leoni

Kush po flet në emër të Kosovës dhe qytetarëve të saj?

Në emër të Kosovës dhe qytetarëve të saj flasin politikanë, analistë, shkrimtarë, poetë por edhe qytetarë, secili nga këndvështrime dhe pozicione të ndryshme. Shumë njerëz thirren në emër të Kosovës apo edhe të Shqipërisë, duke hipur aq lart sa identifikohen  me popullin dhe vendin, duke i dhënë vetes të drejtë ta përvetësojmë kombin, pavarësisht se i do, nuk i do, apo edhe i urren ata, që pretendojnë se e duan aq shumë.


 


Por ky identifikim me kombin e Atdheun nuk është  shpikja jonë.


 


Edhe perandori i tmerrshëm, Neron, i Romës së lashtë, fliste në emër të qytetarëve të Romës, madje në momentin kur po e shihte vdekjen me sy, nuk i dhimbsej jeta por i dhimbej fakti se nuk do kishte njeri tjetër, që do t’ i argëtonte më mirë romakët sesa vetë ai.


Me Kosovën dhe qytetarët e saj identifikohen: kryetarja, kryeministri, kryekuvendari, ministrat madje edhe shumë nga deputetët, por edhe “analistët” e zhurmshëm që nuk lënë vend të kombit pa i futur hundët, gojët, pse jo edhe duart, të pista e të ndyta.


                                                       


Hashim Thaçi vazhdimisht shprehet, me sintagmat: Kosova ime, UÇK-ja ime guerile etj. Adem Grabocvi thotë, qytetarët e mi, ata që m’i kanë dhënë votat. Kryetarja Jahjaga, në saje të postit që ia ka falur, ish ambasadori i korruptuar amerikan, Kristofer Dell, thotë për veten e saj se është kryetare e Shtetit dhe  e unitetit. Kryetare e unitetit pa asnjë votë, madje edhe pa votën e familjes së vet.


Isa Mustafa flet në emër të Kosovës, ashtu sikur flet në emër të pronave të veta në Prapashticë. Edita Tahiri flet në emër të Kosovës sikur dikur efendeshat, e hanëmet e haremeve, që flisnin e krekoseshin për çifligun  e agait apo pashait. Kadri Veseli po ashtu identifikohet me qytetarët e Republikës, që ia kanë dhënë votat për të qenë kryekuvendar.(!)


Në emër të kombit e Atdheut flasin edhe atëherë kur, kombi e Atdheu as i ka dashur as i do, edhe atëherë kur kombi e Atdheu nuk i meritojnë, pavarësisht se çka mendojnë për mendjen dhe veten e tyre.


 


Të flasësh sot në emër të Kosovës dhe fatit të saj është punë me shumë përgjegjësi. Të thirresh në emër të votave të 40 për qind të qytetarëve të Kosovës, që kanë marrë pjesë në zgjedhje, të mbështetesh në pjesën nga për qindëshi që të ka votuar, është naivitet e djallëzi bashkë. Të flasësh me gjuhën e forcës së shumicës së numrave është tirani dhe hipokrizi.


Po ja që jemi popull i paradokseve, popull i ndeshtrashave dhe bijave e bijve të shumtë shkapërdarë.


Nuk ka më hipokrizi e poshtërsi sesa të flasësh në emër të kombit e Atdheut atëherë kur ia ke dhuruar 10 mijë hektarë tokë  një shteti, i cili me ndihmën e Evropës e Rusisë, një shekull më parë  ka uzurpuar 5 mijë e më shumë kilometra katrorë të trojeve shqiptare në Veri.


Të flasësh në emër të partneritetit të Kosovës me BE-së e Serbinë dhe të lejosh që në veri të vendit të krijohet baza juridike për krijimin e një shteti serb brenda Kosovës, kjo nuk është vetëm hipokrizi e djallëzi, kjo është kryekreje tradhti kombëtare, e tillë sikur ka qenë ajo e Esad Pashë Toptanit, e Ahmet Zogut, Ali Shukriut dhe e sojit të tillë.


Por duket se tani, në këtë kohën tonë të partneriteteve, fjala “tradhti” ka pësuar metamorfozë, sepse  nuk e ka më  kuptimin, sikur del të jetë e shënuar në fjalorin  e gjuhës shqipe. Sot të tradhtosh do të thotë të krijosh partneritet, të bashkëjetosh me të tjerët, për të mbetur me çdo kusht në pushtet.  Tekefundit fjalës tradhti sikur i ka dalë boja. Më shumë e përdorim fjalën, “kolaboracionist”, edhe pse kemi fjalën puro shqipe, “bashkëpunëtor”, njeri që iu shërben të huajve duke i shkaktuar dëm interesave të kombit. Por tekefundit kuptimi gramatikor, sipas fjalorit, është bashkëpunëtor dhe varet pastaj si vihet në jetë, si interpretohet e si lakohet në rasat e gramatikës politike.


 


Të flasësh në emër të luftës fitimtare të UÇK-së dhe të bashkëpunosh e të bashkëveprosh me kundërshtarët më të regjur të saj, të flasësh në ruajtjen e vlerave të luftës kur ke shpallur veteranë krejt farefisin dhe ke injoruar shumë të merituar, të flasësh në emër të Kosovës, të cilën e ke zhvatur dhe e zhvat  në mënyrat më të liga, të votosh formimin e një gjykate raciste e fashiste, ndërkombëtare, kundër një lufte çlirimtare, të cilën e ka ndihmuar Aleanca më e madhe ushtarake e botës, këto veprime janë në dis-harmoni të plotë me vlerat e pretenduara. Këto janë veprime antikombëtare, pavarësisht nga këndi si mund të lakohen e të interpretohen.


Është për faqe të zezë të thirresh në emër të kombit e Atdheut, kur prapa shpine ia bën gjëmën. 


Është turp dhe tradhti e pafalshme të thirresh në emër të kombit e Atdheut, kur dëmton interesat vitale të kombit e Atdheut dhe kur i quan vandalë, ata që nuk pajtohen me marrëveshjet  në dëm të vendit.


 


Ahmet Qeriqi


19. 11. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …