KMDLNJ

KMDLNj: Arsyetimi i Gjykatës Speciale për arrestime dhe bastisje realisht është “pengimi i administrimit të drejtësisë“

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar pas bastisjes si dhe ndalimit së ish-deputetit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala nga Gjykata Speciale, në Hagë.  Në reagim thuhet se Më 11 dhjetor, persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës bastisën shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së dhe më vonë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala të cilin e dërguan në bazën burg të EULEX-it për ta marrë në pyetje. Kohë më parë i kishin konfiskuar telefonin. Haxhi Shala, i privuar nga liria natën e kaloi në bazën burg të EULEX-it, pa u informuar nga askush ai dhe familja e tij për fatin e tij. Ai do të dërgohet në Burgun e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë ku po mbahen peng edhe 8 ushtarë të UÇK-së disa prej të cilëve në çastin e arrestimit ishin bartës të posteve më të larta politike dhe institucionale të Kosovës. Sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale që nuk kanë shenja identifikuese po tregohen të kujdesshëm gjatë bastisjeve për të krijuar një përshtypje se po i respektojnë standardet ligjore dhe të drejtave të njeriut gjatë këtyre inkursioneve kundër ushtarëve të UÇK-së dhe përkrahësve të tyre. Gjatë bastisjeve i pranishëm është edhe avokati të cilin e propozon i dyshuari.

Është mbase jo vetëm koincidencë e rastit edhe kërcënimi që gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e shpërndau Ekaterina Trandafilova, kryetare e parapaguar e kësaj gjykate se Hashim Thaçi, president i Kosovës, Jakup Krasniqi për dy mandate kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe Rexhep Selimi, shef i GP të LV–së mund të dënohen me burg të përjetshëm dhe se bastisjet dhe aksionet tjera inkursuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ky kërcënimi mbase u sforcua edhe pas takimit publik me disa ambasadorë sikur edhe pas takimit me disa udhëheqës politikë kosovarë e që takimet nuk u bënë publike. Kërcënimet i vazhdoi edhe pasi u kthye në Hagë pas së cilës ishin tre bastisje dhe një arrestim, ky i Haxhi Shalës. Sipas informatave të KMDLNj-së nga terreni pakënaqësitë me këto bastisje nga persona të paidentifikuar dhe të panjohur në kohën kur kjo gjykatë policët e Kosovës i angazhon si “punëtorë krahu“ për të rregulluar trafikun dhe për të krijuar përshtypje krejtësisht mashtruese se edhe Policia e Kosovës është pjesë aktive e këtij inkuizicioni përndjekës është në rritje dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

Arsyetimi i kësaj Gjykate për arrestime dhe bastisje është “pengimi i administrimit të drejtësisë“ paraqet “carta bianca” për veprime të pakufizuara dhe të pakontrolluara nga askush e, më së paku nga institucionet e Kosovës që nominalisht janë themelues të kësaj Gjykate. Në kohën e regjimit të ish-Jugosllavisë, UDB-ja serbe dhe jugosllave kishte shpikur një nen inkriminues që sanksiononte fjalën e lirë dhe lirinë e mendimit duke dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri më 10 vjet të gjithë ata që flisnin për lirinë e shqiptarëve apo edhe që mendonin se duhet të jenë të barabartë me të tjerët. Ky nen ishte aq fleksibili sa krijonte mundësi të pakufishme për të burgosur, rrahur, vrarë dhe dënuar shqiptarë që e donin lirinë, qoftë edhe si ide, pa e ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Gjykata Speciale Raciste po e përdorë të njëjtën metodë që e ka zbatuar UDB-ja përmes ligjit për pengim të administrimit të drejtësisë mund të bastisë dhe arrestojë të gjithë ata që nuk duan të bëhen dëshmitarë, që përkrahin luftën e UÇK-së apo që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Mjafton që ndonjë dëshmitar i mbrojtur ta përmend emrin dhe paramilitarët e Speciales do t’i keni në shtëpi. Gjykata Speciale po përdorë dëshmitarë me dëshmi të sajuara, informatorë të BIA-s serbe dhe dëshmitarë të rekrutuar nga sigurimi serb, dëshmitarë të prokurorisë serbe dhe dëshmitarë nga Kosova të joshur me shumë përfitime, para, ndryshim të identiteti dhe strehim në një vend tjetër.

KMDLNj-ja denoncon publikisht këto kërcënime nga kryetarja Trandafilova si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që po mbahen në Hagë për faktin se në mënyrë flagrante po e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë pasi i shpallë fajtorë të akuzuarit, ende pa përfunduar procesi gjyqësor.

KMDLNj-ja denoncon botërisht sajimin e përgjimeve ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë pas së cilave, me propozim të PS ndaj tyre janë marrë masa represive si ndalimi i vizitave të paprivilegjuara dhe bisedave telefonike. KMDLNj-ja denoncon publikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk kërkojnë raport nga kjo gjykatë për respektimin dhe shkeljen e identifikuara të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria pasi po ky Kuvend ka votuar themelimin e kësaj gjykate.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …