RKL

Labinot Dervishaj: 23 vjet me zërin e lirisë, Radion Kosova e Lirë

Sa herë që afron data e 4 janarit na kujton ditën e themelimit dhe fillimit të punës së radios Kosova e Lirë. Pikërisht me këtë datë në vitin 1999 kur Kosova ishte në flakë të luftës për çlirimin e atdheut me pushtuesi serb e nisi punën radio Kosova e Lirë. Një mjet i informimit shqiptar nga vijat e luftimeve si radio Kosova e Lirë ishte një nevojë e domosdoshme në luftën për liri që e drejtonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës e sidomos pas rënies së mbi 40 luftëtarëve të lirisë në kufirin shqiptaro-shqiptarë më në krye komandantin Mujë Krasniqi në dhjetor të vitit 1998, mediet e propagandës serbe thoshin së UÇK është në shpartallim e sipër. Ndërsa mediat e pakta shqiptare që operonin në podrumet e skutat e Prishtinës ishin krejtësisht në terr informativ, larg realitetit dhe pothuajse vetëm i përkthenin disa nga lajmet e mediave serbe.

Prandaj më Radion Kosova e Lirë mori forcë jehona për luftën çlirimtare, mobilizim dhe bashkim deri në fitore. Zëri i kësaj radio në shpirtrat e liridashësve shihej si zëri i shpresës për liri. Zëri i kësaj radio e rriste moralin e luftës dhe guximin e trimave çlirimtar që ndonëse nuk ishin askund të barabartë me forcat armike ata bënin luftë e qëndresë heroike ku do në përballje me forcat serbe.

Para se gjithash me zëri i Kosovës së Lirë ishte zë i parë dhe i vërtetë që dëgjohej nga vijat e luftimeve dhe për këtë fakt edhe ajo u vë në shënjestër të sulmeve makabre të artilerisë serbe por që nuk e ndaloi punën për asnjë moment. Radio Kosova e Lirë punonte dhe dëgjohej zëri i saj edhe nën rrënje lisash e pas shkëmbinjve në malet e Berishës në borën e acarin e dimrit të vitit 1999 por nuk ndalej as nuk shuhej zëri i lirisë.

Ndërsa pas luftës dhe çlirimit të vendit radio Kosova e Lirë e vazhdoi punën në Prishtinë duke u veçuar nga të gjitha mediumet e tjera në aspektin e programit më serioz dhe gjithëpërfshirës për të gjitha trevat shqipfolëse. Tash e 23 vite në këtë medium mund të dëgjohen këngë për çdo ditë dhe monografi për dëshmorët e kombit, njoftime dhe përkujtime për të rënët për liri, emisione për krimet serbe në Kosovë, për artin dhe kulturën shqiptare, emisione për personalitete të shquara të kombit si dhe analiza dhe opinione nga njerëz të ndershëm dhe mendje ndritur.

Radio Kosova e Lirë ndër të tjera veçohet edhe për gjuhën e pastër shqipe dhe terminologjinë e duhur të përdorimit në gazetari. Si medium i themeluar në luftë padyshim së është vlerë e luftës çlirimtare por tash e 23 vite ajo është injoruar vazhdimisht nga institucionet vendore. Është përbuzur dhe paragjykuar vetëm për shkak të qëndrimit të saj të pathyeshëm në frymën patriotike dhe atdhedashëse.

Radio Kosova e Lirë sot funksionon fal ofrimit të shërbimeve të marketingut për disa nga partnerët besnikë të saj përndryshe shteti i Kosovës asnjëherë deri me tani nuk e ka përkrahur me asgjë këtë vlerë të çmuar të luftës çlirimtare. Përkundër vështirësive financiare dhe sfidave të tjera kjo radio vazhdon të qëndrojë stoikisht. E gjithë kjo forcë e saj buron nga vullneti i jashtëzakonshëm i profesor, Ahmet Qeriqit, një njëri i pathyeshëm dhe i brumosur me ndjenjat më të larta atdhetare, i cili përkundër viteve dhe moshës së shtyrë punon pa ndalur vetëm që zëri i radios Kosova e Lirë të dëgjohet akoma.

Sa të këtë shqiptar mbi këtë tokë u dëgjoftë dhe jehoftë zëri i radios Kosova e Lirë!

Kosovë e Lirë, urime 23 vjetori i themelimit!

Skenderaj 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …