leoni

Muharrem Nitaj: Partnerët qeveritarë po angazhohen për arritjen e konsensusi sa i përket dialogut me Serbinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të takohet  për të shqyrtuar kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet mbajtja në arrest e kryetarit të AAK-së, në Francë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, lidhur me arrestimin e kryetarit të Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze. Zëdhënësi i AKK-së Muharrem Nitaj ka thënë për mediet se përmes kësaj seance do të kërkohet  që Ramush Haradinaj të trajtohet si interes shtetëror dhe të pezullohen urgjentisht bisedimet me Serbinë.

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, mik i shqiptarëve ka reaguar kundër arrestimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj,  nga autoritetet franceze. “Është e papranueshme që Serbia vazhdon të keqpërdorë INTERPOL-in për të sulmuar ish-kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe as sundimin e ligjit dhe rendit. Tribunalet ndërkombëtare e kanë liruar dy herë z.Haradinaj. Këto veprime vetëm ngjallin tension dhe shtojnë gjasat për konflikte të ardhshme”, ka shkruar në  letrën e  tij, Eliot Engel. Ai i ka ftuar autoritetet juridike të Francës që të përshpejtojnë procedurat dhe ta lirojnë Haradinajn sa më parë.

Mijëra qytetarë dje iu kanë bashkuar veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë organizuar dhe kanë  mbajtur një protestë kundër arrestimit, në Francë, të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit gjatë luftës së UÇK-së. Marshi protestues me moton “Ramush Haradinaj është Kosova” është organizuar nga veteranët dhe është përkrahur nga  AAK-ja Nisma për Kosovën dhe Vetëvendosja. Në protestë, e cila ka përfunduar para ambasadës së Francës, në Lagjen Arbëria, në Prishtinë,  kanë marrë pjesë mijëra qytetarë.  Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini gjatë marshit protestues i ka dorëzuar Ambasadës franceze kërkesën për lirimin e Haradinajt.

Kryetari i AAK-së dhe Komandanti i Zonës së Dukagjinit gjatë luftës, Ramush Haradinaj, u ka dërguar porosi, miqve të Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, duke u përkujtuar se  rrugën e shtetit të Kosovës nuk mund ta ndal askush. Në postimin e tij ka shkruar se  “Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ e tyre”, ka shkruar Haradinaj. “Ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit e lere më nga fletë-arrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, „Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush“.  Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për arrestimin në Francë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.“Si ka mundësi që urdhër-arrestet e vendit agresor të një lufte që përfshiu vetë NATO-n kundër atij vendi, të mundet ende sot të vlejnë si mandate legjitime të policive të një sërë vendesh evropiane, për të burgosur luftëtarët që iu kundërvunë atij agresioni dhe që, për më tepër, i janë nënshtruar më pas, pa asnjë rezistencë, qoftë Hagës dhe qoftë votimit parlamentar të risisë botërore të një Tribunali Special për vetveten?!”, thotë Rama.

Protestë kundër arrestimit të ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj është mbajtur edhe në Shkup. Gjatë fjalimi para masës protestuese, Nermine Hamidi nga Unioni Studentor theksoi se me arrestimin e Ramush Haradinajt, Franca ka shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe vlerat themelore të kombit shqiptar. Ajo ka theksuar më tutje se më e keqja është se kjo vjen nga një shtet evropian, i cili në vazhdimësi është promotori kryesor i po këtyre lirive. Ndërkohë, qytetar protestues deklaronin se arsye e tyre pse kanë dalur të protestojnë është që të tregojmë se Serbia e Millosheviqit jeton, ajo nuk është e vdekur, por është e gjallë. Daçiqi e kërcënoi Maqedoninë, Vuçiqi Kosovën, ndërkaq kryetari i Serbisë e kërcënon Evropën me luftë. Këto janë pasojat e politikës serbe që po i toleron Evropa!

Qytetarët e Gjakovës të revoltuar me vizitën  e atyre serbëve që veten e quajnë “pelegrinëve” kanë thyer xhamat e autobusit me të cilin, me masa të rrepta të sigurisë nga Policia e Kosovës, ata, sikur çdo vit edhe dje  kanë ardhur  nga Serbia në Gjakovë. Nënat e viktimave dëshmojnë me fakte se në mesin e atyre serbëve që vijnë për çdo vit në Gjakovë, nën maskën e  “pelegrinë” ka edhe kriminelë serbë që kanë kryer krime lufte në  gjatë vitit 1999. Me këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar pesë protestuese.

Lidhur me vizitën e serbëve  në Gjakovë dhe arrestimin  pesë protestuesve kundër kësaj vizite, që u bënë nga Policia e Kosovës, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje e cila ka kërkuar lirimin të menjëhershëm të protestueseve. Në reagimin e  Vetëvendosje thuhet se Ardhja e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të Gjakovës është veprim provokues, i cili i rëndon edhe më shumë plagët e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit. Sikurse edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe sot qytetarë që po kundërshtonin ardhjen e serbëve. Vetëvendosja shpreh shqetësimin për arrestimin e Hazbije Pruthit, Mimoza Shalës, Haxhere Bytyqit, Shkëndije Hodës dhe Sanije Berishës, si dhe kërkon lirimin e tyre. Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë përderisa drejtësia nuk është vendosur. Serbia përveçse nuk ka kërkuar falje, ajo po mban në fuqi fletë-arrestet për pjesëmarrësit në luftën tonë çlirimtare. Prandaj, protestat janë të pashmangshme deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ylli Manjani i ka dërguar një letër ministrit  francez Zhan Zhak Urvu  lidhur me ndalimin e Ramush Haradinaj. Ai tha se shteti serb keqpërdori aksesin në interpol për qëllime politike. Do të vlerësoja refuzimin tuaj të çdo kërkese për ekstradimin e tij. Do t’ju lutesha për transmetimin e këtij shqetësimi autoriteteve gjyqësore franceze për lënien e lirë të tij”, ka shkruar ministri Manjani në letrën e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja për hartimin e projektit për tunelin në rrugën Tetovë-Prizren, nxiti debat mes deputetit Ferat Shala e atyre të Vetëvendosjes

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat …