Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka prezantuar nëpërmjet një videoadresimi Kabinetin për Qeverisje të Mirë, i cili do të ketë 15 Departamente

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar sot nëpërmjet një videoadresimi Kabinetin për Qeverisje të Mirë, i cili do të ketë 15 Departamente. Kryetari i PDK-së, që njëherësh do të jetë edhe udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Memli Krasniqi, përmes videoadresimit tha se KQM është një platformë politike alternative përballë keqqeverisjes aktuale. “Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, lideri i PDK-së ka shtuar se në një klimë politike kur sfidat janë të forta e qeverisja është e dobët, kur demokracia po rrezikohet dhe e ardhmja po bëhet e pasigurt, e kur mirëqenia e qytetarëve po lëndohet seriozisht nga një ekonomi në rënie, PDK ka vendosur të përgjigjet me një platformë të duhur dhe me një vizion të ri politik – të bazuar në dije dhe kompetencë.

“Ditët e qeverisjes depresive duhet të marrin fund, prandaj e shohim të domosdoshme që qytetarëve t’u ofrojmë një perspektivë të re dhe një zotim të palëkundur për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Për këtë vizion kaq të nevojshëm dhe kaq domethënës, Partia Demokratike po themelon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë – me të cilin do të shpalosë politikat alternative të qeverisjes që sot i mungojnë Kosovës, e që i duhen asaj më shumë se kurrë. Përmes këtij Kabineti, ne do të shpalosim para qytetarëve vizionin dhe modelin e qeverisjes së ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK”, ka shtuar lideri i PDK-së.

Krasniqi theksoi se për më shumë se dy vite PDK ka qëndruar dinjitetshëm si udhëheqëse e opozitës përballë keqqeverisjes, paaftësisë dhe degradimit të sferës institucionale nga pushteti aktual, duke ngritur tema, duke ekspozuar abuzimin me pushtetin, duke kërkuar llogari nga pushteti, i cili, jo vetëm që s’ka përmbushur premtimet elektorale, por e ka ngulfatur perspektivën zhvillimore të Kosovës.

“Kjo Qeveri e ka humbur çdo momentum të mundshëm për të bërë diçka të mirë e domethënëse për Kosovën. Por, Kosova është atdheu ynë i përbashkët dhe e ardhmja e saj – ashtu siç e ëndërrojmë dhe e meritojmë si qytetarë – është mision që na obligon të gjithëve, pavarësisht përgjegjësive që kemi sot e që do t’i kemi nesër. Prandaj, nga sot, përpjekjeve tona i shtohet edhe Kabineti per Qeverisje të Mirë, i cili vjen si platformë politike që i del përballë keqqeverisjes dhe u del në krah qytetarëve. Si alternativë që do të korrektojë qeverisjen aktuale e do të ofrojë vizionin e qeverisjes së ardhshme. Si pasqyrë konkrete e vizionit tonë politik se si e mendojmë qeverinë dhe qeverisjen që i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Kabineti për Qeverisje të Mirë do t’i ketë 15 Departamente dhe 5 prioritete thelbësore. Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar.

Krasniqi tha se këto departamente do të udhëhiqen nga Koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi qytetarëve.

“Në ditët e ardhshme, unë do të prezentojë këto ekipe, që do përbëhen jo vetëm nga personalitete e zyrtarë nga radhët e PDK-së, por edhe nga ekspertë e kuadro që po bashkohen me ne në këtë projekt të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht vizionin për të ardhmen e Kosovës që duam.”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Për ta shtruar vizionin ekonomik e zhvillimor të PDK-së, KQM do të ofrojë politika dhe alternativa konkrete përmes këtyre departamenteve: Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi; Agjendë të Gjelbër; Transformim Digjital dhe Inovacion; Punë Publike dhe Investime Kapitale; Bujqësi dhe Zhvillim Rural; si dhe Financa.

Perspektivën alternative të PDK-së në fushën e mbrojtjes, sigurisë kombëtare, rendit dhe ligjit do ta zhvillojnë: Departamenti i Drejtësisë; Departamenti i Punëve të Brendshme, Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale, si dhe Departamenti i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare.

Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzor, si dhe Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm do të zhvillojnë politika qeverisëse me plane e masa konkrete për të rritur potencialin të rinjve dhe për t’i bërë ata konkurrentë në tregun e punës.

Alternativën e Kosovës së shëndoshë e të mirëqenë, në kuadër të KQM-së do ta zhvillojnë Departamenti për Shëndetësi dhe Departamenti për Përkujdesje Sociale.

Për një Kosovë të integruar në strukturat euro-atlantike, anëtare të NATO-s dhe BE-së, KQM do të ofrojë vizionin e saj përmes Departamentit për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane; dhe Departamentit për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndër-shqiptar.

“Ky rrugëtim që po nis sot brenda PDK-së me Kabinetin për Qeverisje të Mirë, do të vazhdojë me angazhimin tonë të përbashkët ditëve dhe javëve në vijim edhe jashtë strukturës së PDK-së, në diskutime të hapura me qytetarët e vendit”, tha Krasniqi.

Po ashtu, PDK së shpejti do të nisë platformën e re politike “Dialog me Kosovën”.

“Në mënyrë që alternativat tona qeverisëse të jenë jo vetëm manifestim i kompetencës, dijes dhe vullnetit politik, por të jenë po ashtu gjithëpërfshirëse, të hapura e në përputhje me pritjet e qytetarëve, si Kryetar i PDK-së dhe si Udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, në ditët e ardhshme do të jem së bashku me ju në çdo qytet e fshat, çdo lagje e vendbanim anekënd vendit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë shpirt vizionit tonë të përbashkët për Kosovën. Andaj, shumë shpejt do ta nisim një diskutim të hapur me të gjithë, përmes platformës sonë “Dialog me Kosovën”, sepse, më shumë se ckado tjetër, sot kemi nevojë për të dëgjuar njëri tjetrin e për të zbatuar në praktikë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit tonë”, tha Krasniqi.

Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve në këtë rrugëtim të ri të PDK-së, për t’ia rikthyer perspektivën Kosovës.

“Edhe Projektin Kombëtar të Lirisë dhe Pavarësisë e kemi arritur së bashku, dhe së bashku mund t’ia rikthejmë perspektivën Kosovës dhe shpresën qytetarëve tanë. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë tek gjithsecili qytetar. Prandaj, për ta bërë këtë rrugëtim të mbarë e përmbajtjesor, na duhet mbështetja dhe zëri i gjithsecilit”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …