Justina Shiroka-Pula themelon Këshillin Presidencial për fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave, me synim avancimin e pozitës së grave në shoqëri, forcimin e pavarësisë së tyre ekonomike dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore. Sipas njoftimit të Presidencës, ky mekanizëm do të shërbejë si platformë për bashkërendimin e përpjekjeve institucionale dhe shoqërore në mbrojtjen e të drejtave, sigurisë dhe pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës. Themelimi i Këshillit përkon me fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila synon ndërgjegjësimin dhe mobilizimin kundër dhunës ndaj grave. Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se fuqizimi i grave nuk duhet të kufizohet vetëm në përfaqësimin formal dhe barazinë para ligjit, por duhet të garantojë drejtësi, dinjitet, siguri dhe mundësi të barabarta. Ajo ka kërkuar zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe diskriminimit, duke vënë në pah nevojën për reagim të koordinuar institucional, mbrojtje të viktimave dhe llogaridhënie. Në përbërjen e Këshillit pritet të përfshihen përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, profesioniste të pavarura, komuniteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Detyrë e këtij mekanizmi do të jetë identifikimi i mangësive dhe paraqitja e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e pozitës së grave, pa zëvendësuar përgjegjësitë e institucioneve ekzistuese.

Kontrolloni gjithashtu

Ermal Sadiku kritikon deputetët e VV-së për qëndrimin ndaj Bordit të ZRRE-së: I përzgjedhin dhe i votojnë vetë, pastaj i kritikojnë

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për …