Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim kulturor

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë.

Marrëveshja është nënshkruar në Zagreb ndërmjet ministri Kujtim Shala dhe atij të Kroacisë, Zlatko Hasanbegović.

Ministri Shala dhe ai kroat Hasanbegović biseduan për një varg çështjesh të interesit të përbashkët, si dhe për nevojën e rritjes të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Shala dhe Hasanbegović u shprehën se Kosova dhe Kroacia kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm kulturor, por kjo marrëveshje e sotme e natyrës politike, këtij bashkëpunimi i jep dimension tjetër, sepse raportet ndërmjet këtyre dy shteteve rregullohen dhe marrin karakter shtetëror.

Po ashtu, Shala e Hasanbegović nënvizuan se kjo marrëveshje protokolare i rregullon raportet në fushën e kulturës dhe do të pasohet me bashkëpunim konkret ndërmjet institucioneve të kulturës së dy vendeve.

Ministri Shala dhe Hasanbegović e vlerësuan këtë marrëveshje si tejet të rëndësishme për thellimin e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Kroacisë, të cilët janë domethënëse dhe i kontribuojnë paqes dhe stabilitet në rajon, meqë Kosova dhe Kroacia kanë raporte historike, që domethënë raporte politike e kulturore.

Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se kultura ndikon drejtpërdrejtë në afrimin e popujve, ndaj kërkohet që t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Ai më tej shtoi se kjo marrëveshje është bazë e mirë për një prezencë më të madhe të Kroacisë në Kosovë dhe anasjelltas, dhe shtoi se kjo praktikë, duhet të vazhdohet edhe në fusha tjera.

Më tej ministri Shala u shpreh se kjo marrëveshje e natyrës politike, krijon kushte të volitshme që të konkretizohet me nisma dhe aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, librit, muzeut dhe sferave tjera të artit.

Shala ndër të tjera u tha se Kosova i është mirënjohëse shtetit kroat për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, e cila vazhdon me të njëjtin intensitet edhe tani.

Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor e cila është nënshkruar sot synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve nacionale në fushën e kulturës, përmes aktiviteteve që kontribuojnë në njohjen më të mirë të dy vendeve, përmes respektimit të të drejtave dhe detyrimeve të përfshira në traktatet ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi, po ashtu specifikon temat dhe fushat e interesit të përbashkët, në ngjarje kulturore, në fushën e arteve pamore, në muze e galeri, pastaj në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për arkivat kombëtare, bibliotekat, si dhe thellimin e formave të bashkëpunimit në fushën e letërsisë, muzikës, arteve skenike, shtëpive botuese, filmit, etj.

Marrëveshja përfshinë edhe bashkëpunimin në fushën e pakicave kombëtare dhe pronësisë intelektuale.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …