James Rubin: Thaçi ishte njeri që e mbante fjalën. Nuk e gjykova në bazë të thashethemeve të cinikëve dhe skeptikëve të Evropës

James Rubin: Thaçi ishte njeri që e mbante fjalën. Nuk e gjykova në bazë të thashethemeve të cinikëve dhe skeptikëve të Evropës

Ndihmës-sekretari i Shtetit në administratën e Bill Klintonit, diplomati amerikan James Rubin, që ishte ndër protagonistët kryesorë në arritjen e Marrëveshjes së Rambouillet, në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com ka folur edhe për raportet e tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Rubin për Demokracia.com ka thënë se pati kritika për bashkëpunimin me Hashim Thaçin, por shton se ky i fundit u tregua aq i mençur sa të nënshkruajë marrëveshjen e Rambujesë.

“E mbaj mend se isha kritikuar nga pjesëtarë të shërbimit të jashtëm amerikan dhe nga gazetarë, se i kishim vënë të gjitha “bastet” në UÇK-në dhe Hashim Thaçin. Kishte prej atyre që thoshin se po bënim gabim të madh, se duhej ta përkrahnim Rugovën. Por, përgjigjja që përsëri e them ishte se ne apo unë bashkëpunuam me Hashim Thaçin, sepse delegacioni kosovar e zgjodhi atë udhëheqës të delegacionit. Unë nuk e zgjodha, por ata. Ndërsa, ne e kishim strategjinë që të bashkonim Evropën kundër Serbisë, duke bindur kosovarët që të thoshin “Po” dhe Serbia të thotë “Jo”. Dhe kjo strategji funksionoi vetëm sepse Hashim Thaçi ishte mjaft i mençur sa të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë dhe serbët jo. Shumë lehtë ka mundur të ndodhë që kjo të mos bëhej. Lehtë ka mundur të ndodhë që e tëra të shembej”, ka thënë ai.

Rubin mes tjerash për Demokracia.com ka thënë se me Thaçin kishte zhvilluar një marrëdhënie të besimit dhe e sheh si person që e mban fjalën. Ai madje ka pasur edhe lëvdata për qeverisjen e tij. “Kështu u zhvillua një marrëdhënie e besimit me të. Fillova ta shoh si njeri që e mban fjalën. Nuk e gjykova në bazë të thashethemeve të cinikëve dhe skeptikëve të Evropës që thoshin të mos e dëgjoja atë. Pra, nuk e gjykova në bazë të paragjykimeve, por në bazë të bashkëpunimit me të. Dhe në vitet që pasuan ai u dëshmua një politikan i vërtetë, si dikush që ka mbështetur zhvillimin demokratik. Njerëzit ndoshta nuk pëlqejnë çdo gjë që ka bërë ai. Asnjë politikan nuk mund ta arrijë këtë. Por, shikojeni situatën sot, kur ai dhe qeveria e tij ka ndërtuar këto procedura ekstreme për ndjekjen e krimeve të luftës, gjë që askush nuk e ka bërë deri më tani. Edhe vetë iu ka nënshtruar këtyre procedurave. Ideja se ka diçka të keqe në të, u tregua e gabuar”, ka thënë Rubin

Në fund, Rubin ka folur edhe rreth pretendimeve të Gjykatës Speciale, se Thaçi dhe bashkëluftëtarët kanë kryer krime lufte.

Do të vazhdoj ta gjykoj në bazë të përvojës sime me të. Asnjëherë nuk kam parë fakte për përgjegjësinë e tij për krime që sigurisht se ndodhin në luftë, nga një popullatë që vuan nga një sulmi aq i madh. Por, ta lidhësh atë me këto, pa pasur fakte, është “guilt by asociation” dhe kjo është e gabuar”, tha  mes tjerash Xhejms Rubin.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …