Rifat Sokol Çelaj (5.5.1980 - 9.4.1999)

Rifat Sokol Çelaj (5.5.1980 – 9.4.1999)

Dalja publike e UÇK-së, fillimi i luftës çlirimtare dhe rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, ishin ngjarje më influencë të madhe në përjetimin moral e shpirtëror të çdo shqiptari. Kushtrimi dhe thirrja e atdheut e zgjoi zemrën e çdo atdhedashësi më mesazhin së është momenti që të ngitemi në këmbë dhe t’i rrokim armët për t’i dalë zot kësaj toke arbërore. Një ndjesi e tillë e kaploi edhe të riun drenicas, Rifat Çelajn i cili në moshën 18 vjeçare i bashkohet trimave çlirimtarë.
Prindërit Sokol dhe Sabrie Çelaj nga Leçina e Drenicës lindën dhe rritën nëntë fëmijë: Hajrizin, Xhemilen, Azizin, Rifatin, Florinë, Nexhatin, Feratin, Esatin dhe Aferditën. Në pranverën e vitit 1998 Rifati sapo ishte radhitur në UÇK në njësitin e fshatit Leçinë, ku kryente detyra operative sikurse çdo bashkëluftëtar tjetër. Ai do të shfaqte në vazhdimësi motiv dhe përkushtim prej një luftëtari guximtar dhe i dëshmuar në shumë beteja e aksione të Brigadës 112 “Arben Haliti”.
Në fillim të vitit 1999, përmes rrugëve ilegale më plotë mundime e vështirësi shkon në Gjermani për të punuar, por as atje nuk gjënë rehati dhe menjëherë kthehet në Shqipëri sepse gjaku i tij liridashës e nxiste atë për të shkuar në fronte të luftës, në Kosovë. Ai kishte filluar më seriozitetin dhe devotshmërinë më të madhe stërvitjet për luftë speciale dhe për të sjell pushkë e barot në Drenicë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai merr pjesë në stërvitjet intensive ushtarake në Papaj, Babinë, Kolsh e në Tropojë dhe i realizon kontaktet më oficerët dhe prijatarët e mëvonshëm të aksionit për thyerjen e kufirit që i ndante shqiptarët. Performanca dhe përkushtimi i tij bënë që ai të profilizohet për Njësinë Speciale – ushtar fronti për luftime të ashpra. Shokët e tij të pandashëm kanë qenë Bashkim Jasiqi, Abush Lokaj, Ramiz Krasniqi, Naim Gaqi dhe Naim Maloku.
Më dhënien e urdhrit për thyerjen e kufirit Rifat Çelaj ishte në vijën e parë të frontit për të ra dëshmorë ndër të parët në këtë betejë. Ai ra më 9 prill 1999 në vendin e quajtur “Shkozë”, në Koshare, tek Vrojtoret kufitare.
Gjaku i tij u derdh në kufirin që ndante panatyrshëm shqipet por gjaku i tij u bë ngjyrë e flamurit kombëtar, gjaku i Rifatit dhe shokëve të tij është gur themeli i lirisë së Kosovës dhe simbol i thyerjes së kufirit të mallkuar, që ndau atdheun për gati një shekull.
Trupi i tij është varrosur më 10 prill në Tropojë më nderime ushtarake. Ndërsa më 23 gusht të vitit 1999 trupi i dëshmorit Rifat Çelaj është rivarrosur në Kompleksin Memorial në Koshare, ku pushojnë të gjithë dëshmorët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së.
Ai ishte pinjoll dhe nip Halit Çelajt nga Leçina, bashkëluftëtar i Azem Galicës po ashtu ishte nip i Milazim Sahitit nga Kopiliqi i Ultë, luftëtar i Shaban Polluzhës. Rifati ka qenë i qetë, i shoqërueshëm dhe i vendosur. Por për kujtim familja e ruan armën, më të cilën Rifati ka rënë në altarin e lirisë duke luftuar që t’ia sillte lirinë e Kosovës. Një nip i lindur në liri më shumë krenari e mbanë emrin e xhaxhait të tij dëshmor. Një rrugë në fshatin Leçinë e mbanë emrin, Rifat Çelaj.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Në 20 vjetorin e rënies atij i është akorduar urdhri presidencial Hero i Kosovës nga kryetari i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Ndërsa në 21 vjetorin e rivarrimit të tij në qendër të fshatit Leçinë i është ngritur lapidari. (L. D. )

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …