leoni

Jakup Krasniqi: Më problemet aktuale që ka Kosova duhet të shqyrtohet edhe opsioni i zgjedhjeve të parakoshme

Jakup Krasniqi: Varfëria intelektuale dhe ekonomike vjen nga pangopësia për pasurim dhe sundim kriminal

Zhvillime të shumta politike e shkarravina “intelektuale” në nivelin botëror e kombëtar konfirmojnë se idetë e mëdha humane e çlirimtare të se djeshmes së largët apo të afërme, janë bërë halë në sytë e “teoricientëve” të politikave kriminale e robëruese në nivel botëror e nacional, të shpërfaqura orë e çast, deri dhe copy paste në portalet “informative”, mbase jo vetëm tek ne! Nuk kam asnjë dyshim, pasi kjo shihet nga shumëkush e kushdo që do të shohë, se sulmi nga këta sulmues është i orkestruar dhe kryeshënjestër janë idetë çlirimtare e liridashëse dhe filozofinë e këtyre ideve, të cilat ide për më shumë se një shekull u ndihmuan shumë kombeve në botë që të fitojnë lirinë e pavarësinë që gëzojnë sot. Ndërsa tek ne, sulmi është i orkestruar ndaj ideve të çlirimit e të bashkimit, madje jo më pak edhe ndaj standardizimit të gjuhës shqipe, këtij segmenti më përbashkues të kombit shqiptar.

Këto politika mjerane sa pseudointelektuale, po aq edhe pseudoprogresiste, të cilat qëllim të vetëm kanë pasurimin e egër të një grupimi të kufizuar të “njerëzve”, të oligarkëve politikë e financiarë, që i shohim të sundojnë gjithandej nëpër botë! Fatkeqësisht, injorantët e trafikantët e ideve të demokracisë progresiste po e sundojnë sot botën e pasur, respektivisht pasurinë nacionale të shumë njerëzve të varfër.

Këto politika demagogjike kanë ndihmuar kurdo e kudo që në botë të ketë varfëri e krim në politikat qeverisëse, varfëri në prodhimtarinë intelektuale e varfëri ekonomike masive të shtrirë në shtresat e gjera të kombeve. Pangopësia për pasuri të jashtëligjshme, shfrytëzimi i të arriturave shkencore për t’ju shërbyer njerëzve që nga zbulimi i barotit, atomi me të gjitha zbulimet e AA-së, me gjithë të arriturat e tjera të shkencës, përfshirë edhe teknologjinë informative, janë vënë edhe kundër njerëzimit dhe shkatërrimin e ambientit natyror në shkretëtira masive.

Këto sorte të liga me shëmbëllime njerëzore kritikojnë të kaluarën, në vend që mendjet e urta të na pasurojnë me idetë e lirisë, drejtësisë e të barazisë të se sotmes për një të ardhme që ofron mirëqenie, liri dhe progres. Është e kotë të luftosh për ndryshimin e asaj që nuk ndryshohet dot! Përpjekja për ta përmirësuar të kaluarën a shëmtuar atë, është “si të grish ujë në havan”. Ndërsa njerëzimit sot i duhen ideatorë që i ndihmojnë për ta ndryshuar të sotshëm e ideojnë të ardhmen.

Edhe pse kalemxhinjtë shpirtshitur (jo vetëm të portaleve) vazhdojnë t’ju shërbejnë politikave kriminale të sundimtarëve të egër jo vetëm në rang nacional, trend ky që do çojë një ditë në ndarjen përfundimtare të shapit nga sheqeri.

Fundja, a nuk hoqëm të zitë e ullirit për jetësimin e idealeve shekullore për t’u nëpërkëmbur pikërisht këto ideale nga këta batakçinj politikë a “intelektualë” “portalesh” e reflektues të filozofive të errëta e regresive! Epo, vërtet varfëria intelektuale dhe ekonomike vjen nga pangopësia e të pangopurve për pasurim e sundim kriminal, i cili duket gjithandej. Ndërsa tek ne, janë fenomene të shpërfaqura për fushe. Të gjithë kemi pasur rast të dëgjojmë e mësojmë se idetë e çlirimit, të lirisë, të drejtësisë, të barazisë, të solidaritetit e të humanizmit edhe mund të tëhollohen, por assesi të këputen a zhdukën. Vetëm robëria, padrejtësia e sundimtarëve despotike dhe zullumet e ndryshme janë këputur dhe këputen prej se trashi!

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …