Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Krerët institucionalë të vendit nuk i njohin përgjegjësitë e tyre kushtetuese

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, në një postim në rrjetin social “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeparlamentarit Veseli, i cili tha se do t’ua zgjidhë problemet punëtorëve të Fabrikës së Tubave. Në reagimin e tij, Krasniqi ka shkruar se krerët institucionalë nuk i njohin përgjegjësitë e tyre kushtetuese, prandaj në këtë mënyrë nuk mbahet shteti, por përkundrazi shkon drejt falimentimit. Në postimin e tij Jakup Krasniqi ka shkruar:

“Shtetet bëhen me luftë”, por e gjithë çështja është, si mbahen e si zhvillohen ato. Bazamenti i shtetit është Kushtetuta, nga e cila burojnë ligjet. Ligjet duhet të jenë të standardeve ndërkombëtare, pa të cilat nuk ka shtet të së drejtës. Aty ku nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka liri, demokraci e zhvillim ekonomik. Vetëm aty ku ka sundim të ligjit (të standardeve), ka zhvillim, progres e jetë të dinjitetshëm për qytetarët.

Për t’i thënë të gjitha këto më shtyri deklarimi i Kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ju paska thënë punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Ferizajt siç raportojnë mediat se: “Veseli u premton punëtorëve të Fabrikës së Tubave se do t’ua zgjidh problemet”. Me ligjet në fuqi për privatizimin e Pronave (Ndërmarrjeve) Shoqërore e Publike, punëtorëve nga shitja u takojnë 20% të shumës se shitjes. Punëtorët të cilëve ju premton Veseli kërkojnë më shumë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kryetari i Kuvendit të Kosovës mund t’ua zgjidhë çështjen më shumë se të ndërlikuar? Ku do ta mbështet ai një zgjidhje tjetër, veç asaj që e parasheh ligji?

Nëse Kryetari thirret në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai është antikushtetues, pasi nuk ka pasur parasysh asnjë ligj që rregullon lëndën e privatizimit?!

Pyetja shtrohet çka tregojnë këto dy raste dhe shumë raste të tjera të qeveritarëve të djeshëm e të sotshëm?

Tregojnë se krerët e institucioneve tona shtetërore, nuk i njohin përgjegjësit e tyre Kushtetuese. Nuk i njohin ligjet në fuqi, mbase dhe nuk dëshirojnë që t’i dinë ato. Çështja është, me ketë kulturë institucionale që është instaluar në Kosovë, a mund të mbahet shteti, a mund të zhvillohet e ligjësohet ai? Unë dyshoj dhe dyshoj shumë! Me këto veprime të krerëve të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë edhe punën kriminale të Komisionit qeveritar për veteranet, shteti nuk mbahet, përkundrazi, shteti shkon drejt falimentimit.

Atëherë kush duhet të shpëtoj shtetin nga falimentimi, nëse jo krerët e institucioneve më të lartë të shtetit?!

Kontrolloni gjithashtu

Bekim Haxhiu: Kaq keq, e kaq tradhtisht si Albin Kurti, nuk ka vepruar as Esat Pashë Toptani

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj kryeministrit Kurti i cili akuzoi  ish kryeministrat …