Nexhmedin Pireva

Letër nga burgu: Nexhmedin Pireva, letër vëllait nga Burgu i Zabellës së Pozharevcit ( shtator 1987)

Vëlla Adem !

Më së paku më ka shkuar mendja që edhe nëna vjen në vizitë kësaj radhe, por gjithçka po ndodhka. U gëzova pa masë që u takuam edhe njëherë për së gjalli. Ishte plakur shumë, e ka plakur sëmundja shumëvjeçare, beso që mbasi që ka ardhur me ju edhe e mbështjellur, se përndryshe unë me njohtë atë jo.  Ka ndërruar shumë, m’u duk se ka mbetur një grusht njeri. Po ju qortoj pak juve, pse mos me e marrë Besimen, në mënyrë që me ia lehtësue rrugën asaj, ka me kalue  kohë e gjatë e ajo ke me ndie veten të lodhur e të këputur. Më tha se vështirë e kam me e gjetë, gjallë. Thuaj nënës mos ke dert se kam me t’gjet’ gjallë e bile edhe t’fortë.

Vëlla! -më njofto si kaluat rrugës në kthim, dhe në orën sa arritët në shtëpi. Ju vërejta se kishit qenë të lodhur, me siguri nuk e keni planifikuar vizitën që të tre, por ti ke dashur të vish vet me autobus apo me tren, e me ardhur daja çdo muaj me siguri edhe ju ishit ardhur me veturë, sikurse kësaj radhe. Baba ish mirë me shëndet, gjithashtu edhe ti ishe mirë, e gëzohem që punët në punëtori po venin mirë, e ty të brengos ajo që edhe unë me qenë në shtëpi kishin me shkuar punët edhe më mirë është e pamohuar thënia jote. Edhe unë do ta kaloja  më mirë se sa këtu në burg. Kështu e ka jeta, kush në burg, e kush në liri, krejt e kam të qartë, çdo fjalë më shumë është e tepërt. Kemi kaluar qaste të këndshme në takimin që shkoi, kjo është përshtypja ime, e përshtypjet tuaja m’i përshkruaj në letër.

Më tregove se grurin ende nuk e keni mbjellë, e drutë ende nuk i keni siguruar për dimër. Gruri mbillet më lehtë, sa edhe me korrë, e drutë kanë punë, duhet me i pre në mënyrë primitive, me sëpatë, edhe terreni me i lartë është tejet i vështirë, e po të kishin  një moto-sharrë, për dy-tre ditë i kishit kryer.

Pakon e mora, s’peshonte më shumë se gjashtë kilogram, nëse s’ keni me çka me e mbushë, herave të tjera  futni purri, qepë, hudhra… Mos i mbështillni me qese najloni, thua se i dërgoni bukë ndonjë argati në mal, kështu po më duket mua.Me siguri po më duket mua, pasi që po shoh nga të tjerët se çfarë përgatitjesh i bëhen paketës, gjithçka nga pak e bëhet mjaft. Me zarzavate që gjenden në shtëpi e mbushni pakëtën, me  speca të mbushur apo sarma, apo manti, ndonjë sallatë e zier me pak mish dhe shumë gjellra të tjera….

Të re s’ka asgjë, krejt me të vjetrën po shkon. Për festë paketa lejohet më e rëndë se sa rëndom, tetë kilogram më tepër, e ty të porosisë që me 28 apo 29 tetor 1987, e futë një paketë në postë prej 6 kg. 1 kg çaj, 1 kg pemë, e në vizitë mundeni me ardhur kah 21 nëntori dhe mund të merrni një  paketë me peshë deri  në 14. kg.

Tjetër nuk po di çfarë t’iu  shkruaj as të iu kërkoj.

Kështu e ka jeta, kush në burg, e kush në liri, krejt e kam të qartë, çdo fjalë më shumë është e tepërt.

Ju përshëndes të gjithëve me radhë.

Më shkruaj më shumë.

 Vëlli  juaj, Nexhmedin Pireva !

 

 

Nexhmedin Pireva u dënua me aktgjykimi i grupit të dytë të të rriturve, të Besisë, më  2 gusht të vitit 1981. (P. Nr. 110/81), nga Gjykata e Qarkut, në Prishtinë, e cila ia shqiptoi dënimin 13 vjet burg. Ka vdekur në moshën 39-vjeçare.

Në këtë letër të Nexhemdin Pirevës hetohet më së miri se cila ishte gjendja e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Serbisë. Edhe pse i ri dhe i kalitur për të qëndruar në të gjitha segmentet që nënkuptonte qëndresa ai në komunikim me familjen shtron edhe problemin e urisë konstante. Porosit ushqime, kërkon që pakoja e kufizuar në kilogramë, të mbushet me çfarëdo ushqimi, pse jo edhe me presh e gjellra. Nexhemdini ashtu sikur edhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, në këtë letër, të vetmën që e disponojmë na jep për të kuptuar sesi jetonin të burgosurit, me çka ballafaqoheshin, sa interesoheshin për mbarëvajtjen e familjes e të tjera. Meqë letrat censuroheshin dhe për ndonjë shprehje të bindjes ndryshe  në raport me pushtetin edhe mund të fillonte procedurë penale, ai shprehet i rezervuar…

I ngujuar në zinadan, i burgosuri, Nexhemdin Pireva mendon për familjen, skamjen, ballafaqimin me egërsinë e pushtetit, e cila nuk thuhet hapur por nënkuptohet. Ai trishtohet kur e sheh nënën e tij, në gjendje tejet të dobët shëndetësore, të cilën nuk e kishte parë me vite. I dukej se ishte plakur shumë, se nuk nuk do ta shihte më për së gjalli, edhe pse në letër shfaqte shpresë  se do ta shihte.

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …