Brickos

Kryetari Lushtaku uron me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, fillimin e vitit të ri shkollor ua ka uruar të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit të shkollave të Skenderajt. Në urimin e kryetarit Lushtaku thuhet: “Të dashur nxënës, të respektuar mësimdhënës dhe prindër, fillimi i vitit shkollor në shkollat e Skenderajt është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne të gjithë. Sot po nis një betejë e re në luftën tonë të përbashkët për dije dhe për të ardhmen e vendit tonë. Me këtë rast dua që të gjithë fëmijëve t’ju urojë fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, duke i inkurajuar si fëmijët ashtu edhe mësimdhënësit dhe prindërit e tyre, që me përkushtim maksimal dhe me vetëmohim të punojmë së bashku për gjeneratat e së ardhmes së Skenderajt dhe Kosovës. Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve është punë e shenjtë, sepse brezat e rinj janë ata që vendin tonë do ta ndërtojnë në frymën e një shoqërie të hapur dhe demokratike. Duke kujtuar historinë tonë të lavdishme dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësuesve tanë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se e ardhmja e vendit tonë varet nga ne. Nëse ne arrijmë që me dijen tonë dhe me dashurinë ndaj vendit tone të edukojmë shkollarët tanë, kemi arritur që Kosovës t’i sigurojmë të ardhme të ndritur siç kanë dëshiruar paraardhësit tanë. Viteve të fundit, në drejtim të përmirësimit të sistemit arsimor, kemi arritur të ndërtojmë shumë objekte moderne shkollore, kemi arritur të përmirësojmë cilësinë në arsim, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive tona si pushtet lokal, kemi arritur që mësimdhënësit tanë të trajnohen në fushat e kualifikimit të tyre pedagogjik dhe profesional, kemi arritur që në shumicën e shkollave të ketë kabinete dhe laboratorë. Në këtë drejtim ka ende punë për të bërë, sepse mësimdhënia moderne po avancon shumë ditë pas dite dhe kërkesat për cilësi po rriten në vazhdimësi.

Urime viti i ri shkollor, shëndet dhe mbarësi për të gjithë!”

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …