Kadri Rexha: RADIO KOSOVA E LIRË, ZËDHËNËSE BESNIKE E LUFTËS HEROIKE TË UÇK-së DHE ASPIRATAVE PËR BASHKIM KOMBËTAR

 

„Radio Kosova e Lirë“ arriti në përvjetorin e dhjetë të lindjes.
Për historinë dhjetë vjet janë një çast në kohë. Për ngjarjet dhe rezultatet me peshë historike dhjetë vjet mund t’i tejkalojnë përmasat e shekullit…
Për një institucion informativ, politik, shoqëror dhe kulturor siç është „Radio Kosova e Lirë“ dhjetë vjet ekzistencë janë kohë e mjaftueshme për të bërë një rezyme, një përfundim përmbledhës e vlerësues mbi rrugën e tij të veprimtarisë, mbi gjendjen e tij aktuale si dhe mbi planet që atë e presin t’i realizojë në të ardhmen…

1.
Rrëfimi për lindjen dhe rritën e institucionit “Radio Kosova e Lirë” mund të fillojë edhe si tregim legjende, por edhe si dëshmi reale konkrete historike. Të këtillë e bënë rrethanat e vështira të lindjes. Të këtillë e bëri roli historik i misionit që e luajti dhe po e luan ajo në kohën tonë të madhe… U lind në flakët e luftës, lëshoi shtat nën gjëmimin e armëve të luftëtarëve të lirisë, u rrit në betejat e reja për jetësimin e pavarësisë së shqiptarëve të robëruar me synim të qartë bashkimin legjitim të tyre në një shtet të vetëm kombëtar. „Radio Kosova e Lirë“ veprimtarinë e saj fisnike e filloi dhe po e vazhdon në rrethana të rënda dhe të jashtëzakonshme për popullin shqiptar. Veprimtaria e shenjtë e saj dje ballafaqohej me dhunën shfarosëse të armatës serbe, njërës nga armatat më të sofistikuara të mbarë botës, ndërsa sot ajo ballafaqohet me megapolitikën dhe dredhitë më monstruoze të OKB-së e cila, duke e privuar nga e drejta themelore e popujve për vetëvendosje, popullin shqiptar po e dënon me ndarje të reja, me ndërrim identiteti, me çkombëtarizim dhe me zgjedhë të re koloniale.

2.
Institucioni „Radio Kosova e Lirë“, bashkë me luftën e armatosur të UÇK-së, lindi si imperativ i kohës. Lindi si zë dhe si veprim konkret i domosdoshëm në shërbim të realizimit të aspiratave shekullore për bashkimin e Kombit Shqiptar… Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po e kërkonte lirinë… Kishte më se një shekull që Kosova e robëruar po përpiqej të shpërthente me zërin e lirë të saj. Idetë, përpjekjet dhe veprimet konkrete, për arsye të ndryshme, dështonin që në nismë. Vetëm lufta e armatosur e UÇK-së kundër pushtuesit serb, në këtë drejtim, krijoi realitet të ri. Vetëm vendosmëria e paepur dhe e qartë e luftëtarëve të lirisë ëndrrën e brezave për një radio të lirë të Kosovës e bënë realitet. Vetëm 4 janari i vitit 1999 arriti ta jetësojë ëndrrën e madhe, zërin e lirisë, zërin e popullit…
Institucionin „Radio Kosova e Lirë“ e krijuan, e udhëhoqën dhe e mbajtën gjallë bijtë dhe bijat më të mirë të popullit. Ata ishin të vetëdijshëm se krahas frontit të luftës së armatosur për liri, ishte më se i domosdoshëm edhe krijimi i frontit tjetër të rëndësishëm, krijimi i zërit të luftës. Veprimeve në sheshin e betejës, vendimeve në shtabet ushtarake vendore dhe armike, qëndrimeve zyrtare të qendrave vendim marrëse botërore duhej përgjigjur flakë për flakë… „Radio Kosova e Lirë“ nuk veproi nga distanca vend dhe kohë, por nga mjedisi i ngjarjeve, nga epiqendra e luftës. E rrahur nga breshëritë e plumbave, e bombarduar nga aeroplanët e armikut, e mbuluar nga tymi i barotit ajo u përgjigjej në të njëjtën kohë ngjarjeve të zhvilluara në terren. Stafi i radios aq sa për mjet pune kishte lapsin dhe fjalën, po aq e shtrëngonte pushkën besnike. Veprimtaria luftarake e „Radio Kosovës së Lirë“ aq sa mbante aromën dhe ngjyrën e gjakut po aq mbillte flladin e lirisë dhe farën e fitores…
Me veprimtarinë e saj të vështirë dhe fisnike, si bashkëpjesëmarrëse e proceseve politike dhe ushtarake në Kosovë, „Radio Kosova e Lirë“ propagandoi luftën çlirimtare, aksionet dhe zhvillimet frontale të UÇK-së, kontribuoi në informimin e drejtë të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar mbi zhvillimet në frontin e luftës çlirimtare, komentoi të gjitha ngjarjet e rëndësishme luftarake dhe politike që u zhvilluan në Kosovë si dhe vendimet që merreshin për Kosovën. Nëpërmjet lajmeve, vështrimeve dhe komenteve, „Radio Kosova e Lirë“, si zëdhënëse besnike e UÇK-së, nga sheshi i betejave transmetonte veprimet luftarake të ushtarëve që luftonin për lirinë Kosovës, kërkonte bashkimin e popullit rreth luftës çlirimtare, demaskonte veprimtarinë përçarëse dhe antikombëtare të partive politike pacifiste të kohës, shfaqte bindjen e fitores së sigurt të luftës së drejtë të UÇK-së si dhe bindjen e thellë për humbjen e pashmangshme të makinerisë ushtarake pushtuese të Serbisë.
Armikun serb aq sa e tmerronte pushka liridashëse e UÇK-së, po aq e tmerronte zëri kushtrimtar i „Radio Kosova e Lirë“, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të idealeve të ushtrisë së Komandantit legjendar Adem Jashari, zëdhënëses së drejtpërdrejtë të aspiratave shekullore të Kombit Shqiptar. Sepse në pushkët e luftëtarëve të lirisë dhe në zërin e „Radio Kosovës së Lirë“ Serbia shihte disfatën e saj të plotë, shihte fundin e saj kolonialist në tokat shqiptare. Kosova tashmë kishte një ushtri, një emblemë, një radio, një agjenci lajmesh dhe një komandë supreme ushtarake. Dhe të gjitha këto frymonin dhe vepronin të lidhura kurorë nën betimin kuptimplotë: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!”
Prandaj, armata serbe aq sa kishte cak sulmi radhët e luftëtarëve të UÇK-së, po aq kishte në shënjestër “Radio Kosovën e Lirë”, në mbrojtje të së cilës ranë dëshmoret e fjalës së lirë, dëshmorët e lirisë…
Vështrimet, komentet dhe analizat e „Radio Kosovës së Lirë“ mbi zhvillimet e ngjarjeve në fushat e luftës, ato mbi veprimet e diplomacisë evroatlantike dhe asaj botërore kishin për bazë vërtetësinë, drejtësinë dhe objektivitetin, ndërsa në bërthamën e tyre ato mbronin kërkesat legjitime për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve si dhe logjikën e progresit të përgjithshëm historik të së nesërmes.

3.
Përfundimi i luftës së armatosur më 21 qershor 1999 dhe fitorja e UÇK-së dhe aleatit të saj, NATO, mbi makinerinë ushtarake të Serbisë, „Radio Kosovën e Lirë“, këtë Feniks të rilindur nga hiri i Kosovës së shkrumbuar, e gjeti në malet e Berishës. Pas transmetimit të lajmit të pritur mbi një shekull për fitoren e lirisë dhe për tërheqjen me turp të armikut nga Kosova, „Radio Kosova e Lirë“, së bashku me lirinë në dorë, zbriti nga mali dhe u vendos në Prishtinë. Puna dhe veprimtaria radiofonike, tashti në rrethana të reja, duhej vazhduar më me ngulm. Entuziazmi ishte i madh. Kosova, pas robërisë njëqindvjeçare serbe, me të drejt priste të kthehej në elementin e saj. Vonesat e mëdha historike duhej të ziheshin. Mungesat e mëdha historike duhej të kompensoheshin… Koha me të gjithë forcën e saj po trokiste në dyert e të gjitha trevave shqiptare… Populli, i dëbuar nga pushka dhe zjarri serb, po kthehej në trojet e djegura rrafsh me tokë. Tymi mbretëronte ende në qiell. Zjarri po i merrte kulmet e fundit të shtëpive gërmadha. Pirgje dheu të ri avullonin mbi varrezat e sapombyllura. Me ankth dhe dhimbje në shpirt po hapeshin varrezat masive. Me qindra shqiptarë ishin djegur nëpër furrëlartat e Serbisë. Qindra të zënë rob dergjeshin në burgjet serbe dhe populli po i qante për së gjalli. Mijëra të tjerë armiku i kish zhdukur pa shenjë e pa nishan… Populli edhe pse me plagë të rënda në shtat e në zemër po e mbante drejtpeshimin. Tashti, kur makineria vrastare e armikut kishte thyer qafen dhe po mbyllej në strofullën e lugetërve, për popullin shqiptar liria rrezatonte shpresa të reja… Por shpresat, si gjithmonë në trojet tona, edhe ato ditë po i mbulonte mjegulla, paqartësia, pasiguria…
Liria e fituar me gjak, në vend se të hapë shtigje për rrjedhën normale të përparimit të forcave progresive drejt procesit të pavarësisë së trojeve të çliruara dhe bashkimit të tyre në një shtet kombëtar, me ndërmjetësimin dhe inkurajimin e ndërkombëtarëve, u bë arenë e tmerrshme e ambicieve, e pasioneve dhe e interesave personale të profiterëve të luftës, të zyrtarëve shqipfolës të aparatit udhëheqës të regjimeve të mëparshme serbe, të zyrtarëve dhe udhëheqësve të partive politike të themeluara në kohë robërie dhe të atyre të themeluara në kohë lirie. Në këtë atmosferë marramendëse liria e fituar me grykën e pushkës u shfrytëzua për gjallimin dhe lulëzimin ideve dhe idealeve nga më të ndryshmet. Në këtë rrëmujë prapaskenash të mbyllura dhe ndërskëmbëcash të hapura përjashtim bënte vetëm ideali për të cilin kishte filluar lufta, ideali për të cilin ishin flijuar breza të tërë shqiptarësh, ideal ky që u tjetërsua dhe shkoi drejt zvetënimit, degjenerimit dhe tradhtisë së gjakut të dëshmorëve të atdheut…
Nën presionin e ndërkombëtarëve, në bazë të Rezolutës 1244, me ritëm të shpejtuar, Kosova mori orientim tjetër… Atë që Serbia për një shekull nuk arriti ta bënte me zjarr e me hekur, tashti po e realizonte me ndihmën e UNMIK-ut dhe vasalëve shqipfolës. Së pari Kosovës iu mohua lufta çlirimtare, u heshtën krimet, planet, dhe lufta serbe e „tokës së djegur“ për shfarosjen e shqiptarëve, u demilitarizua UÇK-ja, u vranë dhe u burgosën thuaja të gjithë komandantët e luftës çlirimtare, mbi një milion mërgimtarëve shqiptarë të ikur nga dhuna iu pamundësua riatdhesimi, u nda veriu i Kosovës, artificialisht u krijuan enklavat serbe. U krijuan zona mbrojtëse rreth kishave ortodokse… Kosovës nga brenda po i hynte kanceri, gangrena…
Në këtë klimë, së bashku me korin e lidershipit politik, shtypi, radiot dhe televizionet e krijuara nga fonde burimesh të ndryshme filluan ta krijojnë iluzionin e përgjithshëm të realizimit të ëndrrës dhe të aspiratës shqiptare. Përkundër realitetit të hidhur të ndarjes së kombit në pesë shtete, mediumet shqiptare, me vetëdije të plotë, propaganduan „multietnicitetin“ e Kosovës, ndryshimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, luftën mbi gjuhën standarde shqipe si dhe ndryshimin e Flamurit dhe të simboleve kombëtare. Emërues i përbashkët i mediumeve radiotelevizive u bënë emisionet analitike për shpërlarjen e trurit të shqiptarëve, u bë përçarja kombëtare, krahinarizmi, bajraktarizmi, shundi, shfrenimi, humori banal, dalldia, ritmi mikst cigan-grek-serb-turk i përmbledhur në tekstin dhe në melodinë e këngës tallava…
E vetëdijshme për situatën e rëndë aktuale kombëtare si dhe për kërcënimet e vazhdueshme antishqiptare që po shfaqeshin në horizont „Radio Kosova e Lirë“ shtrëngoi radhët dhe u mobilizua për beteja të reja. Përkundër presioneve shumëdrejtimshe, përkundër kërcënimeve nga individë „të moderuar“ antikombëtarë, atdhemohues, të paidentitet dhe amoral, e sulmuar nga qarqe titiste-rankoviçiste, e etiketuar për „radikalizëm“, për „primitivizëm“ dhe për „patriotizëm vulgar“, „Radio Kosova e Lirë“, si promethe bashkëkohor, qëndroi në istikamet e nderit dhe me stoicizëm të pashoq e ruajti kursin e pandryshuar kombëtar dhe frymën militante të programeve të saj. Përmbajtja e programit të „Radio Kosovës së Lirë“, në radhë të parë, për bazë mbajti kursin e vlerave të dëshmuara kombëtare dhe atyre të përbotshme, vlerat e vërteta të krijuara me shekuj gjatë historisë së popullit shqiptar dhe të njerëzimit mbarë.
Konkretisht në institucionin „Radio Kosova e Lirë“ vlerat e mirëfillta njerëzore u shpalosen nëpërmjet emisioneve të veçanta ku trajtohen tema nga lëmi i diturisë së përgjithshme, arsimit, pedagogjisë, moralit, arteve, shkencës, filozofisë e deri tek temat e përditshmërisë politike, ekonomike dhe kulturore të realizuara përmes lajmit, analizës dhe komentit.
Në vlugun e stinës se fushatës së madhe të medieve për shpërlarjen e trurit shqiptar, me qëndrimin e vet të paepur, mediumi informativ dhe kulturor „Radio Kosova e Lirë“ ndryshe mund të quhet institut i mbamendjes, i antiharresës, i ruajtjes, i mbrojtjes dhe i propagandimit të kulturës kombëtare shqiptare. Në favor të këtij pohimi flasin emisionet dhjetëvjeçare të „Radio Kosovës së Lirë“ kushtuar historisë kombëtare, heroizmit të popullit tonë ndër shekuj, figurave të shquara kombëtare, dëshmorëve të atdheut, letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore, muzikës së traditës dhe asaj bashkëkohore, traditave, zakoneve dhe kulturës shpirtërore e materiale përparimtare kombëtare… emisione të mbrujtura me përmbajtje të shëndoshë e të pastër, me frymë të gjerë popullore e liridashëse, me të cilat prekë thellë në zemrat e shqiptarëve, frymëzon dhe mobilizon masat për vepra të mëdha.
Për „Radio Kosovën e Lirë“ të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet shqiptare kanë vetëm një emër, emrin: SHQIPTAR dhe SHQIPËRI. „Radio Kosova e Lirë“ ka vetëm një kambanë… kambanë, në dukje të vogël, por me zë të fortë dhe porosi të madhe, që, si frymë dhe si vetëdije, përshkon trojet shqiptare, përshkon meridianet… Me aktivitetin e saj të gjithanshëm „Radio Kosova e Lirë“ është zë i të gjithë shqiptarëve, është zë i aspiratave të bashkimit të Kombit. „Radio Kosova e Lirë“ nuk është zeje tregtie, nuk është mjeshtri që mësohet dhe krijohet me porosi nga donatorë e padronë, nuk është mall që u nënshtrohet kërkesave ditore të tregut. „Radio Kosova e Lirë“ është tribunë progresi dhe ardhmërie, arenë e shpirtit luftarak liridashës, mision patriotik demokratik, dhuratë atdhetarësh të rritur me tëmblin e nënës shqiptare, me ujët e kulluar dhe me bukën e ëmbël të nënës tokë, të nënë – nënëlokes Shqipëri.

4.
Në dhjetëvjetorin e lindjes dhe të veprimtarisë së dëshmuar përparimtare institucionit „Radio Kosova e Lirë“ i uroj që edhe në të ardhmen puna dhe fjala e saj të buçasë me forcë hala më të madhe, që vija e saj atdhetare dhe fryma militante të thellohet edhe më shumë, që fshikullima e kamxhikut të saj të bie edhe me më ashpërsi mbi dukuritë e dëmshme politike, shoqërore dhe kulturore dhe mbi bartësit e tyre që pengojnë progresin, prosperitetin dhe unifikimin e Kombit Shqiptar. Stafit, gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të institucionit „Radio Kosova e Lirë“, në radhë të parë, iu uroj vetëdije edhe më të thellë kombëtare, përgjegjësi edhe më të madhe politike, aftësi edhe më të theksuar në kapjen e temave aktuale dhe mjeshtri edhe më profesionale në interpretimin dhe zbërthimin e problemeve kyçe me të cilat po ballafaqohet Kombi ynë.
Punë të mbarë dhe të frytshme!
Depërtim dhe dëgjueshmëri sa më të madhe në të gjitha familjet shqiptare!
Suksese edhe më të mëdha në realizimin e aspiratave të Bashkimit Kombëtar!
Urime Dhjetëvjetori i Lindjes dhe i Punës!
Përpara drejt ardhmërisë së ndritshme të Kombit!
Rroftë Shqipëria Etnike!
( Të drejtat e ribotimit. Autori, Kadri Rexha)

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …