Popullsia e Kosovës aktualisht ka 1 milion e 589 mijë e 659 banorë, sipas procesit të regjistrimit të zhvilluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nga 5 prilli deri më 17 maj të këtij viti. Rënia e numrit të popullsisë ka krijuar shqetësim në vend, për të cilën ka folur krye shefi i ASK-së, Avni Kastrati. Ai theksoi se rënia e natalitetit dhe migracioni drejt vendeve perëndimore janë dy faktorët kryesorë për këtë ulje, duke vënë në dukje ndikimin e kësaj rënieje në fuqinë punëtore, ekonomi dhe në numrin e studentëve të regjistruar në fakultete. Tash më dihet se gjatë 13 viteve të fundit, Kosovën e kanë lëshuar 400 mijë qytetarë të saj, një e katërta e banorëve të Kosovës.
