Isuf Bytyçi: PËRVJETORI I MASAKRËS SË DUBRAVËS NË KOSOVË

Isuf Bytyçi: PËRVJETORI I MASAKRËS SË DUBRAVËS NË KOSOVË

U bënë 24 vjet që nga 22 maji i vitit 1999, kur u vra Qemajl Bytyçi me shokë, në Masakrën e burgut të Dubravës

Sa shpejt shkon jeta! Si sot më  kujtohet kur erdhën 2-3 mësues nga shkolla e Ratkocit të Anadrinisë, në vitin 1969 në lagjen tonë, për të kërkuar fëmijë, të cilët i kanë plotësuar vitet që t’i regjistrojnë në shkollë, në mesin e të cilëve ishte edhe mësuesi Bërhan Zeka (Ibërhan Dulazeka), nga Gjakova.

Gjatë takimeve me prindër e fëmijë, në ato momente u lajmërua edhe Qemajli dhe mësuesit e morën emrin e tij,  për ta regjistruar në shkollë!

Vetëm 5 vjet e katër muaj kishte Qemajli kur filloi shkuarjen në shkollë, në atë kohë në shkollën e Ratkocit, e cila është diku rreth 3 kilometra larg!

Dëshira për shkollën, bëri që Qemajli t’i vijojë mësimet në gjeneratë me Saliun, edhe pse i pari ishte dy vjet më i ri dhe, vazhdimisht, ishte njëri  ndër nxënësit më të disiplinuar, ndër më të dashurit  dhe ndër më të mirët, në mësime!

Qemajli u rrit, me humor, respekt e dashuri!

Ishte shumë i dashur në fshat, por edhe në gjimnaz e studime, Qema la gjurmë të ndritura e njerëzore, që pak kush mund t’i ketë lënë!

Jo vetëm që ishte njerëzor, por ai ishte edhe kombëtar! Njëri ndër të parët në  celulat e para të lirisë ishte Qema.  Që nga viti 1981, kur ishin demonstratat në Kosovë për liri e demokraci, Qemajli bashkë me djalin e xhaxhait tij, Saliun, filluan veprimtarinë e tyre kombëtare dhe u ballafaquan me organet shtetërore jugosllave, që kurrë nuk u ndalën.

Kryetar i parë i fshatit Dejë u bë dhe veprimtarinë e tij kombëtare për atdhe e komb nuk e ndali, në kohën e çmendjes serbo-komuniste të diktatorit të shfrenuar Sllobodan Millosheviq, i cili ia kishte dhënë objektiv vetes shtypjen e racës shqiptare me tanke deri në asgjësim.

Ai nuk rrinte, në rastin e organizimit të shqiptarëve të Kosovës, gjatë periudhës së paraluftës, me tërë qenien u aktivizua të mblidhte ndihma për fëmijët e varfër dhe mësuesit. Po ashtu edhe lufta kur filloi, Qema dha kontribut në mbledhjen e ndihmave për popull e ushtri dhe jo një herë kontaktoi me udhëheqësit e Shtabit në Drenoc, se ishte i gatshëm për t’u kyçur si ushtar i lirisë dhe, po si njeri i gatshëm, duke u kthyer nga Rahoveci me një grup punëtorësh, në tentim për të hyrë në zonën e luftës që po ndodhte atë ditë, më 12 maj 1998, u kap nga forcat serbe, të cilat ishin fshehur në një kthesë të fshatit Gexhe, dhe së bashku me shokët, edhe 5 të tjerë, u dërgua në Stacionin e Punëve të Brendshme në Prizren, pastaj pas rreth 70 orësh në këtë stacion, në Burgun e Qarkut në Prizren, ku u dënua me 4 vjet burg.

Burgun e vuajti në Prizren, pastaj nga shtatori 1998 e deri më 30 prill 1999, në Burgun e Prishtinës në Lipjan, për t’u dërgua në këtë datë në Dubravë, ku qëndroi deri më 22 maj, kur të burgosurit e këtij burgu, të gjithë shqiptarë, rreth 900, u masakruan nga forcat e uniformuara serbe: gardianë, policë e ushtarë.

Aty humbi edhe Ukshin Hoti, ideologu i rezistencës kombëtare, dhe kurrë nuk dihet për trupin e tij. Kurse Qemajli e deshi jetën, edhe pse ajo e tradhtoi atë! Qemajli u vra e Saliu shpëtoi ndër disa të vdekur. Dhe, që nga ajo ditë askush nuk u përgjigj për këtë masakër.

Lajmin, për humbjen e Qemajlit, e mora unë me telefon nëpërmjet një avokati serb.

Kontakt me avokatin më dha vëllai i tij i dytë, Haxhiu, sepse vëllai i madh i tij, Muharremi, ishte në burgun serb. M’u desht t’ia dërgoj 1 000 marka gjermane avokatit, në mënyrë që të merr kontakt me dy vëllezërit e mi në burg të Serbisë: bacën Daut e Saliun edhe dy djemtë e xhaxhait: Muharremin e Qemalin, dhe ta bëjë mbrojtjen e tyre.

Një javë më vonë, më tha avokati në telefon se Qemali është në burgun e  Nishit, Dauti e Muharremi, në dy qytete tjera dhe për Saliun, më tha se nuk e di, ende!

Aq fort u gëzova për tre që kishin shpëtuar, por për Saliun nuk më zinte vendi vend! U mërzita shumë, sepse kisha frikë për humbje!

Dy javë më vonë, u bë thirrja tjetër në telefon nga avokati dhe, lajmin e zi bashkë me të ma dha!

Kur e hapa telefonin, avokati më përshëndeti dhe më tregoi menjëherë se Saliu ishte gjallë në burg! U gëzova pa masë, sepse për tre të tjerët e kisha lajmin e shpëtimit. Por, nuk zgjati dhe më tha se “Qemalin e kanë vrarë bombat e NATO-s në burgun e Dubravës!” Për humbjen e Qemës së dashur e mora lajmin e zi i pari. Avokati donte ta vazhdonte bisedën, por unë i thashë se nuk mund të bisedoj sot më tepër dhe i mbylla telefonin, sepse m’u terruan sytë, m’u ngushtua zemra dhe m’u zu fryma!

Viti ishte: 1999 dhe, vetëm që nuk më rroku infarkti! Por, edhe pse në atë moment nuk pata sulm, vendin e bëri! Në zemrën time mbeti një plagë e madhe dhe e pariparueshme! Mbas shumë vjetësh lëngatë, pata sulm në zemër dhe për fat, shpëtova.

Kurse Qema e la nënën, babanë, motrat, vëllezërit, një heroinë – gruan Sadeten, e cila i rriti dy vajzat; Safeten e Donjetën dhe djalin, Albin. Që të tre e kryen fakultetin e mjekësisë, të tre punojnë dhe janë duke vazhduar studimet pasuniversitare. Ndërsa Qemajli, edhe pse nuk është fizikisht në mesin tonë, ai s’ka vdekur, ai është përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona, derisa ta kemi jetën dhe lirinë e pavarësinë që na i la mbrapa, nuk e harrojmë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …