Kasim Rexhep Shala (10.2.1981 - 27.1.1999)

Kasim Rexhep Shala (10.2.1981 – 27.1.1999)

Kasim Shala ka lindur më 10 shkurt të vitit 1981, në fshatin Ruhot të Pejës. Babai Rexhepi dhe nëna Eminja, kishin pesë fëmijë, dy djem dhe tri vajza. Kasimi ishte më i riu prej fëmijëve. Familja Shala, ashtu sikurse edhe shumë familje të tjera liridashëse, për shkak se nuk iu kishte nënshtruar regjimit serb, ishte përndjekur përherë. Në kohën e aksionit famëkeq serb për grumbullimin e armëve, në dimrin e vitit 1955/56, xhaxhai i Kasimit, Arifi, ishte burgosur me pretekst të mosdorëzimit të armës. I lindur në kohën e shpërthimeve të kryengritjes shqiptare të vitit 1981, Kasimi, së bashku me brezin e tij, rritej dhe kalitej në Kosovën e robëruar. Qysh herët kishte vërejtur padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve. Mllefi dhe urrejtja për pushtuesin serb, dita-ditës, i bëhej preokupim jetësor. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në fshatin Tërstenik, Kasimi regjistrohet në gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës, i cili kishte paralelen e vet po në Tërstenik. Në mësime ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Sa ishte në bankat e shkollës së mesme, maltretohet nga policia serbe. Edhe me rastin e bastisjes së shtëpisë së xhaxhait të tij, Tahirit, me pretekst të kërkimit të armëve, Kasimi reagon në mënyrë të guximshme kundër policisë serbe.

Në vitin shkollor 1997/1998, regjistrohet në Fakultetin e Elektroteknikës të Universitetit të Prishtinës. Në këtë kohë, lëvizja e armatosur e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte dalë në skenën e hapët, sidomos në Drenicë dhe në Dukagjin. Në shënimet e tij, veçmas në hartimet poetike, të cilat i ka ruajtur me xhelozi e përkushtim motra e dëshmorit Kasim Shala, Safetja, hetohen shqetësimet e tij të thella për gjendjen aktuale dhe paralajmërimi i ndeshjes së ashpër që po afrohej në Kosovë. “I sunduari s’është i vdekur as i gjallë! Ai me shpresë vdes, i uritur…”, ka shkruar në një poezi të tij Kasimi, më 10 shkurt të vitit 1998, dy javë para masakrave serbe në fshatrat Qirez e Likoshan të Drenicës. Pas këtyre masakrave, ai në një fletë të fletores së tij ka shkruar: “Ta mbrojmë Drenicën”.

Në natën e 28 shkurtit, edhe një urrejtje e papërmbajtur. A mund të përfytyrohet shpirti shqiptar, qëndresa dhe dëshira për ta jetuar lirinë natyrore? Aty e masakruan pjesën tonë të trupit e të shpirtit. Sa e pikëllueshme! Tërë këtë po e quajnë një lojë politike. Edhe pse po e shohin, nuk po e besojnë të vërtetën…” Kasimi, përveç dhjetëra poezive, ka shkruar edhe disa skica e tregime, në të cilat ka shpalosur kredon e tij, krijuese, preokupimet jetësore, të përshkuara me një dozë fatalizmi për veten, por me besim të patundur në çlirimin e vendit nga robëria shekullore. I vetëdijshëm se nuk ishte koha për mësim e studim, më 15 maj të vitit 1998, Kasimi, së bashku me Mërgim Shalën, nga vendlindja e tij në Ruhot kalon në fshatin Ujmir të komunës së Klinës dhe prej andej në Açarevë, ku qëndron disa ditë. Në këtë rast, për ta zbutur shqetësimin e familjes, asaj ia dërgon një tetër përmes djalit të tezes së vet, Murat Shala, në të cilën shkruan: “E di se iu kemi zhgënjyer dhe do të hidhëroheni. Por, unë jam nisur së bashku me Mërgimin, për t’i kaluar disa ditë në Drenicë. Dhe, askush nuk e di përveç nesh! Të na falni se kemi dalë pa dëshirën Tuaj! Ju përshëndesim!” Kasimi me Mërgimin kishin shkuar atje me qëllim për t’iu bashkuar radhëve çlirimtare, por duke qenë se asokohe nuk kishte armatim të mjaftueshëm, pas një jave kthehen në vendlindje, në Ruhot, të ndërgjegjshëm se duhej të shkonin në Shqipëri për t’u armatosur. Këtë rrugë ai e merr në qershor të vitit 1998, së bashku me disa shokë dhe kushërinj nga Ruhoti. Pas një jave qëndrimi në Tropojë, Kasimi i armatosur, së bashku me Mërgim Shalën, Murat Shalën dhe Ruzhdi Berishën, kthehet në vendlindje dhe fillimisht sistemohet në shtabin e Lugut të Drinit. Nga kjo dhe nga pika të tjera, më vonë themelohet brigada 133 “Adrian Krasniqi” e Zonës Operative të Dukagjinit.

Në kuadër të Batalionit të Parë të kësaj brigade, së bashku me Kasimin ishin edhe shumë të afërm dhe shokë të tij,Qerim Berisha me të birin, pastaj Rexhep Gashi, Vllaznim Berisha e të tjerë. Me rastin e zhvillimit të betejës së njohur të Loxhës, më 6 korrik të vitit 1998, Kasim Shala dhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë ishin në vijat përforcuese të frontit. Edhe pse i ri në moshë, ai i kryen me përgjegjësi e me zotësi detyrat, si në vëzhgim, në roje, në bartjen e armatimit, por edhe në luftimet e drejtpërdrejta kundër armikut. Në kohën kur pas disa vështirësive, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit fillojnë të konsolidohen, ai sërish vazhdon aktivitetin e tij tuftarak. Gjatë kësaj kohe u bashkohet njësiteve, të cilat i komandonte luftëtari i mirënjohur i kësaj ane, Agim Zeneli, i njohur me emrin e luftës Çergashi. Edhe pse në luftë, në rrugëtimin e gjatë të lirisë, nga fshati në fshat, nga mali në mal, Kasim Shala nuk ndahet nga poezia. Ai shkruan edhe për luftën, edhe për shtëpitë e djegura nga pushtuesi barbar serb. Ai u thur poezi dëshmorëve…

 “A s’jemi njerëz të kënaqësisë fatkeqe?

Pa mbishkrim mbi varre iu kemi lënë,

Më ndjeni, lu flas me drithërima në trup…”

Mirëpo shpeshherë i ravijëzohen edhe kujtimet e së kaluarës. Në 20 poezitë e tij, të cilat i ka lënë në dorëshkrim, ai ka shfaqur preokupimet e tij, botën e tij të ndjeshme artistike, dashurinë e pashuar për tirinë, për jetën dhe natyrën e atdheut, për peizazhet e Lugut të Drinit… Më 26 janar të vitit 1999, në acar e dëborë, Kasim Shala së bashku me shokët e tij të luftës sërish mësyen drejt Shqipërisë, me qëllim të furnizimit me armatim.

Një ditë më vonë, rreth orës 23, duke kaluar urën në fshatin Bishtazhin, së bashku me shokun e tij Hamdi Berisha, bie në pritë të forcave policore serbe, të cilat kishin dijeni për rrugëtime të tilla të luftëtarëve. Në këtë pritë, këta dy trima bien heroikisht, ndërsa plagë të rënda marrin Gani Shala dhe Nexhat Berisha. Pasi ishte konfirmuar lajmi për këtë ngjarje, trupat e këtyre dy dëshmorëve tërhiqen nga morgu i qytetit të Gjakovës, nga Tahir Shala dhe Fadil Berisha, së bashku edhe me disa të afërm të tyre. Më 4 shkurt të vitit 1999, trupi i dëshmorit Kasim Shala varroset me nderime ushtarake, në Varrezat e Dëshmorëve në Ruhot. Pas përfundimit të tuftës, bashkëluftëtarët dhe familja, emrin e Kasimit e kanë përjetësuar në pllakën e përbashkët përkujtimore të vendosur në këto varreza dëshmorësh. Në mars të vitit 2003, u botua libri Poezi dhe rrëfime i poetit dëshmor, ku janë prezentuar 20 poezi të Kasim Shalës, të shkruara para dhe gjatë luftës dhe dy rrëfime të gjata në prozë. Libri u përurua në Shtëpinë e Kulturës në Pejë, më 12 prill të vitit 2003.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …