Lulzim Rafuna: Bllokada institucionale i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë, prodhuesit kanë nevojë për mbështetje urgjente

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se bllokada institucionale e vendit ka shkaktuar dëme të mëdha për ekonominë dhe bizneset, duke theksuar se mungesa e institucioneve funksionale për më shumë se 16 muaj ka penguar reformat e domosdoshme. Rafuna tha se Kosova po bëhet gjithnjë e më e varur nga importi, ndërsa prodhimi dhe eksporti vendor janë në rënie. Ai kërkoi miratimin urgjent të një pakete mbështetëse për bizneset, e cila, sipas tij, duhet të përfshijë masa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, uljen e importit dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese e eksportuese. Sipas Rafunës, mungesa e një Kuvendi funksional dhe e institucioneve me mandat të plotë ka pamundësuar realizimin e reformave të nevojshme në politikat fiskale, sundimin e ligjit dhe sektorë të tjerë me rëndësi për zhvillimin ekonomik. Rafuna vlerësoi se Kosova ka nevojë edhe për një ambient më të favorshëm për investimet e huaja, duke paralajmëruar se vonesat në reforma po ndikojnë negativisht në klimën e biznesit. Ai iu referua edhe të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave për këtë vit pritet ngadalësim i rritjes ekonomike dhe rritje e inflacionit. Sipas këtyre të dhënave, deficiti tregtar i mallrave është rritur me 12.5 për qind, duke arritur në 6.1 miliardë euro, ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie të lehtë prej 0.2 për qind, me një vlerë prej 942.1 milionë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dënon me vendosmëri deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq

REL: Ministrja serbe Snezhana Paunoviq mori pagë për vite nga një institucion shëndetësor i mbyllur në Kosovë

Ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ka vazhduar të marrë pagë …