mbaheshin në kampet e përqëndrimit në Filat dhe në Paramithi.

Këtë protestë e pasoi një tjetër votim proteste dërguar këtyre subjekteve nga Filati i Çamërisë më 30 tetor 1944. Në të paraqitet në përmasa reale tragjedia çame, hidhet dritë mbi shkaqet e saj. Ky dokument shquhet për një sens konseguent realizmi dhe nuk manifestohet në të asnjë shfaqje shovinizmi ose nacionalizmi ekstrem. Përkundrazi, dokumenti shquhet për frymën internationaliste, në të manifestohen qartë prirjet e toleranca dhe bashkëjetesa paqësore me popullin grek pa pasnjë paragjykim. Në kërkesat e kësaj proteste figurojnë kthimi i shpejtë i popullatës çame në vatrat e veta dhe sigurimi i jetesës së qetë të saj atje; fillimin e hetimeve nga Qeveria Greke në Çamëri për të zbuluar dhe ndëshkuar shkaktarët e krimeve, largimin sa më parë të forcave të EDES-it nga Çamëria si kusht për të shpëtuar nderin dhe pasurinë e popullsisë çame dhe barazimin real të të drejtave njerëzore kombëtare me popullsinë greke në bazë të parimeve të Kartës së Atlantikut dhe të pjesëmarrjes së popullsisë çame në luftën e popullit grek kundër pushtuesve të huaj.

Më 9 maj 1945 përfaqësuesit e popullsisë çame i dërguan një ankesë edhe konferencës së San Françiskos nëpërmjet Misioneve Aleate në Tiranë. Dukje iu referuar Kartës së Atlantikut dhe luftës që popullsia çame kishte zhvilluar kundër fashizmit, kërkohej ndërmjetësimi për kthimin e popullsisë çame në shtëpitë e veta. Ndërsa lidhur me fajtorët dhe ata që kishin kryer krime, kërkohej që të gjykoheshin nga një gjykatë dypalëshe (shqiptaro-greke).

Pas kësaj proteste, një komision çam shkoi në Athinë për t’i paraqitur Qeverisë së Papandreut kërkesat e refugjatëve çamë. Mirëpo ky nuk pranopi të merrte takim me të. Një funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Greqisë që mori kontakt me komisionin çam i deklaroi atij se “Qeveria nuk iu pret, sepse s’ka ç’tju thotë, pasi në praktikë është Zerva dhe në teori është Qeveria që ju të mos ktheheni në Çamëri”. Pas dështimit të përpjekjeve për të biseduar me përfaqësuesit e qeverisë greke, delegacioni çam iu drejtua autoriteteve të Fuqive Aleate dhe Komitetit Qendror të EAM-it dhe Partisë Komuniste Greke. EAM-i dhe Partia Komuniste vetëm sa protestuan pranë misioneve aleate dhe Qeverisë Greke që të merreshin masa kundër bandave kriminale të Zervës dhe që popullsia çame të kthehej në trojet e veta. Ata nuk morën asnjë masë ose nuk u bënë asnjë premtim ose propozim përfaqësuesve të Çamërisë për të zgjidhur çështjen e tyre të drejtë.

Kur forcat zerviste u shpartalluan nga forcat e ELAS-it dhe Çamëria u çlirua, popullsia çame që gjendej afër kufirit u riatdhesua. Por kjo nuk zgjati shumë. Pas kapitullimit të ELAS-it më 13 shkurt 1945, çeta të frymëzuara nga qeveritarët e Athinës me në krye Plastirasin, ndoqën shembullin e Zervës duke masakruar për të dytën herë popullsinë çame. Sipas hetimeve që kreu në këtë kohë Misioni ushtarak Britanik, dilte se udhëheqësit e kësaj masakre kishin qenë leitnant Kristo Kaca, që kishte ardhur nga Korfuzi, major Ilia Kaca, që kishte ardhur nga fshati Palo dhe kolonel Zoto, të cilët ishin vënë në krye të një grupi banditësh nga Korfuzi dhe të disa banorëve grekë vendas, anëtarë të forcave të Plastirasit, gjithsej rreth 100 vetë dhe më 13 mars 1945 kishin shpërthyer një terror në Filat si rezultat i të cilit ishin vrarë 70 vetë. Sasia e emigrantëve që u kthyen në tokat dhe shtëpitë e tye ishte 3000-5000 veta. Ashtu siç pohojnë dhe autoritetet britanike, sulmi i fundit i grekëve nuk u provokua nga shqiptarët, por i ishte rezultat i “vazhdimit të ndjenjave ekstreme antishqiptare të grekëve në këtë rajon”. Ky akt i ri kriminal, i kryer disa muaj pas masakrave të verës të vitit 1944, dëshmonte jo për veprime thjesht hakmarrëse, por për një politikë të përcaktuar mirë të Qeverisë Greke, e cila tani e kishte shtrirë plotësisht autoritetin e vet në të gjithë vendin edhe në këtë rajon.

Kongresi i Minoritetit Shqiptar të Greqisë që u mbajt në shtator të vitit 1945 miratoi një rezolutë të cilën ia dërgoi Konferencës së Ministrave të jashtëm të vendeve aleate, në të cilën vihej në dukje se “Në kohën e okupacionist nazist, ndërsa luftëtarët e minoritetit shqiptar në Greqi, të ikuraduar me forcat e rezistencës së popullit grek po luftonin ashpërsisht kundër okupatorit gjerman, forcat reaksionare dhe shoviniste të Zervës të komanduara prej vetë këtij gjenerali gjakpirës, hynë pabesisht nëpër qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, duke përsëritur barbarizmat e 1912-ës pas Luftës së Parë Ballkanike, ku u masakruan, u burgosën dhe u torturuan me mijëra qytetarë dhe fshatarë çamër nga të gjitha shtresat shoqërore”. Kongresi, duke iu referuar Kartës së Atlantikut, kërkoi jo vetëm kthimin e emigrantëve çamë në trojet e veta, por edhe “sigurimin e të drejtave të barabarta të minoritetit shqiptar në Greqi me pjesën tjetër të popullit grek, ashtu siç e gëzonte minoriteti grek në Shqipëri”.

Në fund të nëntorit 1945, përfaqësuesit e emigrantëve çamë i dërguan një letër zëvendëssekretarit të Jashtëm Ballkanik McNeil, i cili po vizonte Athinën dhe kërkuan që ai të ndërhynte pranë Qeverisë Greke për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe si më parë, atyre nuk iu dha ndonjë përgjigje. Këtë herë, Komiteti Antifashist Çam garatimin e të drejtave të minoritetit shqiptar si qytetarë të lirë e mbështeste jo vetëm në Kartën e Atlantikut, por edhe në Konferencat e Teheranit, të Jaltës dhe të Potsdamit.

Kontrolloni gjithashtu

RKL

RKL:“Mulla” Sylejman Rexhepi, Janullatosi i myslimanëve, ende në krye të Bashkësisë Islame të Maqedonisë II

SHVL e UÇK-së duhet ta tërheqë mirënjohjen ndaj Bashkësisë Islame të Maqedonisë të cilin e ...