Kadri Rexha

Kadri Rexha: Pushka e dy brezave

Kishin kaluar tri ditë të zymta nga rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz në luftë me Serbinë dhe Brahim M. Berisha nuk po gjente qetësi as në vetminë e odës, as në mesin e njerëzve e as në bredhjet e pacak rrugicave të Prapaqanit. Pas gjithë asaj mërzie që nuk i shihej fundi, atë buzëmbrëmje, pa u vërejtur nga askush, ai mori shkallën dhe u ngjit në tavanin e shtëpisë. Ngadalë dhe i vendosur shkoi në vendin e tij të shenjtë. Me kujdes, ashtu siç e hapë nusja kapakun e kutisë me xhevahire, e tërhoqi dërrasën që e mbulonte trarin e zhlebuar dhe nga aty e nxjerri pushkën e mbështjellë më pëlhurë. Me pushkë në dorë zbriti nga tavani dhe hyri në odë. Maxhuni ende po shikonte një emisionin televiziv mbi ngjarjet rrëqethëse të Prekazit. Plaku me pushkë në dorë, në heshtje, u ulë pranë stufës dhe me durim priti deri sa emisioni mbaroi dhe i biri u ngrit i mllefosur duke i shtrënguar grushtet. Ashtu i kreshpëruar, ai u kthye nga i ati dhe, kur e pa pushkën në prehër të tij, u dridh nga befasia e mirë. Siç ngjanë rrallë në jetë, sytë e të atit dhe të birit u panë gjatë dhe shkëlqyen si kurrë njëherë. “Mos u lig, bir, se nuk jemi duar thatë, e as jemi vetëm, tha Plaku. Qe pushka. Për këtë pushkë kam vuejt shumë dhe vetëm shpirti im e di sa kam hjekë. Këtë pushkë e kam ruejt për ditë më të vështira. Dhe ato ditë kanë ardhë. Shkau asht i pabesë dhe ne na duhet me u mbrojt. Armiku na u ka rrasë te dera. Vendit tonë po i vjen era barot. Kosovës po i vjen era luftë. Dhe, lufta i ka hesapet e veta.

 E mbaj mend kur i ka ra Italia Shqipnisë dhe Gjermania Jugosllavisë, ata që e deshën lirinë e atdheut shpejt u gjetën me njani-tjetrin dhe iu bashkuen luftës. Lufta i bjen edhe armët. Po, për fillim, kjo pushkë të ban punë sa të duash. E di, dasmë pa mish e luftë pa gjak nuk bahet. Shpejt ka me dalë ushtria si prej dheut e ka me i mbledhë djemtë e ri në front. Unë jam babë, në dorë të zotit, po i lumi ai që vrahet tue e mbrojtë atdheun e popullin, e mjerë ai që vrahet tue ikë ose tue i shërbye armikut”. Maxhuni e mori pushkën me dashuri dhe përmallim. E kishte mbajtur pushkën për një vjet në ushtri të armikut, por pushka që tash po e mbante në dorë ishte një tjetër pushkë. Pushkë e lirisë. Pushkë që e kishte mbrojtur kufirin e atdheut dhe popullatën e pa armatosur në Plavë, në Guci, në Rozhajë, në Pazar e deri në Sanxhak. Kjo pushkë për të kish një simbolikë të madhe sepse, nga ai çast, nga duart e brezit të vjetër, ajo po kalonte në duart e brezit të ri. Kjo pushkë po i lidhte dy breza. Dy breza dhe një rrugë. Babë e bir dhe një ideal…

Nuk shkuan as dy javë, Gllogjani e shkroi me gjak epopenë e re. Lufta po depërtonte me shpejtësi në Dukagjin dhe në mbarë trevat e robëruara të Kosovës. Në prag të luftës, Brahim M. Berisha me pushkë në dorë, duke shti në ajër pesë herë me radhë, mu në zemër të Prapaqanit, e lëshoi kushtrimin me këto fjalë: “Le ta dinë krejt gjenerata e re, po edhe të vjetrit, nuk e lëshojmë vendin tonë kurrë, sa të jemi gjallë”.

Ato ditë, pa u hamend për asnjë çast, në radhët e para të luftëtarëve të lirisë, në krye të Shtabit Lokal të UÇK-së së Prapaqanit, me idealin e çlirimit e të bashkimit të trojeve shqiptare dhe me besimin e sigurt në fitore, prinë sypatrembur, luftëtari i lirisë, biri i popullit, trimi Maxhun  Berisha.

 

(Pjesë nga libri “PUSHKA E DY BREZAVE” – monografi për dëshmorin, Maxhun Berisha, Shkrola, Prishtinë, 2019, i cili këto ditë del nga shtypi)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …