Imer Fazli Vila (7.4.1958 – 9.4.1999)

Imer Fazli Vila (7.4.1958 – 9.4.1999)

Imer Vila u lind më 7 prill 1958 në fshatin Paldenicë të komunës së Kaçanikut. U lind në lagjen e Demzenëve të këtij fshati, por tri vite pas lindjes së tij, familja e tij shpërngulet në Shkup dhe jetojnë deri në vitin 1963. Në të njëjtin vit nga Shkupi, përsëri shpërngulen në Han të Elezit dhe jetojnë për 18 vite me radhë në një shtëpi afër hyrjes kryesore të fabrikës së çimentos.
Në vitin 1975 përsëri kalojnë në një truall të ri në lagjen te “Uji i Thartë” në Han të Elezit, ku edhe sot e kësaj dite jetojnë familjarët e tij. Babai Fazliu dhe nëna Miradije patën 5 fëmijë: Arifin, Rexhepin, Hanifen, Imerin dhe Kadiren. Imeri ishte fëmija i katërt i familjes, Vila.
Shkollën fillore e kreu në Han të Elezit, ndërsa të mesmen, drejtimi teknik në Kaçanik, por gjatë jetës së tij nuk arriti të punësohej asnjëherë. Duke pasur për bazë fizikun dhe talentin për sportin, sidomos atë të futbollit, dëshmori Imer Vila jep kontributin e tij pranë Klubit futbollistik “Sharri” në Han të Elezit. Dëshmori, rrjedh nga një familje e varfër, por me tradita të bujarisë shqiptare dhe dëshira e tij kryesore ishte që populli shqiptarë të jetojë i lirë në trojet e veta. Në rrjedh të këtyre bindjeve mori pjesë pothuajse në të gjitha protestat popullore kundër dhunës serbe, të cilat gjatë vitit 1998 organizoheshin në Han të Elezit dhe në Kaçanik.
Me keqësimin e situatës në Han të Elezit dhe koncentrimit të madh të forcave serbe përgjatë vijës kufitare dhe gjatë aksit rrugor në drejtim të Grykës Kaçanikut, bënë që Imer Vila bashkë me familjen e tij të ngushtë të lëshojë shtëpinë në lagjen e Ujit të Thartë të Hanit të Elezit dhe të vendoset, në Kaçanik të Vjetër, ku atje edhe kishte miqtë e tij.
Ai vendoset te Milazim e Bejtullah Krasniqi, të cilët që herët ishin të rreshtuar në radhët e UÇK-së, pranë Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Gjatë kësaj kohe Imeri jep një angazhim të veçantë në ndihmë popullatës civile, ku në këtë fshat kishin ardhur nga anët e ndryshme e në anën tjetër përqëndrimi i forcave policore ushtarake serbe në fshatrat përreth si dhe aktet gjenocidale të “Dorës së zezë” serbe, e cila në këtë fshat kishte edhe një nga bazat e saja, bën që Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në Kaçanik të Vjetër të vendosë Kompaninë e Parë të Batalionit të Dytë me të vetmin qëllim, mbrojtjen e popullatës civile. Në këto zhvillime dramatike luftëtari, Imer Vila i bashkohet radhëve të UÇK-së, ku edhe merr detyra konkrete pranë Skuadrës së Parë, të cilës i printe eprori Naim Topojani.
Gjatë kësaj faze Imer Vila bashkëpunon me ushtarët: Milazim Krasniqi, Bejtullah Krasniqi, Besim Ilazin, Kemal Krasniqi, Driton Krasniqi, Qazim Topojanin e të tjerë. Çdo detyrë që merrte nga eprorët e tij i kryente me përgjegjësi të lartë. Gjatë kësaj kohe skuadrat mbrojtëse të kësaj kompanie në mbrojtjen e popullatës civile kanë funksionuar 24 orë, ku edhe kanë ekzistuar pika statike. Batalioni i Tretë ishte i vendosur në Kotlinë, në Puset e Nikës dhe në Gjurgjedell.
Në këto rrjedha, dëshmori Imer Vila shpreh dëshirën dhe gatishmërinë që të kalojë në pikën luftarake, në Gjurgjedell, pasi që terrenin e fushëbetejave të këtyre anëve e njihte më mirë. Ai nga Kaçaniku i Vjetër me detyrë ushtarake niset në drejtim të Gjurgjedellit dhe derisa kalonte malet e Drenushës, papritmas has në një njësi policore-ushtarake serbe dhe pas një rezistence të fuqishme, bie në krye të detyrës, më 9 prill 1999, në moshën 41 – vjeçare.
Se në çfarë shkalle forcat serbe kishin rrethuar forcat e UÇK-së përkatësisht pjesën jugore të Kaçanikut atë ditë, ku ra Imer Vila, më së miri flet komunikata zyrtare nga Komandanti i Brigadës 162 “Agim Bajrami” për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, ndërsa shërbimi për informim i Zonës Operative të Nerodimes rreth luftimeve të këtyre ditëve në Kaçanik me rrethinë njofton se sukseset e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes janë të pareshtura.
Vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit armikut iu shkaktuan humbje të mëdha në Kaçanik. Me përfundimin e luftës dhe me kthimin e familjes së Imerit në Han të Elezit, kuptohet me saktësi rënia e dëshmorit dhe me ndihmën e ushtarëve të Komandës 162 “Agim Bjarami” të UÇK-së, në qafë të Drenushës e gjejnë trupin e pajetë të dëshmorit Imer Vila, sipas dëshmisë së vëllait të tij Arifit, Imeri përpos vrasjes ka qenë edhe i masakruar, nuk i ka pasur dy krahët e tij, ndërsa Rexhep Teneqes i’u kishte prerë koka, ndërsa trupat e tyre kanë pasur edhe shenja të djegies. Trupin e pajetë të dëshmorit Imer Vila e varrosin në vendin e vrasjes, pra në Qafë të Drenushës më 22 qershor 1999 e më pas me kërkesën familjare dhe Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, bëhet zhvarrimi i tij dhe rivarroset me nderime ushtarake, më 29 gusht 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës. Imer Vila pas vetes ka lënë: bashkëshorten Fikrijen me fëmijët: Nurhanin, Burhanin, Sametin dhe Severgjanin, ndërsa në shenjë nderimi për kontributin kombëtar, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, Zona e 6-të e TMK-së, Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Batalioni 36 i xhenios i TMK-së i kanë dhënë Mirënjohje familjes së tij . (H. K. )

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …