Kosova dhe Shqipëria kanë intensifikuar aktivitetet për tregun e përbashkët të energjisë

Kosova dhe Shqipëria kohëve të fundit kanë intensifikuar aktivitetet për realizimin e interesit strategjik për të dy vendet me qëllim të krijimit të tregut të përbashkët në sektorin e  energjisë elektrike, por ky angazhim ka shkuar më tej në hulumtimin e mundësisë së investimeve të përbashkëta në kapacitete të reja gjeneruese, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente kreu  i MZHE-së i bëri gjatë takimit të radhës Kosovë-Shqipëri për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë, që u mbajt në Prishtinë, ku përveç përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, ishin edhe Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë Jan Braathu, përfaqësues të USAID-it dhe akterë të sektorit të energjisë në vend.

Stavileci vlerësoi se ky integrim bilateral është në funksion të politikave të Bashkimit Evropian  si dhe iniciativës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të pasohet në fazën e integrimit regjional.

“Iniciativa si kjo e krijimit të tregut të përbashkët mes dy vendeve dhe ajo e bursës së energjisë, janë ato që na duhet për të ardhme Evropiane, e sidomos në kuadër të procesit të Berlinit që ka për qëllim që vendet e rajonit të integrohen në tregun rajonal”, tha ai.

Sipas tij, ky takim është një mundësi që të këmbehen informacione konkretë se deri ku ka arritur Shqipëria në formimin e Bursës së energjisë dhe si rrjedhojë të identifikohen detyrat harmonizuese, të cilat dalin për Kosovën.

Stavileci tha se në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, çështja më përmbajtjesore do të jetë energjia, ngase në këtë fushë janë shënuar të arritura konkrete, të cilat janë shtrirë deri në nivelin teknik, dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen.

Nga ana e tij, Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu ka vlerësuar angazhimet e Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e energjisë duke përmendur këtu edhe interkoneksionin 400 kV mes dy vendeve. Ai tha se  kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe me shtetet tjera si Maqedonia, Mali i Zi, e ndoshta Greqinë për integrimin e rajonit në rrjetin e energjisë të Evropës.

Entela Çipa – këshilltare e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, theksoi se energjetika është njëri nga sektorët ku të dyja vendet kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të dy ministrat Gjiknuri dhe Stavileci janë në angazhim edhe më të shtuar në mënyrë që të dyja vendet të hapërojnë sigurt drejt një tregu të avancuar energjetik, me synim integrimin rajonal.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …