Isuf bytyqi

Isuf Bytyçi: Osho: “Mendime mbi origjinën e fesë“, Shtëpia botuese FAN NOLI, Tiranë, 2015

Osho u bën thirrje lexuesve që jetën e tyre ta vështrojnë në një këndvështrim të ri, të çlirohen nga arsyetimet dhe paragjykimet stereotipe, të cilat e gozhdojnë njeriun, e pengojnë t‘i shijojë plotësisht kënaqësitë e jetës.“

Osho është autor indo-amerikan, i cili ka një veprimtari të gjerë dhe tërheqëse, krijuese. Librin „Mendime mbi origjinën e fesë“ e ka botuar në gjuhën shqipe Shtëpia botuese FAN NOLI – Tiranë, 2015. Përkthyes është Nikolla Sudar, redaktor Rexhep Hida, kurse lektor s’ka!

Ta lexosh OSHON, jo vetëm që është kënaqësi, por edhe për të qeshur na bën. Është i  mençur, i aftë, ka fantazi tejet të zhvilluar dhe sens humori. Është njohës i mirë i katër religjioneve: i Budizmit, Hebraizmit, Krishterimit dhe Islamit

Sikur për religjionet, ashtu edhe për njerëzit shkruan OSHO, se janë sikur gjethet e një druri, që ushqehen nga e njëjta rrënjë dhe secila ndryshon nga tjetra, si në formë edhe në madhësi. As edhe dy persona nuk janë të njëjtë, as nga dukja as nga mendja, nga 7.5 miliardë që i ka bota edhe pse të gjithë janë njerëz dhe jetojnë e ushqehen nga e njëjta tokë. Por, se ngjajnë në mes vete, japin e marrin! Po ashtu, edhe religjionet kanë dhënë e kanë marrë, njëri nga tjetri dhe në vazhdimësi japin e marrin, bëjnë gara dhe luftëra të ashpëra kanë bërë e bëjnë në mes vete, kur t’u vijnë mundësitë deri në asgjësimin e popujve, që ndryshojnë nga ideologjia, nacionaliteti a po raca.

OSHO, e bën ndarjën e njerëzve, në të mençur dhe budallenj, mendime të qarta dhe të turbullta, orientim relativ dhe apsolut, sfera objektive dhe subjektive, drita dhe errësira, siguria dhe frika, puna dhe e papuna etj. Të gjitha këto dukuri e veti, OSHO i analizon, jep kritika, mendime e këshilla.

Zoti është pasiguria juaj, shkruan autori, feja me besim në Zot është mashtrim. Çdo gjë që përsëritet duket e vërtetë. „Për derisa Zoti është mashtrim, atëherë lutja juaj është fallse, kurse besimi i imponuar.”  (Fq. 6)  OSHO ka shkuar deri n’atë pikë, saqë pa dilemë dhe me vendosmëri shkruan se çdo gjë që është apsolute nuk është e vërtetë dhe se është e pavlerë, kurse relativja dhe fakti e vetëbesimi, na çojnë përpara.

  SIPAS OSHOS ZOTI ËSHTË MËKATARI I PARË MBI DHE

Ky nëntitull, mendoj se është shkruar gabimisht, duke u bazuar në aspektin logjik, që unë do ta kisha shkruar: LOJA ME EMRIN E ZOTIT ËSHTË MËKATI I PARË MBI DHE. Pra, Zoti nuk mund të jetë mëkatar sipas OSHOS, derisa ai nuk e njeh, nuk e pranon dhe se ai shkruan se nuk e ka takuar Zotin! Si ta fajësojë atë, derisa nuk e pranon se ka Zot?  Prandaj, as mëkatari i parë as i fundit nuk mund të jetë Zoti, derisa nuk ekziston, për OSHON! Njerëzit mund të quhen mëkatarë dhe janë mëkatarë, për shkak se e kanë krijuar idenë dhe emrin e tij, që të udhëheqin me masat, t’i mashtrojnë e t’i shtypin ato.

Gjatë leximit të librit, lexuesi gjen vazhdimisht; pyetje, përgjegje, informata, sqarime, humor dhe batuta, që kurre nuk lodhet duke lexuar.

Absurd. Zot nuk ka, thotë OSHO! Kudo e kam kërkuar; në tokë e në qiell, por nuk ka Zot! Kjo është  një gënjeshtër e madhe nga vetë njerëzit, shkruan autori. „Mos u shqetësoni se çfarë kanë thënë Manuja, Mojsiu, Mahavira, dhe Muhameti. Ata kanë bërë jëtën e vet dhe nuk janë shqetësuar për askënd.“ (Fq. 85)  Sipas OSHOS, të gjithë themeluesit e religjioneve dhe profetët, janë themelues dhe përhapës të gënjeshtrave! Edhe Komunizmi ishte një ideologji e tillë, por pa zot! Ata, vetë e kanë ditur se këto janë mashtrime edhe shumica e priftërinjve dhe e hoxhallarëve e dinë mirë se këto janë gënjeshtra e mashtrime! Frika e pasiguria kanë bërë që të krijohet Zoti nga njerëzit. Secila kohë e secili vend i ka zotat e vet, sipas fantazisë së tyre dhe të ndryshëm. Që nga koha antike, grekët kishin shumë zota! Ndërsa Abrahami i asgjësoi tjerët dhe ngeli vetëm një! Secili popull e sheh zotin nga këndi i vet dhe në bazë të kushteve atmosferike e të rrethanave shoqërore, që i ka ku jeton! Udhëheqësit e feve pretendojnë se Zoti e krijoi botën dhe njeriun në bazë të figurës së vet. Mirë, po e besojmë. Krishterët europianë e parashikojnë Zotin, të bardhë, të bukur, shtatmesëm, sy të kaltërt, hipur në Mercedes e tj. Por, si e parafytyron Zotin një kinez, që është aq i vogël, i hollë pa mjekër e i zeshtë? Si e sheh Zotin një arab? Me siguri se e sheh një figurë me trup të madh sy të mëdhenj, mjekërr të gjatë me fustan të bardhë e pantallona të shkurtër hipur mbi deve edhe 72 hyrija! Kurse amerikani e parafytyron Zotin si një burrë i fuqishëm, i pasur, i madh e i trashë dhe hipur në Porshe me një raketë në dorë! Kuse një afrikan, me siguri se e parafytyron Zotin të madh, të pasur, të trashë e hipur mbi një gomar, por të zi katran. Kurse shqiptari e parafytyron Zotin të madh, të gjatë, të fortë, me fytyrë të bukur, i bardhë, sytë e kaltërt, të ashpër, me kallash në dorë, me një lahutë a po çifteli në dorë dhe me një mercedes 220, tip i vjetër.

 ZOTI ËSHTË BIZNES ME PRIFTËRINJTË

Edhe ky nëntitull, sipas mendimit tim është i shkruar gabim! Unë mendoj se duhet të jetë shkruar : ZOTI ËSHTË BIZNES I PRIFTËRINJVE , sepse në këtë rast nuk po bën Zoti biznes me priftërinjtë, por e kundërta është se priftërinjët e hoxhallarët, janë ata që bëjnë biznes me emrin e zotave të tyre. Zoti është një krijim nga njeriu dhe, nuk takohet  me priftërinjë për të bërë biznes.

„Njerëzit nuk duan të ndahen nga Zoti për një arsye të caktuar. Ata i ngarkojnë tërë përgjegjësinë atij: ai u dashka kujdesur për gjithëçka. E tëra që duhet të bëjmë është, që të dielave të shkojmë në kishë, kjo mjafton dhe Zoti do të kujdeset për ne“.  (Fq. 23) Por, të mos harrojmë se, kur të shkojmë në kishë a po në xhami, duhet të japim ngapak dollarë dhe se Zoti nuk i merr ato, por priftërinjtë e hoxhallarët bëjnë përftime të mëdha dhe i ndajnë me miqtë e tyre, mendon e shkruan OSHO.  Ai shkruan se njerëzit duhet ta përceptojnë realitetin dhe të bëhen vetëvetja e të mos shkojnë pas parimeve morale e bindjeve nga të tjerët si delet mbas dashit.

Edhe OSHO, sikurse Napoleon Hilli, Niçe, Adleri, Frommi dhe Dalai Lama, me pak ndryshime mendon se fajtorë kryesorë për edukatën e gabuar të fëmijëve e kryesisht të njerëzimit, janë: familja, priftërinjtë, politikanët dhe shoqëria. Pra, ata vazhdojnë të përhapin gënjeshtra dhe frikë në mesin tonë, vetëm që ta heqin përgjegjësinë njerëzit nga vetja dhe të marrin para të mira nga gjithë ata që frigohen nga ferri e duan të shkojnë në parajsë. Dhe, se askush nuk i pyet ata se pse ne nuk mund të shkojmë në parajsë pa ndërmjetësimin e juaj dhe se pse merrni të holla vazhdimisht nga anëtarët e kishës apo të xhamisë dhe kurrë nuk thuani se kemi mjaftë? Athua, në çdo mbrëmje vjen zoti në kishë e xhami dhe i merr ato të holla, pasi që bëjka tregëti të madhe me zotat tjerë, mendon OSHO?

Kurse parajsën, në këtë mënyrë e parafytyrojnë popujt e ndryshëm me kushte të ndryshme klimatike e kulturore. 1) « Në parajsën e hindusëve, tërë ditën fryen një fllad aromatik dhe atje asnjëherë nuk bën vapë. » (Fq. 9)  Pse fllad është në parajsën e hindusëve? Sepse, atje janë vazhdimisht temperaturat e larta dhe për shkak të mundimit që përjetojnë nga vapa njerëzit, e duan dhe e parashohin parajsën, të frekët. 2) Kurse « Në parajsën tibetiane, është shumë ngrohtë, asnjëherë nuk bën dimër dhe nuk bie borë ». (Po aty) Që, po t’i lexoni shkrimet e shenjta të Tibetit, ata shkruajnë se sëpaku një herë në vit duhet të lahet njeriu. Pse? sepse, Tibeti është vend tejet i ftohtë dhe se e kanë ëndërr nxehtësinë.

Ndërsa «Muhamedi u thoshte njerëzve: ju mund t’i merrni secili nga katër gra! Puna ishte se në atë kohë …. Për katër gra ishte vetëm një burrë, për shkak të luftërave, që zhvilloheshin pa ndërprerje në mes të fiseve ». (Fq. 13) Ndërsa, tani nëse i merr secili burrë katër gra, në vendet arabe, do të bëhet krizë për gra dhe vetëm kur të fillojnë të martohen burrat me burra! Të gjitha këto ndryshime vijnë nga kushtet ku dhe si zhvillohet jeta, shkruan OSHO. „Krishterët i vritnin hebrejët edhe muslimantët, ose i kthenin në fenë e tyre. » (Fq. 15) Po ashtu edhe perandoria Bizantine dhe ajo Osmane, vepronin në këtë mënyrë. Asnjë popull nuk ndërron religjion masovikisht, pa një presion të madh. « Fetë krijojnë besime ndaj Zotit, zhvillojnë parime morale e bindje për qëllime politike, por jo përceptimet e realitetit objektiv. Njeriu i dëlirë shfaq pikërisht sjellje prej fëmije, por pa e tepruar ». (Fq. 37)  Që do të thotë, se OSHO mendon e shkruan se çdo rregull morale apo ligjore, doemos se përshtatet me kushtet klimatike, shoqërore dhe mendësinë. Ta marrim një musliman i vendeve të Lindjes, e marton kushërirën më të afër të tij dhe krejt normale është kjo. Ndërsa, një musliman europian e, sidomos një shqiptar musliman që është normal, nuk e marton kusherirën e tij, pa qenë i çmendur dhe, nëse ndodhë kjo, shumica do ta izolojnë për tupin, që e paska bërë! Edhepse, vetë profeti i fesë i ka martuar kusherirat e tij dhe se gjë normale është për atë popull. Fetë janë pjesë të kulturave të atyre vendeve ku kanë lindur, prandaj krijojnë ndryshim, çrregullim e mund t’i degjerojnë popujt tjerë.

-Nuk jam fetar, sepse i kam lexuar BIBLËN edhe KURANIN dhe, secili nga këta libra shkruante çdo gjë që është e mirë për vete e çdo gjë që është e keqe për tjerat fe! Që, unë ngela si gomari në mes të dy stogjve të sanës, pa ngrënë fare, i tha.

“Kush e krijoi Zotin? Ishte vetë njeriu ai që thjesht nuk deshi ta merrte mbi vete përgjegjësinë për jetën e vet? Vallë, a nuk është edhe vetë prifti po ashtu viktimë e frikës së vet, për të parë në brendësi, ashtu si edhe të gjithë të tjerët? Frika e krijoi Zotin.

Prifti konsiderohet njëlloj viktimë si edhe ju, por është më dinak se ju.” (fq. 129/130)

 ZGJIMI I VETËDIJES

„Fanatikët nuk e kuptojnë logjikën, nuk e kuptojnë argumentin. Fanatikët janë të verbër.“  (fq. 142)

 Kurse vetëdija ndriçon mendjen e njeriut, i heq dilemat dhe merr vendime të qarta e të sigurta. Pas gjithë mendimeve, sjelljeve e veprimeve të arsyeshme, natyrisht se vijnë veprimet tuaja të mira, të bukura dhe fisnike, që më vonë ato do të përhapen si të suksesshme e të vlefshme.

„Në botë ka tri fe: njëra ka lindur nga frymëzimi i Guatama Budës, e dyta nga frymëzimi i Adinatit dhe e treta nga frymëzimi i Lao-Xis. Të tre këta kanë arritur majat më të larta dhe asnjëri prej tyre nuk e njihte Zotin. Në krahasim me ta: Islamizmi, Kristianizmi, Hinduizmi dhe Judaizmi janë thjesht argëtime kalamajsh“.  (fq. 148)

„E kaluara është kujtesa e juaj, kurse e ardhmja është përfytyrimi i juaj. Realiteti gjithmonë gjendet në të tanishmën. Ai s‘ka as të shkuar as të ardhme“. (fq. 153)

„Jezusi ishte djalë i një zdrugthëtari … ai kishte dëshirë ta quante veten bari, kurse tërë njerëzimin, dele.“ (fq. 169) Gjë që edhe unë pajtohem me këtë. Njerëzimi janë dele të profetërve dhe të liderëve politikë.

„Por, në Kashmir, pranë Pahallagamës, ndodhet varri i Jezusit. Një përputhje e çuditshme: pranë varrit të Jezusit ndodhet ai i Mojsiut…. Jezusi…jetoi mjaftë gjatë: ai vdiq 112 vjeç…këta dy janë të vetmit varre hebrenjsh në Indi, sepse të tillë s’ka më“. (fq. 168) Arsyeja e autorit është sepse indusët i djegin kufomat e Muslimanët ua kthejnë kokën në drejtim të Mekes.

 Kush e di se ku është parajsa a po ferri, si duken dhe cilat janë kushtet, aty? Unë mendoj se edhe OSHO, deridiku, mirë ka menduar dhe ka shkruar për Zot, parajsë e ferr! Ai shkruan se s’ka Zot, parajsë edhe ferr, por unë mendoj të kundërtën se ka zot, parajsë edhe ferr! Ku do OSHO, zot më të madh se gjithësia dhe globi tokësor, që me ujë e ajr, na kanë krijuar ne dhe na i ka krijuar të gjitha këto kushte e mundësi për jetë? Ku do OSHO, Zot më të mirë sikur Dielli që gjysmën e jetës na bën dritë e na ngoh? Ku do OSHO parajsë më të madhe e të bukur, sikur që janë vendet skandinave, ato të Europës Perëndimore, Shqipëria, Afrika, Dubai e tjera dhe që ka jetë kaq të mirë? Por, ku do OSHO ferr më të madh e të zymtë sikur ato vende ku zhvillohen luftëra pa ndërprerë, aty ku ka terrorizëm, varfëri e sëmundje? Aty është ferri. Megjithë aftësitë, suksesin e humorin që i ka OSHO, unë nuk mund të pajtohem për shumë gjëra, me mendimin e tij dhe mirë bëra që nuk u pajtova. Por, as me ata që mendojnë, shkruajnë e thonë se Zoti e krijoi njeriun në syretin (figurën) e vet, se na sheh kudo që jemi, na dëgjon, na shpërblen dhe na dënon! Edhe ato, edhe këto janë teori të vjetëruara, që më mirë të merren njerëzit me vetën e tyre dhe jetën, se që të merren me Zotin a po me zotat! Edhe nëse ai a po ata ekzistojnë, i shohin vet punët e tyre, pa ndihmën tonë dhe, se ne s’kemi mundësi të ndikojmë, a po t’u ndihmojmë atyre. Prandaj, t’i lëmë fëmijët të qetë e të mos i terrorizojmmë me lloj-lloj teorie të vjetëruar, të degjeneruar e banale deri në ekstrem.

 VËREJTJE RRETH PËRKTHIMIT TË LIBRIT

Situatë e ngjajshme është edhe në këtë libër, sikur në atë të Alfred Adlerit „Të kuptosh natyrën e njeriut“, në të cilin ka gati poaq gabime shtypi, gjuhësore edhe logjike!

Edhepse, nuk mund të them se përktimi është i keq, disa nga ato gabime do t’i përmend, që të mos mendojë lexuesi se me hamendje kam bërë vërejtje.

Në kryerreshtin e tretë mungon apostrofi: „Nuk mendoj se djalli do tju lërë …“, që duhet të jetë: …t’ju  lë… (1. fq. 11)  „Çdo veprim juaji do …“, që duhet të jetë: … i juaji …, (2. fq. 23)  „Askush nuk e dinte se kush ishte i ati; njerëzit dinin vetëm se kush ishte „xhaxhai” dhe nëna“. Që janë ngatërruara fjalët; dajë dhe xhaxha, sepse edhe në gjuhën gjermane i thonë dajës edhe xhaxhait me të njejtën fjalë; “Onkel”! Gjë që të mendojmë logjikisht, sepse në këtë rast bëhet fjalë për dajën dhe jo xhaxhain! (3. fq. 24) “Dërgomë limuzinën“ Duhet të jetë: dërgoma limuzinën, ose; ma dërgo …! (4. fq. 34) „Mbërriti tek godina“ Duhet të jetë pa: k! „te godina“ ,Tek’, përdoret te të gjitha ato fjalë që pasojnë me zanore në fillim; tek ara, tek Arbeni, tek Emiri etj. Ky gabim përsëritet. (5. Po aty)  „Të tërë këtë gurë …“, që duhet të jetë: tërë kët-a gurë. (6. fq. 36) „Ju mund të ktheni në cilindo shtëpi“ Që duhet të shkruhen dy fjalët; …të; kthe-heni në; cilën-do shtëpi! (7. fq. 52) „…të jeni individualitete… „  që në këtë rast duhet të jetë; të jemi individualitete… .  (8. fq. 56) “Mbi ju do të zbret një qetësi të madhe!” Që duhet të jetë; …qetësi e madhe! (9. fq. 61)  „Nuk mund t’i rezistoj“ Që në këtë rast duhet shkruar, në vetën e tretë; …rezistoj-ë! (10. fq. 77)  „Të shëroje atë“  Që duhet të jetë; ta shërojë …! (11. fq. 78)  „Truprojat e tij ishin afro dymetroshë“. Që këtu janë dy gabime dhe duhet shkruar: trup-rojet, af-ër dhe; nga ;  dy metër. (12. fq. 89)  „Nëse do të kishin thënë!“  Që në këtë rast do të duhej shkruar; kishit!..  nëse do të: kishit thënë…! 13. fq. 113) „E di, por nuk mund po mundem të bëj asgjë.“ Që dotë duhej të jetë: …nuk po mund të bëj asgjë … (14. po aty)  „…pesëdhjetë për qind do do të mbani përgjegjësi për vrasjen.“  Që duhet të hiqet njëri: do! (15. Po aty) „Papa zgjidhet… !“  Që ky gabim është përsëritur në libër dhe duhet shkruar: … zgjedhet! Problemi apo demi zgjidhet! Kurse, papa, deputeti e kryetari, nuk zgjidhen, por zgjedhen! Sëpaku tri herë është përsëritur vetëm në këtë faqe ky gabim.(16. fq. 117) „Nuk do ta kërkonin diçka të tillë!“ Që duhet të jetë; nuk do ta kërkonin një gjë të tillë! Ose: nuk do të kërkonin diçka të tillë!“ (17. po aty) „… i cili të jetën…. ka qenë impotent.“ Që duhet të jetë; tërë  jetën…! (18. fq. 121)  Po aty: „Sekretaret përzgjidhen …“! Prapë përsëritet gabimi, që duhet të jetë; përzgjedhen! (19. fq. 139) „…,dinjitetin dhe njerzillëkun e vet.“  Duhet shkruar; … njerëzinë e vet. (20. fq. 142) „…nëse ju e dini këtë – këtë moment, …“ Që duhet të hiqet nëra fjalë; këtë! (21. fq. 153) „Personi ishte dorëshpuar!“ E ka shkruar pa kuptim, që do të duhej ta shkruante: dorëçlirë ose ; dorëlirë! (22. Rendi i dytë. fq. 105) Pastaj gabime teknike ka, ku janë të pandara nga 4-5 fjalë apo më tepër, (23. Në rreshtin e  parë, gjë që përsëritet. fq. 155)

 PËRFUNDIM

Nuk do të isha marrë me këto gabime të librit, sikur të mos ishte ky një autor i njohur dhe shumë i lexuar! Por, të njëjtat gabime janë përsëritur edhe në librin e Alfred Adlerit „Të kuptosh natyrën e njeriut“, që do të thotë se që në titull është bërë gabimi dhe do të duhej shkruar: „Ta kuptosh natyrën e njeriut“ dhe jo: të kuptosh! Që në librin e Adlerit është përkthyes Fatmir Dibra dhe i botuar në të njejtën shtëpi botuese e me të njëjtin redaktor! Që, doemos se e bajnë një pjesë të përgjegjësisë edhe redaktori me shtëpinë botuese, për gjithë këto gabime që janë në këto dy libra! Kur jepen gjithë ato të holla për përkthyesin e shtëpinë botuese, le të jepen edhe nga një euro për faqe, për lektorin apo si t’i themi, redaktorin gjuhësor. Pastaj, do të jetë libri nën vëzhgimin e më tepër syve dhe mendjeve e shumë më atraktiv, do të dalë.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …