Lëvizja Vetëvendosje përkujtoi 20-vjetorin e Masakrës së Poklekut

Lëvizja Vetëvendosje përkujtoi 20-vjetorin e Masakrës së Poklekut

Me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Poklekut, ku u vranë e më pas u dogjën 54 shqiptarë të paarmatosur nga forcat serbe, një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetët Rexhep Selimi, Shemsi Syla si dhe veprimtarët Gani Krasniqi, Enver Dugolli, Adem Gashi, Zeqir Bekolli, Shemsi Elezi e Xhavit Drenori, së bashku me aktivistë nga Qendra e Lëvizjes në Drenas dhe Skenderaj, ka bërë homazhe në këtë fshat. Ky delegacion i Vetëvendosjes më pas ka bërë homazhe edhe në Çikatovën e Vjetër ku u vranë 24 shqiptarë civil të paarmatosur.

Prej foshnjës gjashtëmuajshe e deri te plaku 75-vjeçar, shqiptarët civil të paarmatosur të Poklekut të Vjetër në komunën e Drenasit nuk u kursyen nga forcat serbe. “Familjet Muqolli, Caraku e Elshani që provuan të largohen nga fshati në drejtim të Drenasit, u detyruan nën kërcënimin e tytave të armëve të forcave serbe të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, ku qëndruan për një ditë të plotë të mbyllur nën ankth nga terrori i forcave serbe që edhe hynë nëpër këto shtëpi rreth orës 17:30 për të kryer një ndër masakrat më të tmerrshme. Mbi trupat e 54 civilëve të paarmatosur, nga foshnja gjashtë muajsh e deri tek plaku 75 vjeç, u hodhën granata e u zbrazën 7 karikator të automatikut. Secili u kontrollua me këmbë se a ishte gjallë, e më pas edhe iu vu zjarri shtëpisë – pra u dogjën trupat e 54 shqiptarëve të masakruar. Në të njëjtën ditë, në fshatin Çikatovë e Vjetër u vranë edhe 24 shqiptarë civil të paarmatosur”, është thënë në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Me tutje është theksuar se 20 vite më pas, ende nuk është vënë kurrfarë drejtësie për këtë krim e gjenocid të kryer nga Serbia.

“Derisa këto krime, e mosvënia e drejtësisë na rëndojnë zemrën e mendjen çdo vit, presidenti e të ngjashëm si ai, ende besojnë se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë duke mos i përmendur këto krime. Kjo është e pafalshme. Këto krime të Serbisë nuk do të harrohen kurrë, dhe duhen përmendur e përkujtuar përherë”, është theksuar në vazhdimin e komunikatës.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …