leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Heroi ynë Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU iu ka mbijetuar të gjitha kohërave dhe ua ka lënë vulën e lavdisë e të triumfit

Lodhemi kot me zhvillimet e fundit rreth, sikur po thuhet  “mbulimit” të Monumentit të Skënderbeut, sepse nuk e kanë me të, ndaj kujdes!

Pse?

Sepse Heroi ynë Gjithëkombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEU iu ka mbijetuar të gjitha kohërave dhe në të gjitha e ka lënë vulën e lavdisë e të triumfit për vete e të krenarisë për ne, shqiptarët! Historia jo vetëm e jona, nuk e ka lënë në harresë, por ia ka denjuar të gjitha nderimet, ndriçimet dhe shkëlqimet! E ka përjetësuar në të gjitha llojet e veprave madhështore të artit. Prandaj, kushdo qofshin e ngado qofshin, nuk mund ta lënë asnjë shenjë njollosjeje mbi Kryeheroin e kombit tonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Skënderbeu jo vetëm për së gjalli i dha zemër e zë popullit të Arbërisë, të Maqedonisë apo të Epirit,  sikur quheshin asaj kohe trojet e shqiptarëve, por edhe Skënderbeu i rilindur nga Naim Frashëri e Jeronim de Rada, i dha jetë idesë së Rilindjes Kombëtare, për një gjuhë, për një komb e për një shtet SHQIPTAR.

Ide kjo e parealizuar as sot e kësaj dite, se bijtë e shqipeve janë bërë si zogjtë e qyqeve!

28 Nëntori i vitit 1912, e përmbylli historinë e kombit e të shtetit të shqiptarëve – Shqipërinë, edhe pse shqiptarët mbetën të ndarë e të copëtuar, për shkakun e vetëm pse kombi, territori i tyre dhe shteti kishin armiq të shumtë, jashtë e brenda tij. Skënderbeu i rilindur i ngjizi me krenari të gjithë brezat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të gjithë brezat pas saj. Andaj prekja dhe përpjekja për të denigruar atë personalitet gjithëkombëtar as ka qenë e as do jetë, kurdo e kudo që bëhet, diçka e rastësishme apo ndjenjë thjesht fetare, pasi feja në këto troje nuk është “zbulim” i kohës sonë.

Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë sesa sot. Kanë dy shtete të pavarura dhe janë element shtetformues në Maqedoni, kanë edhe aleatë të fuqishëm, por njëkohësisht kanë edhe armiq të shumtë nga jashtë, nga brenda. Duhet pranuar pa hezitim se më të shumtë e më të ligjtë janë këta që keqpërdorin ndjenjat fetare të njerëzve që t’i mbushin sheshet për t’i shkatërruar shtyllat kryesore të kombit: Skënderbeun, shqiptarizmën, traditën shumëshekujsh, gjuhën, identitetin. Këto forca ogurzeza, kurrë nuk kanë pushuar se mohuari mëvetësisë tonë kombëtare, por në harkun kohor çerek shekullor nisi ngritja e tyre si hiena. E sot i kemi jo në prag, por në shtëpi, duke i rrënuar të arriturat e shekujve për komb e atdhe.

Këto hiena asgjë nuk mundi t’i bëjnë Skënderbeut! As idesë që rilindi me aq shkëlqim në shekullin XIX, sepse ajo është kurorëzuar tashmë, por mund ta godasin fort të sotmen e të ardhmen e brezave tanë, ashtu siç po rrënohet e sotmja dhe e ardhmja e irakianëve, sirianëve, kurdëve etj., në Lindjen e Afërme. Ju kujtohet “pranvera arabe” se çfarë dimri solli për vetë kombet e vendet që lindi! Dhe askush nuk është goditur më shumë e më fatalisht sesa ato kombe të asaj “pranvere”! Shikoni përpëlitjet e tyre edhe sot e kësaj dite, përpëlitje që i kalojnë edhe kufijtë e atyre vendeve e kombeve.

Mos pritni diçka tjetër nga ideatorët e keqpërdorimit të njerëzve dhe të të drejtave të tyre fetare, të cilët nuk janë vetëm në kërkim të uzurpimit të hapësirave publike të qytetarëve, siç janë sheshet e qyteteve të Shqipërisë e të Kosovës, ata kërkojnë mohimin e shkatërrimin e traditave tona kombëtare. Në çdo shoqëri të civilizuar, vende të lutjeve fetare janë xhamitë ose kishat, dalja jashtë tyre nuk ka për qëllim shfrytëzimin e së drejtës për të kryer ritin fetar. Dalja në sheshe është reklamim e prezantim i një fuqie ogurzezë, që po sillet si një fantazmë, apo një gjarpër i zi kundër vlerave tona kombëtare, por mbi të gjitha kundër të ardhmes sonë kombëtare.

Institucionet relevante të shteteve tona duhet t’i bëjnë sytë katër dhe jo të përgjumen, me ç’po duket, nga këto akte të shëmtuara. Familjet shqiptare duhet t’ju kthehen vlerave tradicionale të familjeve shqiptare. Rinia shkollore duhet të mendojë më shumë për të ardhmen e vet e të kombit. Ne duhet të jemi krenarë që jemi komb shqiptar! Këto vlera që na kanë bërë e na bëjnë krenarë, janë duke u sulmuar nga një farë e keqe. Shpirti i rilindësve duhet të rilindë përsëri! Ky është obligimi i energjive të reja, që sot po duken të fjetura!

Të mos keqkuptohemi: ritet fetare vendin si kudo në botën e qytetëruar, e kanë në tempujt përkatës, në kishë e në xhami. Pushteti tokësor është obligim i institucioneve shtetërore, të cilat zgjidhen me votë të lirë nga populli për çdo katër vjet. Këto institucione kanë obligime më shumë sesa punët rutinore të administrimit të sigurisë se përditshmërisë, por kanë një kryepërgjegjësi – Sigurimin e Ardhmërisë Kombëtare në shtigje të gjata. Feja duhet të jetë e ndarë nga shteti, nëse vendi e do zhvillimin dhe përparimin.

Kudo ku feja e shteti bëhen përzihen nuk ka zhvillim, nuk ka progres, nuk ka liri, nuk ka drejtësi dhe as solidaritet.

Ndaj fjalia e fillimit: Lodhemi kot me zhvillimet e fundit rreth “mbulimit” të Monumentit të Skënderbeut, sepse nuk e kanë me të, ndaj kujdes!

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …