KKMK në Viti ju bënë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre fushore, parashihen masa ligjore për çdo person që shkakton zjarrvënie të qëllimshëm

Komuna e Vitisë, konkretisht kryetari Sokol Haliti ka thirrur në takim Komitetin Komunal për Menaxhimin e Krizave shkaku i zjarreve të shumta me të cilat është ballafaquar kjo komunë gjatë këtyre ditëve në veçanti edhe gjatë natës së mbrëmshme. “Më të vërtetë gjendja është vështirësuar nga zjarret të cilat janë përhapur në territorin e komunës së Vitisë. E dijë që të gjithë ju jeni të angazhuar maksimalisht në parandalimin e përhapjes së zjarreve në komunën tonë dhe në mbrojtjen e pasurisë dhe jetës së qytetarëve tanë. Fatkeqësisht temperaturat e larta dhe erërat e forta e kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen megjithatë ne do të punojmë bashkërisht që situata të jetë në kontroll dhe të parandalojmë dëme”, u shpreh Kryetari Haliti. Kurse lidhur me menaxhimin e vatrave të zjarrit në territorin e komunës së Vitisë, ka folur Komandanti i NJPZSH në Viti, Hetem Jakupi i cili potencoj se zjarrfikësit vitias kanë qenë të angazhuar në shuarjen e vatrave të zjarrit gjatë gjithë natës dhe atë deri në orët e hershme të mëngjesit. Ai ka folur edhe për bashkëpunimin me të gjithë mekanizmat duke i falënderuar ata për bashkëpunimin në parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të zjarreve. Ky Komitet në përbërje prej përfaqësuesve të komunës së Vitisë, Policisë dhe Zjarrfikësve ju ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve të mos ndezin zjarre pasi që po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm. E Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, ka paralajmëruar se çdo zjarrvënie e qëllimshme paraqet vepër penale dhe do të hetohet nga policia dhe kryerësit e këtyre veprave do të sillen para organeve të drejtësisë. Gjithashtu përfaqësuesit e këtij komiteti ju bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë zjarrevëniet e qëllimshme me qëllim që të mbrohet pasuria dhe jeta e qytetarëve të kësaj komune.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …