Brickos

Kadri Ali Trena (7.12.1969 – 9.4.1999)

Kadri Ali Trena (7.12.1969 – 9.4.1999)

Kadri Trena u lind në Kaçanik, më 7 dhjetor 1969. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Pas shkollës së mesme merr rrugën për në Gjermani, ku punon dy vite dhe prapë kthehet, në Kaçanik. Kadriu rrjedh prej një familjeje me ide patriotike dhe e përkushtuar për atdheun. Kosova ishte e okupuar nga forcat serbe. Kadriu qysh i ri e ndjeu barrën e rëndë të robërisë, i cili shkaktoi dëme të mëdha në çdo sferë të jetës në Kosovë. Dalja në skenë e UÇK-së Kadriun e gëzoi shumë, prandaj edhe pse ishte i ri me moshë shprehu menjëherë dëshirën të angazhohej në radhët e saj.
Lufta u shtri në pjesën më të madhe të vendit, e cila përfshiu edhe komunën e Kaçanikut. Kadriu ishte një njeri, i cili nuk duronte padrejtësi, andaj ai i mirëpriti aksionet luftarake të ndërmarra nga UÇK-ja për të larguar pushtuesin serb nga Kosova. Kontaktet e para me UÇK-në i vendosi më 3 mars 1999, ku vullnetarisht iu bashkua radhëve të UÇK-së në Batalionin e Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ai kontaktonte rregullisht vëllezërit Çaka, të cilët edhe e sistemuan në radhët e UÇK-së.
Në Rakoc dhe ne Lagje të Re, ishin të vendosura njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në të cilën bënte pjesë edhe ushtari, Kadri Trena. Forcat serbe pas shumë planesh e përgatitjesh, më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK-së. Trupat pushtuese, pasi rrethuan qytetin e Kaçanikut, në orën 8 të mëngjesit filluan granatime në drejtim të Përroit të Rakocit dhe Lagjes së Re, duke përfshirë edhe pozicionet e UÇK-së. Granatimet u pasuan edhe me depërtimin e mjeteve motorike në përkrahje të këmbësorisë serbe. Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile qëndruan të fortë në mbrojtje të pozicioneve të tyre. Në këto luftime të ashpra në krye të detyrës ranë 28 luftëtarë lirie dhe 32 civilë. Pas luftimeve të rrepta, ballë për ballë me armikun, ra heroikisht edhe Kadri Trena, bashkë me të ranë edhe këta bashkëluftëtarë të tij: Avdurrahim Shehu, Nevzat Çallaku, Shefket Fera, Nexhmush Fera, Kjani Bela, Adem Rakoci, Daut Rakoci, Mukadeze Lika – Muhaxheri, Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka, Reshat Shehu, Ilir Zharku, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Nehat Çaka, Fadil Çaka e Nexhmush Elezi. Po në këtë betejë nga popullata civile ranë këta martirë: Xhemajl Brodi, Zijadin Frangu, Nebih Topojani, Xhili Rexha, Hamide Rexha, Nerzike Dogani, Mine Gashi, Tefik Nallbani, Menduh Nallbani, Maksut Nallbani, Nebih Livoreka, Osman Livoreka, Hamide Shehu, Gyli Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, Jonuz Bajra dhe Murat Raka. Forcat serbe i kishin varrosur në një varr masiv në Varrezat e Kaçanikut. Kadri Trena ka lënë pas vetes bashkëshorten Florije Trena dhe fëmijët: Aldiana Trena dhe Ali Trena.
Pas luftës u bë rivarrimi i tij dhe i bashkëluftëtarëve në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, me nderime ushtarake të organizuara nga komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Në njëvjetorin e rënies heroike të dëshmorit Kadri Trena në nderim dhe përkujtim të tij si dhe bashkëluftarëve, u zbulua pllaka përkujtimore në vendin Rakoc të komunës së Kaçanikut.
Dëshmori i kombit Kadri Trena ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohej para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës, i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e ZON-së, Komanda e Brigadës dhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së, si dhe strukturat komunale të Kaçanikut. (H. K. )

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …