leoni

Sylejman Xheladin Bytyçi (7.2.1973 - 29.4.1999)

Sylejman Xheladin Bytyçi (7.2.1973 – 29.4.1999)

Luftës heroike të UÇK-së, Arllati i Drenicës i ka dhënë dëshmorët: Sylejman Bytyçi, Mehdi Bytyçi, Abedin Bujupi dhe Sami Gashi. Gjatë luftës forcat ushtarake dhe policore serbe kanë martirizuar 14 banorë të këtij fshati.

Sylejmani mësimet fillestare i mori në vendlindje, ndërkohë shkollën tetëvjeçare e mbaroi në fshatin fqinj, Tërpezë. Mësimet e shkollës së mesme i fillon në Drenas, por për shkak të gjendjes së rëndë sociale, ndërpren shkollimin dhe fillon të punojë me qëllim për të ndihmuar në ngritjen e familjes.

Babai Xheladini dhe nënë Hanifja, me mund e vështirësi rritën bijtë Sylejmanin, Nuhiun, Musliun dhe bijat: Minën Mihanen e Biden. Sylejmani merrej me punë bujqësie e ndërtimtarie. Duke qenë se babai, Xheladini kishte falur një arë në vendin ku ishte ndërtuar shkolla e fshatit, drejtoria e shkollës, Sylejman Bytyçit ia ofron punën e personit teknik, ku ka punuar disa vjet. Me rastin e daljes publike të UÇK-së, ai fillon të interesohet për të vënë kontakt me çlirimtarët. Asokohe kontakton me bashkëvendësin dhe shokun e tij, Mehdi Bytyçi i cili bënte pjesë në radhët e UÇK-së së kësaj ane.

Në qershor të vitit 1998, Sylejman Bytyçi pranohet në radhët e luftëtarëve të lirisë, të cilët tashmë kishin zënë Grykën e Llapushnikut dhe po i konsolidonin radhët për të luftuar kundër forcave okupatore serbe.

Me qëllim për të përforcuar radhët dhe për të sjellë armë e municion, Syla së bashku me Bujar Bytyçin e të tjerë shkon në Shqipëri, nga ku pas një kohe kthehet në Arllat dhe vendoset në pikën luftarake të këtij fshati, e cila ndodhej në një pikë strategjike nga ku vëzhgoheshin e shpeshherë do të sulmoheshin forcat okupatore serbe.

Me rastin e fillimit të stërvitjeve për themelimin e njësiteve speciale të Shtabit të Përgjithshëm, nën komandën e oficerit nga Shqipëria, Tahir Sinani, Sylejman Bytyçi pranohet në këto radhë dhe me sukses kryen të gjitha stërvitjet.

Një kohë ka qenë pjesëtar edhe në njësitin “Arbri” të cilin e drejtonte, Refki Mazreku, vëlla i dëshmorit, Ibrahim Mazreku.

Në vjeshtën e vonë të vitit 1998 ai do t’u bashkohet radhëve të luftëtarëve, që cilët i komandonte bashkëluftëtari i tij, Mehdi Bytyçi. Ka marrë pjesë në shumë luftime dhe sulme që iu bënë forcave okupatore serbe, të cilat ishin pozicionuar në disa pika strategjike në Llapushnik, te varrezat e lagjes Bujupi në Arllatit dhe në pika të tjera afër magjistrales Komaran – Pejë.

Sylejman Bytyçi ka qenë luftëtar i përkushtuar dhe i stërvitur mirë.

Në fillim të prillit të vitit 1999, forcat serbe po përgatiteshin të ndërmerrnin një fushatë të përgjithshme ushtarake kundër të gjitha bazave të UÇK-së. Më 15 prill ata iu kishin afruar pozicioneve të pikës te Lagja Bytyqi, e cila së bashku me pikën e Tërpezës ishin dy bedene të pamposhtura për të mos lejuar forcat serbe të depërtonin në Rrafshnaltë, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm, Pallati Qeverisë së Përkohshme, Radio-Kosova e lirë, agjencia Kosovapres. Kreu ushtarak serb ishte betuar se do të depërtonte në malet e Berishës dhe do ta thyente rezistencën e luftëtarëve shqiptarë.

Më 16 prill herët në mëngjes forcat serbe kishin filluar sulmin me granata e raketa kundër banorëve të kësaj lagjeje. Nën breshërinë e armëve popullata civile arrin të depërtojë në malet e Berishës, ndërsa luftëtarët e përkushtuar të lirisë si Sylejman Bytyçi, Mehdi Bytyçi, Mentor Morina, Sami Gashi, Arben Gashi e të tjerë, vazhduan rezistencën përballë armikut. Serbët kishin depërtuar deri te shtëpitë e [ollëve dhe te shtëpia e Qerim Osman Bytyqit. Përleshja ishte zhvilluar në distancë tejet të afërt, nga shtëpia në shtëpi, nga rruga në rrugë.

Luftëtarët e lirisë qëndruan të patundur. Në një përpjekje kundër forcave serbe, Sylejman Bytyçi plagoset rëndë. Në ndihmë i shkojnë bashkëluftëtarët Sami dhe Arben Gashi, pastaj Halit Bytyçi, Mentor Morina e të tjerë. Ndërkohë te shtëpia e Qerim Osman Bytyçit kishte rënë dëshmori Mehdi Bytyçi.

Sylejmanin të plagosur, bashkëluftëtarët e dërgojnë në Spitalin ushtarak, në Divjakë, ku ndihmën e parë mjekësore ia japin mjekët: Fadil Beka, Abdullah Gruda e të tjerë. Fillimisht gjendja shëndetësore iu kishte përmirësuar, mirëpo mungonte trajtimi adekuat në kushte dhe rrethana kur Rrafshnalta ndodhej e rrethuar me forca ushtarake serbe nga të gjitha anët.

Më 29 prill, Sylejman Bytyçi thith për herë të fundin ajrin e Drenicës heroike, e bërë shkrumb nga luftimet. Më 30 prill bashkëluftëtarët e varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Kleçkë.

Sylejmani ka lënë djalin, Bledarin, i cili po rritet tok me bijtë dhe bijat e dëshmorëve në Kosovën e çliruar nga barbaria serbe.

Në shenjë kujtimi dhe mos-harrimi bashkëluftëtarët e bashkëfshatarët emrat e dëshmorëve Sylejman Bytyçi dhe Mehdi Bytyçi i kanë përjetësuar në Pllakën përkujtimore te lagjja Bytyçi, në magjistralen Komaran – Kijevë. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Drejtoria e Radios-Kosova e lirë dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …