Ahmet Qeriqi: Kështu foli Azem Syla, pak për veten e shumë për të tjerët

Libri i Agim Sylejmanit, “Rrëfime nga burgu” është një libër i veçantë sa i përket temës dhe përmbajtjes

( Fjala e Ahmet Qeriqit, në përurimin e librit: Rrëfime nga burgu”  të autorit, Agim Sylejmani, më 29 nëntor 2017, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë )

Është hera e parë në publicistikën tonë në Kosovë,  të gjejmë brenda një libri rrëfimet e 31 veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare, të njohur në letrat tona si të burgosur politikë, apo të burgosur  të ndërgjegjes. Mungesa tejet e shprehur e kësaj teme, është  një paradoks i llojit të vet, që nuk ka arsyetim, e për me keq nxjerrë në sipërfaqe edhe mungesën e përkrahjes së institucioneve tona  për ta ndriçuar jetën dhe aktivitetet atdhetare të dhjetëra mijëra shqiptarëve,  që kanë kaluar nëpër burgjet e kazamatet e ish-Jugosllavisë.

Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë nismë, asnjë konkurs qoftë edhe rajonal, me synim për ta nxitur këtë temë të munguar në letërsinë  shqiptare.

Nuk ngurroj ta them, por edhe ta pranoj publikisht se një pjesë të fajit e kemi edhe vetë ne, ish të burgosurit, që nuk kemi arritur të unifikohemi në drejtim të ndriçimit të së kaluarës nëpër burgje, e cila ka suficit të shprehur, që nuk mund të kompenzohet dot jo vetëm ne një, dy tri libra të kësaj tematike, por as edhe me  qindra vëllime.

Ja edhe një paradoks tjetër.

Kosova me viset shqiptare nën RSFJ, nëse kufizohemi vetëm në përudhën prej vitit 1945 e deri në vitin 2001 ka pasur numrin më të madh të të burgosurve, në Evropë, në krahasim me numrin e popullatës. Edhe pse nuk disponoj ndonjë statistikë të mirëfilltë e them me bindje se as edhe përafërsisht  nuk ka pasur kaq të burgosur në Shqipëri, të pakën jo për vepra penale të kualifikuara si politike. Po ashtu Kosova ka pasur edhe ka Mendelen e vet, bacë Adem Demaçin, i cili ka mbajtur 28 vjet burg për veprimtari atdhetare. Edhe në trevat e Baskëve në Spanjë dhe në Francë, pastaj në Irlandë, në Hungari e në disa vende të tjera evropiane    ka pasur të burgosur politikë, por as përafërsisht nuk  ka pasur numër aq të madh të të  dënuarve  në krahasim me  shqiptarët e dënuar në ish RSFJ, sidomos në dy periudha kohore kur është shënuar numri më i madh i të burgosurve, të vrarëve e të dënuarve deri edhe me vdekje.

Në vitet 1945-1950, kur janë dënuar mijëra shqiptarë të NDSH-së, 1200 prej tyre prej 5 deri në 20 vjet, 500 me pushkatim, 300 kanë vdekur gjatë vuajtjes së dënimeve. Periudha tjetër prej vitit 1981 deri në vitin 2001, kur janë liruar të burgosurit e fundit, që i kishte rrëmbyer Serbia me rastin e kapitullimit, në qershor të vitit 1999 kur edhe u dëbuan nga Kosova forcat ushtarake e policore të Serbisë, rezulton me dhjetëra mijëra të burgosur politikë.

Tani t’ i kthehemi librit

Agim Sylejmani, veprimtar, ish i burgosur, publicist e shkrimtar, shumë komunikues dhe i afërm me familjen e madhe e të “stërlodhur” të ish të burgosurve,  ka arritur  ta nxjerrë në dritë librin, “Rrëfime nga burgu” të cilin po e përurojnë sot. Është fat që ka gjetur përkrahjen e duhur të disa prej shokëve të burgut dhe ka nisur një rrugë, së cilës duhet t’ i japim shtytje të gjithë, ashtu sikur në kushte dhe rrethana të robërisë kemi përkrahur rezistencën për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Dua të besoj se Agimi do të vazhdojë këtë aktivitet dhe thërras me këtë rast të burgosurit politikë të mos hezitojnë të shkruajnë përjetimet e tyre në burgje, sepse ato rrëfime kurrë nuk harrohen, sepse nuk ka të burgosur politik që ende është gjallë, në këto treva të Shqipërisë, që nuk di shkrim lexim dhe që nuk ka aftësi arsimore e intelektuale të hartojë rrëfime të tilla. Po mjerisht ka pasur dhe ka në mesin tonë parazitë, mospërfillës, injorues të nismave të tilla,  vetëm sepse nuk janë ata vetë inicuesit, apo thjesht duan ta harrojnë atë kohë, sepse ndihen të tradhtuar, apo edhe sepse kanë halle e preokupime të tjera jetësore, me pasoja që ka lënë burgu.

Unë kam shkruar një libër me rrëfime nga burgu, që e kam ndërtuar në formën e romanit të personazhit  dhe është mirëpritur nga lexuesit e kritika. E di se jo të gjithë të burgosurit janë në gjendje të shkruajnë romane, rrëfime, drama e novela me temën e burgut. Por jam më se i sigurt se pikërisht në këtë ambient, këtu në mesin tonë, janë shumë ata që ia dalin, me sukses ta begatojnë letërsinë tonë në këtë segment,  ndërsa nga mesi i të burgosurve, që i  njoh unë, janë shumë  syresh që i disponojnë mundësitë arsimore, intelektuale për të hartuar  vepra të tilla, por iu mungon vullneti, mbase edhe nuk e shohin të arsyeshme të merren gjithaq me të kaluarën. Dhe jo vetëm njëherë na ka ndodhur, që  kur nuk jemi marrë sa duhet me të kaluarën dhe kur nuk kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ajo, e kaluara është marrë me ne  dhe na ka kthyer në vendnumërim.

Unë nuk do të flas shumë  për librin, sepse jam njëri nga 31 personazhet e prezantuar këtu, që flet në vetën e parë, dhe për këtë shkak nuk më takon gjithaq, sepse këto rrëfime flasim vetë, secili në mënyrën e përjetimit të vet. Ato janë vetë, analiza e komente, janë rrëfime që nuk harrohen, janë pjesa  më e dhembshme por edhe më krenare e të burgosurve, janë skica tregime, shkrime, ankesa, poezi, diskurse të veçanta letrare e publicistike.  Edhe pse  nuk  arrij të flas për secilin rrëfim veç e veç, them me bindje se këto janë rrëfime autentike, shumë të çiltra, krejtësisht  të vërteta, të shkruara thjesht, pa shtrembërime e deformime. Janë pjesë nga memoria që kurrë nuk fshihet, janë përjetime të thella që lidhen me dhembjen tonë fizike e shpirtërore, individuale e kolektive.

Janë bijtë e bijat tona, janë nipërit e mbesat, të afërmit e të njohurit, të cilët do t’i lexojnë dhe për një çast do të bashkohen me të kaluarën tonë të rëndë si tunxhi, por të pastër si biluri.

Në fund më mbetet të shpresoj se nga kontingjenti tejet i madh i të burgosurve, do të gjenden mjaft nga ata që nuk përtojnë për të dhënë kontributin e tyre, në mënyrë që ky projekt të mos dështojë, ashtu sikur, tash për tash ka dështuar projekti i botimit të “Letrave nga burgu”, që doli vetëm një vëllim, kuptohet se ka dështuar për shkaqe objektive. Për ju që nuk e  keni pasur atë libër në duar,  u bëj me dije se  nga më shumë se dhjetëmijë letra që supozohet me të drejtë se i disponojnë  të burgosurit, janë botuar vetëm nga dy tri letra të 42 të burgosurve politikë të viteve 80. Ja cili është bilanci.  Vetëm unë disponoj më shumë se 100 letërkëmbime me familjen.

Për fund Agimit i dëshiroj sukses në punën e tij, e cila në rastin konkret nuk varet vetëm nga ai, andaj thërras shokët e burgjeve për mirëkuptim, në mënyrë  që ky projekt të mos dështojë,  në mungesë të rrëfimeve, sepse kjo krijimtari e  begaton letërsinë dhe historinë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …