Shumë të nderuar familjarë të profesor Ahmet Qeriqit, kolegë, miq, bashkëpunëtorë, dashamirë dhe të gjithë ju që sot jeni mbledhur këtu për ta nderuar kujtimin e një njeriu të madh, një personaliteti që me jetën dhe veprën e tij u bë dritë udhërrëfyese për kombin tonë, një shtyllë e pathyeshme e fjalës së lirë dhe e idealit të lirisë.
Sot bëhet një vit nga dita kur profesori Ahmet Qeriqi u nda fizikisht nga ne. Një vit është vetëm një shenjë kalendari, por jo një matje e zemrës. Sepse mungesa e njerëzve të mëdhenj nuk zbehet me kohën, ajo thellohet me vetëdijen se sa shumë na kanë dhënë, sa shumë kanë sakrifikuar dhe sa shumë kanë lënë pas si trashëgimi të pavdekshme.
Unë e pata fatin, nderin dhe privilegjin ta kem udhërrëfyes në ditët e para të punës sime si njeri e si gazetar. Për pesë vite pune në Radio Kosova e Lirë, nën drejtimin e tij, mësova se arti i gazetarisë nuk është thjesht profesion, por mision. Se fjala nuk është vetëm mjet komunikimi, por përgjegjësi morale dhe kombëtare. Se e vërteta nuk negociohet, nuk blihet e nuk shitet.
Ai e drejtoi radion Kosova e Lirë në kohët më të vështira, në ditët më dinamike dhe vendimtare të luftës, nga 4 janari i vitit 1999 e deri në përfundimin e saj, që për epilog pati çlirimin e Kosovës. Në një kohë kur fjala mund të kushtonte jetën, ai zgjodhi të flasë. Në një kohë kur frika mund të përkulte çdokënd, ai qëndroi drejt, vertikalisht, si një shtyllë e pathyeshme e lirisë. Por edhe në liri nuk u servilua kurrë para asnjë fryme apo ideologjie politike, nuk kërkoi përfitim, nuk ndërroi qëndrim sipas rrymave. Qëndroi si gur i fortë, si flamur i lirisë, si zë i ndërgjegjes kombëtare.
I kalitur që nga rinia, i formuar nëpër sprova dhe vite të burgut të rëndë, profesori Ahmet Qeriqi ishte shembull i dinjitetit njerëzor. Ai zgjodhi të mbijetojë me nder, por kurrë të mos nënshtrohet. Dhe kjo është një nga mësimet më të mëdha që na la: se nderi është më i rëndësishëm se jeta vetë, se liria është më e çmuar se çdo pasuri, dhe se e vërteta është trashëgimia më e madhe që mund t’i lëmë brezave.
Pas çlirimit të vendit, kur shumëkush kërkonte pushim e akomdim, ai vazhdoi misionin e tij pa u lodhur në ndriçimin dhe dokumentimin e historisë më të ndritur të kombit. Pa kursyer as shëndetin, as veten, shkroi dhe përpiloi me përkushtim mijëra e mijëra monografi për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Çdo fjalë, çdo varg dhe çdo faqe e shkruar prej tij ishte akt përgjegjësie historike dhe kombëtare. Çdo fakt i verifikuar ishte respekt ndaj së vërtetës dhe vetëm të vërtetës.
Urtësia, objektiviteti, korrektësia, paanshmëria dhe saktësia ishin themel i karakterit të tij unitar e unik prej njeriu fisnik. Ai ishte vizionar, mjeshtër i fjalës, i analizës dhe i kritikës konstruktive. Nuk kritikonte për të rrëzuar, por për të ngritur dhe promovuar idealen dhe racionalen. Nuk fliste për të pëlqyer, por për të zgjuar ndërgjegje. Fjala e tij kishte peshë, sepse vinte nga një jetë e tërë e jetuar me sakrificë dhe ideal kombëtar.
Njerëz të tillë lindin rrallë. Dhe kur largohen, lënë pas jo vetëm dhimbje, por një trashëgimi që nuk shuhet. Ai që shkroi e foli për etapën më të ndritur të atdheut, vet do të mbetet pjesë e historisë më të lavdishme të kombit.
Ndarja e tij nga jeta më 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, mbart një simbolikë të veçantë. Ai u nda në ditën që i kushtohet arsimit, dijes dhe mësuesit. Sikur vetë data të dëshmonte se misioni i tij ishte pikërisht ndriçimi i mendjes dhe edukimi i brezave. Po ashtu, kjo datë përkon me kujtesën e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, ditë që shënuan kthesë historike për kombin tonë. Kjo përkimësi kohore flet për një jetë të lidhur ngushtë me fatin e vendit dhe me idealin e lirisë.
Sot, një vit pas largimit të tij, ne nuk kujtojmë vetëm një profesor. Kujtojmë një institucion. Kujtojmë një njeri që jetoi denjësisht, që punoi pa u lodhur dhe që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e fjalës së lirë dhe të kujtesës sonë kombëtare.
Ashtu siç thoshte Fishta në Lahutë: “Guri i ashpër mbi varr e lëndina e dheu i butë.” Profesori Ahmet Qeriqi mbetet gur i fortë në themelet e ndërgjegjes sonë kombëtare, një monument i pavdekshëm i fjalës dhe i lirisë.
Lavdi jetës, veprës dhe kujtimit të tij të përjetshëm!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
