Komiteti për Komunitete në Malishevë diskutoi gjendjen e zjarreve dhe menaxhimin e situatave emergjente

Komiteti për Komunitete, një organ obligativ i Kuvendit të Komunës së Malishevës, mbajti mbledhjen e tetë të rregullt, nën drejtimin e kryetarit Amrush Helshani. Temë kryesore e kësaj mbledhjeje ishte gjendja me zjarret në Komunën e Malishevës dhe menaxhimi i situatave emergjente që kanë ndodhur kohët e fundit. Në këtë takim, zyrtari përgjegjës i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Gani Kryeziu, raportoi për situatën aktuale me zjarret dhe përpjekjet e ekipeve të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (SHZSH) për t’i menaxhuar ato. Sipas Kryeziut, përkundër sfidave të shumta, përfshirë mungesën e mjeteve dhe resurseve njerëzore, ekipet kanë arritur të kontrollojnë situatën pa rrezikuar qytetarët dhe të shuajnë zjarret e regjistruara deri më tani. Kryeziu iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komitetit lidhur me strategjinë për menaxhimin e situatave emergjente dhe masat parandaluese që duhen marrë për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. Në përfundim të mbledhjes, kryetari Amrush Helshani dhe anëtarët e tjerë të komitetit bënë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe për aktivizim vullnetar në rastet e zjarreve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të mbrojtur jetën dhe pronën e të gjithëve.

 

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për takimin e dytë publik të Kryetarit Latifi

Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit, grupet e interesit dhe palët e tjera …