Me 28 nëntor 2022, në fshatin Petrovë të Shtimes do të zbulohet pllaka përkujtimore e luftëtarit të NDSH-së, Isuf Muharremi

Luftëtari i lirisë dhe dëshmori i NDSH-së, Isuf Muharrem Azemi (1898-1946) nga Petova e Shtimes dhe vëllai i tij, Hajdar Muharremi ( 1909-1979) I

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila veproi politikisht e ushtarakisht prej vitit 1944 e deri në vitin 1951, ka qenë Lëvizja bazike  e të gjitha lëvizjeve të mëvonshme të shqiptarëve të mbetur nën regjimin e ish RSFJ-së, pas Luftës së Dytë Botërore e  deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në vitin 1997 e kishte nisur atje ku e kishte lënë NDSH-ja, pasi ajo nuk kishte arritur për të bërë më shumë në kohën dhe rrethanat  e njohura historike.

Kjo Lëvizje e mirëfilltë  kombëtare dhe demokratike në orientimin politik të veprimit ishte diga më e fortë e qëndresës kombëtare, e cila u ballafaqua me pushtuesit serbë e jugosllavë prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, kur kishin rënë në pritë edhe dy heronjtë e saj: Hasan Remniku dhe Mustafë Koka. Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë me 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9-10 tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatzënë, dhe Agush Mehmeti me gruan, Qibrie Misin Alidemen.  (Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare). (RKL, 2. 2. 2016).

 

LNDSH-ja fillimet e veta të zgjerimit në trojet shqiptare i ka qysh në vitin 1944 me rastin e themelimit të saj në Shkup dhe zgjerimit të hovshëm në të gjitha lokalitetet shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Kosovës Lindore e gjetkë.

Embrionin e Lëvizjes së ONDSH-së në Shkup e kishin filluar treshja: Azem Morana, mësues nga Shkupi, Qemajl Skënderi, berber, dhe Hasan Bilalli, mësues në Shkup, me prejardhje nga Vushtrria, të cilët më pas takohen në shtëpinë e Qemalit në Shkup dhe vendosin  të formojnë një organizatë politiko-ushtarake, e cila do t’i mbronte interesat kombëtare dhe njëkohësisht do të luftonte në sendërtimin e aspiratave për formimin e shtetit etnik shqiptar. Sipas kujtimeve të Qemal Skënderit, këta të tre  kishin bërë betimin, i cili ishte betim i parë i anëtarëve të këtij komiteti. Ceremonia e betimit bëhej duke qëndruar në këmbë para flamurit, Kur’anit dhe armës, me këto fjalë: “Betohem në Kur’an, në flamur, në gjakun shqiptar dhe në armë, se do të punoj, me besnikëri e sakrificë me çmim të jetës, për kombin shqiptar dhe për çlirimin e bashkimin e tokave shqiptare në Shqipërinë etnike…” Teksti i betimit, me pak ndryshime të vogla, me ndërhyrjen e Gjon Serreçit, ka mbetur i njëjtë deri në fund. Pas disa takimeve të mëparshme, Azem Morana, Hasan Bilalli dhe Kemal Skënderi, në muajin prill 1945, formojnë Komitetin e Rezistencës të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, që në fakt përbënte Komitetin e parë Qendror të ONDSH-së me qendër në Shkup.  ( Aliriza Selmani:  VEPRIMTARIA PATRIOTIKE KOMBËTARE E NDSH-së NË VISET E ANAMORAVËS  08/01/2017)

Duke arsyetuar formimin e kësaj Lëvizjeje njëri ndër ideologët e saj, Gjon Serreçi, më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë,  i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….( A. Q. Luftëtarë të NDSH-së II, Prishtinë 2016)

Pas thyerje së rezistencës së armatosur të Shaban Polluzhës,  në Drenicë,  në shkurt të vitit 1945, të gjitha forcat e rezistencës në Kosovë e më gjerë iu kishin bashkuar  LNDSH-së,  e cila kishte program të vërtetë kombëtar për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare, pasi forcat komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë ishin  tradhtuar nga Titoja dhe Rankoviqi, të cilët kishin pezulluar Rezolutën e Konferencës së Bujanit,   e cila është mbajtur më 31 dhjetor 1943 e deri me 2 janar 1944, si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes dhe Konferenca e Pezës, dhe  si rezultat i mos përfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare që dikur kishin qenë nën sundimin e ish Mbretërisë Serbe Kroate e Sllovene,  konferenca e Bujanit u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ -it në Jajcë të Bosnjës e Hercegovinës (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së).

Isuf Muharrem Azemi ka lindur në vitin 1898, në lagjen Hysenaj të fshatit Petrovë  të komunës  së Shtimes.

I takon një familjeje  fshatare me ndenja  të shquara atdhetare. Në kohë e robërisë së Mbretërisë Jugosllave, aktet e dhunës mbi popullatës shqiptare e kishin nxitur për kryengritje kundër sundimit të huaj. I edukuar në frymë atdhetare  te ai kishin  bërë përshtypje lufta dhe qëndresa atdhetare  e Azem e Shote Galicës,  Ahmet Shtimes, Ramë Bllacës,  Imer Devetakut, Adem Ilazit të Reçakut e trimave të tjerë të cilët iu kishin kundërvënë regjimit shtypës e shfarues  të monarkisë jugosllave.

Si shumë atdhetarë të tjerë kishte mirëpritur arritjen në prill të vitit 1941 në Kosovë të forcave shqiptare-italiane, të cilat kishin filluar kontrollin në të gjitha viset shqiptare, prej Sanxhakut, Kosovës, Maqedonisë dhe në tërë Çamërinë.

Regjimi italian i asaj  kohe kishte për qëllim t’ i ndihmonte shqiptarët ushtarakisht  që sapo kishin dalë nga robëria. Ai  kishte hapur kudo shkolla shqipe në të cilat valëvitej  flamuri Kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Shqiptarët ishin të lirë të tregonin dhe të lëviznin  të lirë kudo në trevat e tyre. Kishin letërnjoftimet në gjuhën shqipe, punonin në administratë dhe në punë të tjera me interes për kombin e atdheun. Edhe pse Italia kishte qenë pushtuese në Shqipëri, ajo nga Kosova kishte përzënë një  pushtues mizor,   sikur kishte qenë Jugosllavia e asaj kohe në vitet 1918-1941,  e cila kishte projekt qeveritar për  nënshtrimin e plotë të shqiptarëve, marrjen e tokave, dëbimin për në Turqi dhe represionin intensiv  për asimilim,  zhdukjen graduale deri në shfarosje kolektive.

 

vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. E diel 2 maj, 1999

Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. (E diel 2 maj, 1999)

Vazhdojnë sulmet e Aleancës ushtarake Veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me rastin e …