RKL

RKL: Von-Cramon thotë se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa kompromis me Serbinë dhe pa i bindur pesë shtetet e Evropës

Në vitin 1878, Kancelari gjerman, Otto Von Bizmark thoshte, nuk ka Shqipëri as shqiptarë, ka vetëm një shprehje gjeografike. Në mars të vitit 2021, apo 143 vjet më vonë gjermanja, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon lajmëron se nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, pa arritjen e një marrëveshjeje kompromisi me Serbinë, pa i bindur për këtë pesë shtetet e Evropës, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pa e bindur Francën dhe disa shtete skeptike ndaj Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht.

Në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, Kancelari gjerman, Otto von Bizmark thoshte, nuk ka Shqipëri as shqiptarë, ka vetëm një shprehje gjeografike. Në mars të vitit 2021, apo 143 vjet më vonë gjermanja, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon lajmëron se nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, të vetmit njerëz, të cilët Evropa, BE-ja i konsideron si qytetarët të rendit të dytë, si zezakët e Evropës, të cilët nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza në vendet e saj, sepse nuk i kanë plotësuar kushtet për të qenë evropianë të besueshëm, sikur janë të tjerët.

Zonja Viola, herë lavdëron Kosovën, madje edhe shfaqë hapur përkrahje e anime për parti të caktuara politike, herë fajëson Francën e Holandën për moslejim të vizave, herë kushtëzon liberalizimin me pajtimin e Kosovës me Serbinë, herë thjesht bën sehir, merr poza, dridhet e përdridhet politikisht e vetëdijshme se “skllevërit” e Evropës, botojnë çdo fjalë e çdo fotografi  e poza të saj, sikur rëndom bëjnë skllevërit kudo në botë. Andaj, kjo zonja e përdredhur vazhdimisht i ndërron deklaratat, i monton dhe i çmonton, njëherë i lavdëron “kosovarët” se i kanë plotësuar kushtet, pastaj i qorton dhe kërkon nga ata që vetë ta bindin Serbinë dhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin sa më parë.

Pastaj, pa menduar fare se çka ka thënë më parë deklaron se,  “Liberalizimi i vizave është në dorën e Këshillit: Janë vendet anëtare të BE-së ata që do të duhet të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë. Rruga përpara është të sigurohemi që Qeveria e Kosovës të përfshihet në një dialog me ato shtete anëtare, të cilat janë skeptike. Më e rëndësishmja, qeveria franceze duhet të bindet se Kosova është e gatshme për liberalizimin e vizave. Ata duhet të sigurohen që çdo gjë që Franca ose shtetet e tjera anëtare do të kërkojnë mund të adresohet nga autoritetet kosovare, nëse mund të përcaktojnë aspekte të caktuara pse hezitojnë deri më tani, Kosova duhet t’i përmirësojë këto aspekte”, thotë Von-Cramon në një përgjigje për KosovaPress.

Zonja Cramon flet, dërdëllis, pozon, reflekton, komenton,  por nuk thotë asgjë, vetëm përsërit galimatiasin e saj politik, ndërsa politikanët e fortë dhe të dobët në Kosovë, krejt çka dinë të përgjigjen janë fjalët aprovuese, Yes, okej, sepse nuk mund të bëjnë më shumë, nuk mund ta bindin Francën, Holandën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron xhuxhe, Serbinë, as Bosnje Hercegovinën që ka pranojnë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që qytetarët tanë të bëhen të barabartë me ata të vendeve të BE-së dhe Evropës përgjithësisht.

Zvarritja e liberalizimit të vizave, është një interes primar i politikanëve tanë për të qëndruar sa më gjatë  me premtime në pushtet, apo për ta marrë pushtetin nga njëri tjetri.

Liberalizimi nuk është preokupimi numër një i qytetarëve të Kosovës, por është problemi numër një i garës politike për ta marrë pushtetin.

Ai është preokupim i ikanakëve të vendit, i atyre që duan të bëhen të pasur brenda natës apo brenda muajit, sapo të shkojnë në Evropë.

Lëvizja pa viza nëpër Evropë është vrima e fundit e kavallit, kur analizojmë me logjikë e arsye se cilat janë problemet tona të pazgjidhura qysh prej kohës së Bizmarkut gjerman, e deri tani kur kanë kaluar 143 vite.

Realisht, diçka edhe është arritur.

Nga 120 mijë kilometra katrorë sa kishte Shqipëria e katër vilajeteve, në kohën e Perandorisë Osmane, tani kemi në Shqipëri sovrane, por të vetë nënshtruar ndaj BE-së, me 28 mijë km2, një Kosovë të njohur dhe të panjohur nga bota me pak më shumë se 1o mijë km2, duke marrë para sysh faktin se Veriun e vendit dhe serbët përgjithësisht i kontrollon Beogradi zyrtar.

Edhe pse krekosemi se kemi dy shtete në Ballkan, realisht nuk e kemi asnjë shtet të mirëfilltë, por kemi dy shtete të nënshtruara skajshëm ndaj mujsharëve të Evropës e të botës. Dhe në vend se të merren me problemet kapitale të kombit e atdheut, politikanët shqiptarë dhe të gjithë ata shqiptarë, që shpëtimin e tyre shohin në kapjen e pushtetit, me qëllim për t i realizuar synimet jetësore për t ‘ u pasuruar së bashku me klanet e përkrahësit e tyre, merren me përfitimet që sjellë pushteti, sa për kombin, kështu e kanë gjetur dhe kështu do ta lënë, sepse nuk janë të parët as të fundit që nuk kanë arritur të bëjnë më shumë…

 Këtyre u prishet  humori madje edhe mideja kur u përmendet  bashkimi i shqiptarëve në një shtet, madje edhe protestojnë, qesin shkelma, disa të tjerë që kanë ardhur në pushtet me këto premtime, tani thonë, do ta kishim bashkuar Kosovën me Shqipërinë, ashtu sikur kemi premtuar, por tash e kemi parë se këtë nuk e lejon Kushtetuta, edhe pse këtë kushtetutë dikur e kanë quajtur paçavure,  që duhet të ndërrohet sapo të vinë në pushtet, ndërsa Flamurin e Shtetit të Kosovës  e kanë quajtur një leckë pavlerë, por tani betohen para tij.

Andaj, zonja Cramon, kremos fjalimet e saj, ashtu  sikur dikur kur Zonja Lunaçek “ulërinte” me premtime e qortime, apo sikur bëjnë sot, Borelli, Lajçaku, Stano e sa e sa të tjerë.

Zvarritja e liberalizimit të vizave me kushtëzime qysh prej vitit 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë,  plotësimi i të gjitha kushteve të parapara, madje edhe ato që bien ndesh me moralin njerëzor e fetar, janë tregues se politikanët mujsharë të Evropës, Kosovën e duan nën Serbi, apo në Evropë së bashku me Serbinë.

Evropa pret dhe nuk i bëhet vonë, sepse ka shumë probleme të tjera të pazgjidhura dhe tani ka problemin shtesë të pandemisë, ndërsa “kosovarët” kërkojnë me çdo kusht vizat, “parajsën” e premtuar, kur do të ikin nga vendi, i larë me gjakun e dëshmorëve e martirëve të kombit, vendi të cilin disa e konsiderojnë, “Kopsht zoologjik”, nga ku duket të iket sa më parë, sepse vendi po keq qeveriset, sepse nuk paska perspektivë, sepse krejt politikanët, qeveritarët e zyrtarët qenkan të korruptuar.

Tani mbetet të shohim dhe të bindemi sesi do të qeverisin të zgjedhurit e Vetëvendosjes, për herë të parë në pushtet, duke përjashtuar ato 50 ditët aksidentale të vitit të kaluar, dhe të zgjedhurit e pjesës së fraksionit të LDK-së të Vjosa Osmanit. Pavarësisht si vetëquhen apo vetë emërohen partitë politike, në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë fituar shumicën të zgjedhurit nga votuesit e Vetëvendosjes dhe të LDK-së.

20. 3. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …