Kryetari Latifi e përshëndet marrjen e Vendimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshri në komunat e Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshri në komunat e Kosovës, e në veçanti në komunën e Rahovecit, është njëri prej vendimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të Qeverisë me të cilën udhëheq Ramush Haradinaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës. Komuna e Rahovecit, e cila shquhet për prodhimet e saj bujqësore gati çdo vit, por veçanërisht gjatë këtij viti, u përball me dëme të jashtëzakonshme nga breshri dhe vërshimet, të cilat ndodhën si pasojë e motit të keq që mbretëroi gjatë gjithë muajve të verës. Ishin shumë të vështira ditët, në të cilat me qindra hektarë tokë të mbjellura me kultura bujqësore dhe vreshta u dëmtuan e u bënë rrafsh me tokë nga breshri dhe përmbytjet. Mundi dhe investimi i bujqve të vyeshëm pothuajse shkoi kot dhe humbjet ishin shumë të mëdha. Qeveria komunale menjëherë u vu në veprim me të gjitha kapacitetet e saj dhe u mundua maksimalisht t`ju dalë në ndihmë të gjithë bujqve, fermerëve dhe familjeve të dëmtuara. Ngritëm komisionet profesionale për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve si në kultura perimtare në bujqësi, po ashtu edhe në vreshta dhe në ekonomitë familjare. Këto komisione kryen punët dhe obligimet e tyre në afat rekord dhe pasi raportuan saktë dhe në mënyrë profesionale dëmet e shkaktuara, vendosëm që ti raportojmë Qeverisë së Kosovës dhe ti kërkojmë ndihmë dhe mbështetje konkrete për të përballuar këtë gjendje të vështirë. Ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili me të dëgjuar për fatkeqësitë që i ndodhën bujqësisë së Rahovecit, erdhi vetë dhe vizitoi kulturat tona bujqësore të dëmtuara arë më arë e vresht më vresht. Ishte kjo vizitë, në të cilën ai i pa nga afër të gjitha dëmet që shkaktoi breshëri dhe vërshimet, dhe pas pak javësh Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e mbajtur të martën, më 24 Korrik 2018 mori vendimin më të madh, më të rëndësishëm, vendim dhe veprim, të cilin nuk e kanë ndërmarrë asnjëra nga qeveritë e gjertanishme në gjithë këto vite të pasluftës. Bujqit e Kosovës, e në veçanti bujqit dhe fermerët e komunës së Rahovecit, nga ky vit do të mbështeten me vijë buxhetore, jo vetëm në kompensimin e dëmeve, por ata do të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore, po ashtu me linjë buxhetore nga Qeveria. Ky vendim i Qeverisë dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj është më i madhi dhe më i rëndësishmi në fushën e bujqësisë. Veprimet që do të pasojnë pas këtij vendimi do ta vënë bujqësinë e komunës në qendër të vëmendjes dhe për herë të parë bujqit dhe fermerët tanë do ta ndjejnë dhe përjetojnë efektin e përkrahjes dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit me udhëheqjen e fuqishme dhe energjike të Kryeministrit Ramush Haradinaj! Bujqit dhe fermerët tanë, pas humbjeve që pësuan dhe pas dhimbjeve të mëdha që përjetuan, më në fund kanë arsye të gëzohen, sepse me këtë vendim po fillon trajtimi i parë serioz dhe me dinjitet i veprimtarisë së tyre në fushën e bujqësisë, që është shtylla kryesore e zhvillimit të gjithëmbarshëm!

Urime për të gjithë!

Smajl Latifi, Kryetar i Komunës së Rahovecit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti priti në takim drejtorët e shkollave për të diskutuar rreth problemit të mos ekzekutimit të pagave për arsimtarët e komunës së Vitisë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, zhvilloi sot një takim me drejtorët e shkollave …