Jakup Krasniqi: Sekserët në politikë

Jakup Krasniqi: Sekserët në politikë

Si njeri i vëmendshëm, shkruaj e flas gjithsesi për të vëmendshmit, dhe me një përvojë politike, më të theksuar gjatë 20 viteve të fundit. Secili e ka të lehtë që të vijë në përfundimin se partitë politike në Kosovë nuk i qeverisin organet statusore, por i pari i partisë çdo veprim politik e merr me të ashtuquajturit sekserë politikë. Dhe nëse duam t’i krahasojmë figurativisht këta sekserë, ata s’janë gjë tjetër veçse xhambazët e kuajve në tregjet e kafshëve në të kaluarën. Sot, ç’ është e vërteta, nuk di a ka xhambazë në tregje kafshësh, por në politikë ka shumë, madje goxha shumë. Prandaj me xhambazë-sekserët nuk udhëhiqet partia politike e më së paku shteti. Kosova e këtyre viteve është tregimi më i saktë i kësaj që u tha. Ikja e qytetarëve, mllefi i tyre i shprehur ndaj politikës e politikanëve pa përjashtim, edhe pse, dorën në zemër, të gjithë nuk janë njësoj, është pasqyra më e saktë e kësaj gjendjeje me pak shpresa.

Dikush mbase edhe mund të thotë: Kjo nuk mund të thuhet për të gjitha partitë politike! Nuk ka dyshim, mundet që partitë të mos iu ngjajnë njëra-tjetrës si veza vesë, por nga ajo që shihet e nuk shihet, dhe nuk kërkon ndonjë kallauz, e sidomos te ata që po defilojnë në ekranet televizive, sekserët janë në skenën politike e mediale pothuajse në te të gjitha partitë politike. Do të ishte mirë po të ishte ndryshe. Pa dyshim që brenda partive politike ka njerëz të virtytshëm, por të virtytshmit, thënë më së buti, janë shumë të heshtur e pa ndikim, ose për shefin janë të papërshtatshëm, dhe do t’i kanë margjinalizuar me votën “qytetare” ose edhe janë margjinalizuar, të pashpresë, vetvetiu. Kush nuk beson në këtë, shikoni të zgjedhurit ose shikoni edhe këshilltarët politikë të zyrtarëve më të lartë të shtetit, cili është niveli i tyre politik, intelektual e njerëzor dhe do të bindeni në këtë që po e them. Do të isha më shumë sesa i kënaqur, sikur ky konstatim imi të kundërshtohet me argumente.

Përderisa shefat i kanë të preferuarit e tyre, sekserët, nuk mund të mos ritheksoj pezhorativin “xhambazët e kuajve” në politikë, të virtytshmit nuk mund të jenë në tryezën ballore të vendimmarrjes politike e institucionale. Përderisa të virtytshmit nuk janë në tryezën ballore të vendimmarrjes, vendimmarrja dhe qeverisja do të jenë kështu tallave si edhe muzika e 20 viteve të fundit. Të gjithë e dimë se tallavaja nuk është kulturë muzikore, është një kiç e hiç, ashtu siç është edhe qeverisja me sekserë e beterë të çdo lloji.

Sikur shefat e partive politike të rrethoheshin me njerëzit e virtytshëm, atëherë nuk do të kishte shefa por kryetar partish, mund të thotë dikush, e unë do të pajtohesha, atëherë komunikimi në mes partive politike do të ishte njerëzor, interesi kombëtar e qytetar do të gjendej pa vështirësi, koalicionet do të bëheshin më lehtë e shpejt dhe qeverisja do të bëhej në të mirë të publikut e jo për shefat e sekserët a bodigardët e tyre, që shpesh shpërblehen me pozita ministrash.

Kjo gjendje është evidente sidomos dhjetë vitet e fundit, por shqetësuese është bërë në dy-tri legjislaturat e fundit. As pas zgjedhjeve të 6 tetorit nuk po shihet ndonjë ndryshim, u bë apo nuk u bë marrëveshja për koalicionin qeverisës. Kjo është e dhimbshme, ndaj edhe shpresa për ndryshim është tejet e vogël. Epo, kush ka mbetur të na kthejë shpresën është për t’u neveritur! Pazarllëqet e sekserëve nuk e sjellin ndryshimin! Sa më herët që ta kuptojmë këtë si politikanë apo qytetarë aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Askush, e as të virtytshmit në partiçkat politike, nuk duhet të shohin ëndrra me sy hapur! Apo duhet të presim që t’i shohim “mrekullitë” së bashku! Në pritje të mrekullive jemi! Ndonëse, unë nuk besoj as në mrekulli tokësore, as në ato qiellore!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …