Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj: Prioriteti im, zhvillimi i turizmit!

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj: Prioriteti im, zhvillimi i turizmit!

Investimet me prioritet për mandatin tim si kryetar i komunës do jenë ato që zhvillojnë turizmin. Pra, me prioritet do jetë infrastruktura që do mundëson shfrytëzimin e resurseve natyrore që gjenden në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Ne, do mundohemi që të ofrojmë kushte sa më të mira për investitorët që dëshirojnë të zgjerojnë kapitalin e tyre në fushën e turizmit malor. Kështu shprehët kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, gjatë kohës së qëndrimit të tij, në përcjellje të punimeve në rrugën tashmë të njohur, Deçan-Plavë, ku veç janë asfaltuar kilometrat e parë të kësaj rruge. Sipas Ramosaj, kjo rrugë ka karakter zhvillimor, e assesi politik siç aludon personeli i manastirit të Deçanit. “Ndërtimi i kësaj rruge, pos që konsiderohet bosht i zhvillimit ekonomik, duhet të jetë si një arterie e integrimit rajonal, Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri. Ideja për ndërtimin e saj ka qenë e kamotshme, qysh në vitet e ’70-ta, por ishte penguar nga Serbia me arsyetimin politik se “nuk duhet ndërtojmë rrugë për t’u lidhur me Shqipërinë”, ka treguar Ramosaj, duke u treguar i kënaqur me punimet e deritashme të kryera nga “LIKA TRADE”. Sipas Ramosaj, ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, nuk është vetëm i interesit ekonomik, por edhe me interes kombëtar dhe ndërkombëtar. “Investimet për këtë rrugë janë të arsyeshme, ngase kjo rrugë paraqet bosht të zhvillimit, jo vetëm për ekonominë e komunës së Deçanit, por edhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi. Njëjtë si për Kosovë, ashtu paraqet edhe për Plavën dhe viset tjera shqiptare e jo shqiptare në Malin e Zi.

Pra, nga aspekti ekonomik, kjo rrugë ka arsyeshmërinë e vet sepse do të mundësojë rritjen e tregjeve ekonomike, si për Kosovën, ashtu edhe për Malin e Zi. Posaçërisht, kjo rrugë do të mundësojë zhvillimin e turizmit dimëror e veror, për këto dy vende”, është shprehur kryetari i Deçanit, i cili ka përshëndet edhe vendimin e Qeverisë së Malit të Zi, për projektin e tyre deri në Bogiqe, që do lidhet me rrugën e nisur nga Deçani. Mirëpo, kryetari i Deçanit thotë se, “ndërtimi i kësaj rruge ka rëndësi tjetër të veçantë, ngase mundëson krijimin e raporteve ndërshtetërore, si parakusht për tu integruar në familjen e madhe evropiane”. Sipas tij, bashkëpunimi ndërkufitar është një nga kërkesat kryesore për integrimin evropian, sepse mundëson zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit. Ramosaj ka thënë se Komuna e Deçanit me resurset e saja natyrore, ka gjitha mundësitë për zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror, e sidomos me investimet për ngritjen e Qendrës së skijimit në “Bjeshkët e Belegut”, e cila do ishte e përmasave botërore.

 “Kemi arrit të marrim kopjen e projektit të Qendrës së skijimit në Bjeshkën e Belegut, projekt i punuar që në vitin 1978 nga Instituti i Zagrebit. Tash, kemi gjitha mundësitë për kërkim të donatorëve, qofshin vendor apo të jashtëm”, ka nënvizuar Ramosaj, i bindur se bukuritë natyrore që ka Deçani, do joshin investitorët më seriozë botëror. “Projekti i marr nga Instituti i Zagrebit, që është i detajuar me të gjitha paramasat  e duhura, do hap rrugë për investitorët që “Bjeshka e Belegut” të jetë qendër jo vetëm e skijimit”, ka treguar Ramosaj i cili kërkon edhe mbështetjken e institucioneve qendrore për realizim të këtij projekti. (Adem Lushaj)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti nuk e priti në takim Edi Ramën, por shprehet i gatishëm për takim me Vuçiqin

Albin Kurti, dhe Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë takime …