Kryetari Jashari nënshkruan me studentë marrëveshjen e bursës

Në një ceremoni të organizuar, në Amfiteatrin e Qendrës së Kompetencës në Skenderaj, ku kanë marrë pjesë kryetari Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku, drejtorë komunalë, deputeti i Parlamentit, Bekim Haxhiu, përfaqësuesit e bizneseve, njerëzit e vullnetit të mirë që kanë ndarë bursa, dhe qytetarë, janë ndarë bursat për studentë të komunës së Skenderajt, të cilët janë përzgjedhur nga komisioni i përzgjedhur nga Drejtoria Komunale e Arsimit. Kjo është hera e parë i një numri kaq të madh që Komuna e Skenderajt ndan bursa për studentë të saj. Kryetari Jashari, në fjalimin e tij në këtë ceremoni, ka deklaruar se qeveria lokale ka në krye të prioriteteve arsimin, i cili është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit. Kryetari Jashari është shprehur se, më të drejt presim shumë nga studentët, ngase ata janë absolutisht e ardhmja e shtetit. Me këtë rast janë nënshkruar marrëveshjet e bursave ndërmjet kryetarit të Komunës dhe studentëve.

Më poshtë është fjalimi i plotë i kryetarit Jashari:

“Jam i lumtur të jem sot bashkë me ju, në këtë ceremoni të ndarjes së bursave për studentë të dalluar të komunës sonë. Sot, më të drejt presim shumë nga ju, ngase ju jeni absolutisht e ardhmja e shtetit dhe shtylla kryesore e zhvillimit të vendit tonë. Në këtë kohë çdo ditë shohim dhe dëgjojmë për raste kur rinia merr rrugë për në vende të ndryshme të Evropës, në kërkim të një jete më të mirë, më të dinjitetshme. Ne nuk mund të jemi nën lëkurën e tyre, por mundemi pak a shumë t’i kuptojmë drejt hallet e tyre. Ata kanë zorin pse po ikin. Në plane afatgjata, kjo ikje e të rinjve, e shtyrë nga mungesa e perspektivës dhe pamundësisë për një vend pune të merituar, paraqet rrezikun më serioz për të ardhmen e Kosovës. Dhe kush do të fajësohet atëherë??? Të gjithë nga pak, por më së shumti ata që kanë fuqi më të madhe për ndryshime rrënjësore të politikave të punësimit. Të nderuar studentë, Qeveria lokale në Skenderaj ka në krye të prioriteteve arsimin. Është viti i dytë që unë jam në krye të Komunës, ku kam dëshmuar me argumente të prekshme mbështetjen e pakursyer për arsimin në përgjithësi dhe për studentë në veçanti. Nuk dua të bëjë garë më askënd, por me krenari e them së kurrë në këto 20 vite, nuk është shpërblyer kaq numër i madh i studentëve sesa tani. 164 studentë, 164 bursa. Vlerësoj së, se bashku me përfaqësues të bizneseve në komunën tonë dhe njerëz të vullnetit të mirë, po bëjmë një punë të mirë, sa u përket bursave. Ne jemi të vetëdijshëm se shuma prej 500 eurove për bursë studentore, nuk është e mjaftueshme, por është një shenjë e interesimit të vazhdueshëm që kemi ndaj jush. Është edhe një premtim për vitin e ardhshëm, të kemi numër sa më të madh të studentëve që do të përfitojnë. Të nderuar studentë, Për të përfunduar këtë fjalim, po marrë shkas fillimin e tij, dhe të përsëris edhe një herë se Kosova ka nevojë për ju.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …