Kryeministri Haradinaj: Duhet ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë

Kryeministri Haradinaj: Duhet ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë

“Të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për detyrat që i kemi dhe nga pozicioni ku jemi duhet të japim maksimumin që ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e sotëm, i teti me radhë, i nivelit të lartë për sundimin e ligjit, ku u prezantuan të arriturat e muajve të fundit nga institucionet përkatëse, dhe në veçanti puna e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit. Haradinaj kërkoi nga drejtuesit e këtyre mekanizmave që rregullojnë funksionimin e prokurimit publik që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe rritjen e besimit të qytetarëve, duke theksuar se prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e reformave që kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE. Kryeministri tha se Kosova ka shënuar progres sa i përket prokurimit, duke theksuar se Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, prezantoi në detaje punën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, duke theksuar se 97% e të gjitha procedurave dhe aktiviteteve të prokurimit kryhen përmes platformës elektronike të prokurimit. Ndërsa, në prezantimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, u tha se janë 16 institucione për të cilat ky agjencion i kryen procedurat e Prokurimit, derisa sfidë mbetet mungesa e resurseve dhe vonesa në bashkëpunim e autoriteteve kontraktuese. Pjesë e takimit ishin edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, Shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno, dhe përfaqësues të tjerë institucional. Në fund të këtij takimi, kryeministri Haradinaj ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e angazhimit konkret nga ana e të gjitha institucioneve, duke thënë se bartësit institucional, bartin edhe përgjegjësitë dhe për secilën sfidë duhet dhënë llogari për punën që bëjmë.

Kontrolloni gjithashtu

Euroactiv: As Beogradi dhe as Prishtina nuk janë gati ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të negociuar nga BE-ja

Rrjeti i pavarur mediatik pan-europian “Euractiv” shkruan se as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë …