Mateo Albertini: Ndikimi i Vatikanit në konvertimin e myslimanëve në Kosovë

Mateo Albertini: Ndikimi i Vatikanit në konvertimin e myslimanëve në Kosovë

Qysh prej Shkurtit 2008,  shpalljes së pavarësisë së Kosovës – ku të paktën 90% e popullsisë së saj njihet nominalisht si myslimane – Vatkani ka kërkuar dukshëm ta rrisë prezencën e tij vazhdimisht, tani madje pa e fshehur fare si qëllim.

Pavarësisht faktit se vetëm 5 % e kosovarëve njihen si katolikë, Vatikani po tejkalon të gjitha iniciativat fillestare (të kufizuar në rigjenerimin e komunitetit egzistues katolik), duke e konsideruar si interes strategjik përpjekjet për konvertim të myslimaneve vendas. Edhe pse Vatikani nuk është i vetëm në këtë rrugë (në Kosovë mes organizatave të ndryshme të krishtera dhe myslimane vazhdojnë aktivitetin e tyre kryesisht edhe mjaft organizata evangjeliste amerikane) ai është institucioni i vetëm fetar i huaj aktiv më i fuqishëm në vend. Në aktivitetin e Selisë se Shenjtë në Kosovë përfshihet shtimi i personelit koordinues, ndërtimi i godinave publike dhe puna në institucionet e arsimit fetar. Disi në mënyrë provokative, këto aktivitete kanë përfshirë edhe ndërtimin e shkollave të reja në krahina historikisht të banuara nga myslimanë, siç është qarku jug-perëndimor i Prizrenit, duke bere haptazi thirrje konvertuese ndaj myslimanëve.

NDËRTESAT SIMBOLIKE

Megjithëse projekti më i shtrenjtë dhe ambicioz deri më tani ka qenë ndërtimi i katedrales së re në Prishtinë, kushtuar “ Së bekuarës Nënës Terezë”, murgeshës së njohur katolike të Kalkutës, e lindur në Shkupin fqinj në një familje shqiptare. Inagurimi i katedrales u bë më 5 Shtator 2010 nga  Fatmir Sejdiu, asokohe kryetar, ditë e cila shenonte gjithashtu edhe përvjetorin e 13-të të vdekjes së Nënë Terezës. Për shkak të profilit të saj të shquar anë e mbanë botës dhe shërbimit të saj ndaj katolicizmit duke u kthyer në simbol të kësaj feje, murgeshës se ndarë prej kësaj bote i filloi me procedurë të përshpejtuar rruga drejt shenjtërisë, duke u lumturuar kështu që në 19 Tetor te vitit 2003. (Tani ajo qëndron një mrekulli të dëshmuar larg nga të qenët zyrtarisht shenjtore).

Gjatë inaugurimit, presidenti Sejdiu e vlerësoi katedralen si simbol të tolerancës fetare në shtetin më të ri në botë, shtet i cili ka shënuar shenja te vazhdueshme përleshjesh mes shqiptarëve myslimanë dhe minoritetit orthodoks serb. Në të kaluarën këto përleshje shpesh kanë përfshirë në vorbullën e tyre edhe sulme te ndryshme ndaj objekteve të kultit, duke klasifikuar këtu vandalizmat ndaj kishave, xhamive apo varrezave . Sidoqoftë shqiptarët, të besimit mysliman apo katolik, në përgjithësi kanë pasur marrëdhënie të mira mes njëri-tjetrit kjo për shkak të një ndenje të përbashket etniko-nacionaliste mbi atë fetare.

Gjerësisht, mes popullates ndërtimi i katedrales së Prishtinës jo vetëm qe është pranuar por madje dhe është inkurajuar: ndërtimi i katedrales së re “ Tereza e Bekuar e Kalkutës” u kundërshtua seriozisht vetëm nga nje numër i paktë qytetarësh edhe pse u ngrit mbi një terren më parë të sugjeruar si vend ndërtimi për një shkollë të re( mjaft të nevojshme)të arsimit të mesëm.

Sidoqoftë, protesta ka pasur nga shoqata të ndryshme myslimanësh në të cilat pretendohet se komuniteti katolik është duke përfituar një trajtim të privilegjuar nga ana e autoriteteve zyrtare, për te cilat mendohet se po kërkojnë me ç’do kusht të vënë në dukje lidhjet qe ekzistojnë mes Kosovës dhe Bashkimit-kryesisht me sfond te krishterë- Evropian .

RRITJA E PROFILIT TE ROMËS: OFIQE TE REJA

Megjithëse pakica katolike në Kosovë përbëhet vetëm nga rreth 5 % e popullatës, vitet e fundit Kisha ka provuar një rigjallërim, duke regjistruar një numër në rritje konvertimesh, të ndërthurura njëkohësisht me interesin e rizgjuar të Selisë së Shenjtë dhe ofiqarëve të saj.

Dëshmia e këtij interesi u shfaq dy muaj më parë, pikërisht në 10 Shkurt, kur Vatikani për herë të parë mandatojë ne Kosovë të deleguarin e tij apostolik: Nuncin aktual te Sllovenisë, Juliusz Janusz. Ky vendim me gjasa tregoi një ndryshim parësor në diplomacinë e Vatikanit kundrejt Kosovës: qe prej vitit 1999 Selia e Shenjtë kishte ndjekur taktikën e përfaqësimit në “nivele të ulta”, duke synuar përfaqësimin vetëm në ato pak zona të banuara nga katolikë, si Gjakova në perëndim dhe rrethinat e Prizrenit. Kjo qasje ishte në kontrast të fortë me rolin e protagonistit aktiv qe Vatikani luajti ne Slloveni dhe Kroaci duke filluar nga Janari i vitit 1992. Paralelisht me vendimin e mësipërm, Selia e Shenjtë vendosi të mos e njohë pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke mos dërguar rrjedhimisht përfaqësuesin e vet diplomatik pranë këtij vendi. Siç Drejtori i Radio Vatikanit, Federiko Lombardi, u shpreh me këtë rast, “ deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së Kosovës krijon një situatë të re e cila sigurisht do të ndiqet me interes të madh nga Selia e Shenjtë…Por në një moment të tillë Selia e Shenjtë ndjen para së gjithash përgjegjësinë morale dhe shpirtërore të misionit të saj, i cili është gjithashtu i preokupuar me paqen dhe maredheniet e mira mes kombeve.”

 DIPLOMACIA E VATIKANIT – KONSIDERATA PËR KISHËN ORTHODOKSE SERBE

Ky qëndrim u bë i domosdoshëm për të mos irrituar Kishën Orthodokse Serbe, e cila ka folur haptazi dhe me tone të qarta kundër pavarësisë se Kosovës, pasi kjo gjë do ta privonte Serbinë nga manastiret e saj më antike (Deçani, Graçanica dhe Patriarkana e Pejës). Kardinali Valter Kasper – president i Koncilit për promovimin e Unitetit mes të Krishterëve – në një intervistë dhënë agjencisë katolike të lajmeve Kathpres, haptazi konfirmoi qëndrimin e Kishës Katolike në lidhje me Kosovën duke deklaruar se: “ jemi të vetëdijshëm që Kosova është një plagë e dhimbshme për SPC [Kishën Orthodokse Serbe]. Ne gjithashtu e dimë se Kosova është djepi dhe qendra e Orthodoksisë Serbe. Ne e kuptojmë këtë mjaft mirë prandaj dëshira ime është që për këtë fakt të kihet konsideratë”.

 

Si rrjedhojë, emërimit të një të deleguari të ri apostolik në Kosovë i nevojitej nga pas një pusullë sqaruese ku thuhej se, “ misioni i një të deleguari apostolik nuk është i një natyre diplomatike por për t’ju përgjigjur kërkesave e për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat e besimtarëve katolikë”. Sqarimi vijonte më pas se emërimi i Januszit nuk nënkuptonte ndryshimin e marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë dhe shtetit të Kosovës. Kjo deklaratë qartazi i drejtohej Kishes Orthodokse Serbe, për të mos kompromentuar assesi marredheniet e ngrohta mes dy kishave.

JA PSE JANUSZI

Juliusz Januszi, i deleguari i sapo emëruar apostolik i Vatikanit në Kosovë, aktualisht është duke shërbyer si Nunc Papal në Slloveni. Më shumë se specialist ne çështjet ballkanike, Imzot Januszi mund të cilësohet si eksperti i Vatikanit për situata të koklavitura.

Më 25 Mars 1995, ai u emërua Nunc për Ruandën, vend ku hierarkia katolike ka qënë e akuzuar për ndihmë dhe mbrojtje të kriminelëve të luftës. Gjatë asaj kohe, Nunci Janusz në mënyrë të vazhdueshme refuzoi gjykimin, madje edhe diskutimin, mbi përgjegjësitë e shumë peshkopëve të cilët mendohet të kenë mbështetur masakrat kundër Tutzve gjatë luftës civile në Ruanda. Vite më pas, pikërisht më 26 Shtator 1998, Imzot Januszi u emërua Nunc për Mozambikun – ky i fundit një vend kyç për diplomacinë e Selisë së Shenjtë.

Në Mozambik, negociatat mes socialistëve të Frelimo-s dhe anti-komunistëve të Renamo-s ( mbështetur si nga Rodezia ashtu dhe nga Afrika e Jugut) u zhvilluan me ndërmjetësimin qëndror të Komunitetit të San Egidio-s, i cili është një komunitet katolik zyrtar. Nunci Janusz ka punuar për një kohë të gjatë me Komunitetin e San Egidio-s, i cili zhvillon gjerësisht aktivitetin e tij në Kosovë. Në përgjithësi Januszi konsiderohet një diplomat kalibri dhe sigurisht që duke u konfrontuar me situata ku e ku më të vështira se realiteti kosovar ka përftuar patjetër eksperiencë të bollshme.

SHËNJESTRA – MYSLIMANËT E KOSOVËS

Përveç shqetësimit për mos irritimin e ndjenjave të serbëve orthodoksë, aktualisht interesi i Selisë së Shenjtë në Kosovë është i përqendruar më shumë tek myslimanët e vendit sesa tek pakicat etnike serbe. Ishte viti 2008 kur Papa Benedikt i XVI hapi fushatën për “ gjetjen e rrënjëve të krishtera të Evropës”, duke nisur një proces ungjillizimi në masë.

Që prej asaj kohe, peshkopi katolik shqiptar i Kosovës, Dodë Gjergji, është përqendruar kryesisht në konvertimin e myslimanëve ne katolicizëm. Gjatë një konvenji të partive demokratike evropiane në Bruksel në Prill 2008, Gjergji tha se Kosova është duke kërkuar gjithnjë e në rritje mbështetjen e BE-së dhe Vatikanit kundër Serbisë, dhe se Kosova  është në nevojë urgjente për një “ pagëzim të ri fetar e  kulturor”.

Kohë para promovimit të tij si peshkop, kosovari Gjergji nga viti 2000 deri në vitin 2005, kishte shërbyer si Administrues Apostolik i Diogjezës Katolike Romane të Sapës në Shqipërinë fqinje. Vitin pasues ai u emërua peshkop i Diogjezës së Prizrenit në Kosovë. Interesant është fakti se peshkopi Gjergji e kish filluar karrierën e tij të hershme në priftëri, në Shkup të Maqedonisë, gjatë periudhës së fundit të Federatës Jugosllave në vitin 1989.

PRIRJET KONVERTUESE

Mungesa e një hierarkie shumë kombesh  Islame me influencë dhe pushtet të përafërt me Vatikanin si dhe laiciteti substancial i Islamit kosovar, i lejoi Kishës Katolike “ zaptimin” e disa sektorëve të jetës sociale dhe kulturore tek të cilat dora e shtetit mungon dukshëm; këtu përfshihen përkrahja sociale, arsimimi dhe aktivitetet komunitare.

Rigjenerimi i organizatave dhe shkollave katolike në Kosovë shpesh justifikohet me rinovimin e një tradite të mirënjohur mes shqiptarëve, e cila njihet si tradita e “ të krishterëve të fshehtë” apo e “ Kriptokrishterëve” apo për ta thënë shqip, tradita e “laramanëve”. Ajo që ne kuptojmë prej kësaj tradite është se njerëz të tillë shekuj më parë u konvertuan në islam për shkak të favoreve që i dhuronte statusi i të qenit mysliman nën Sistemin qeverisës Otoman të Mileteve, duke ruajtur praktikat jo islame brenda mureve të shtëpisë.

Në një intervistë për The Economist Jahja  Draçolli evidenton se në të qënit shqiptar “ feja ka luajtur rol dytësor”: ai më tej tha se të konvertuarit duan të “ rikthehen në fenë e vjetër të cilës mendojnë se i përkisnin një herë e një kohë” për të treguar se kanë “prirje evro-amerikane”.

Edhe pse i argumentuar – fakti që shqiptarët ishin katolike mbi pesë shekuj më parë nuk shpjegon pse pasardhësit e tyre do të vendosnin të ktheheshin mbrapsht prej islamit ne katolicizëm – kjo i ngjan justifikimit qe rëndom bëhet nga të konvertuarit e rinj. I risjellë në një reportazh te REUTERS-it , gjithashtu i diskutuar më parë në mënyrë të pavarur edhe në një reportazh të Balkanalyses.com nga terreni, prej 28 Shtatorit 2008 shumë të konvertuar shqiptarë deklaruan se kishin zgjedhur fenë katolike pasi vendet Perëndimore nuk i duan myslimanët, ndërkaq që edhe mbështetja, mbrojtja dhe investimet i kërkohen Perëndimit.

Kjo është një pikë me shumë rëndësi në ruajtjen e vullnetit konvertues, dhe tregon sesi ajo e “kriptokatolicizmit” pjesërisht është një “traditë e shpikur” – efikase për të justifikuar nevojën e një “pagëzimi identitar” më shumë se “pagëzimit kulturor”.

Rritja e konvertimeve që Kisha Katolike po përjeton sot ne Kosovë nuk është e varur vetëm ndaj mundësive për tu bërë pjesë e botes “Perëndimore”, apo anëtar i një familjeje fetare më pak të papëlqyeshme se Islami; kjo nuk tregon gjë tjetër përveç efikasitetit dhe kapilaritetit të makinerisë social-humanitare katolike.

Familjet myslimane, duke kërkuar ndihmë për problemet e tyre të ndryshme ekonomiko-sociale shpeshherë i kanë gjetur dyert e mbyllura në komunitetet Islame të cilave i përkasin ( disa prej tyre te akuzuara si “ ekstremiste” dhe “ fundamentaliste”) duke u detyruar t’i shtrijnë dorën për ndihmë organizatave Katolike. Nëpërmjet këtyre organizatave ata morën ndihmë dhe pranuan të konvertoheshin në Katolicizëm, sepse kjo fe mundi t’i përgjigjej nevojave të tyre jetike, duke filluar nga shëndeti e deri tek higjiena dhe shkollimi.

Konvertimet në Kosovë , i parë nga ky këndvështrim, tregojnë sesi feja mund të bëhet mbi të gjitha një zgjedhje racionale apo ekonomike dhe jo vetëm një zgjedhje kulturore, simbolike. Megjithatë kjo është vetëm maja e ajzbergut: Siç evidentohet tek një artikull i kohëve të fundit tek Avvenire, një gazetë italiane me orientim katolik, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe katolikëve ne jetën e përditshme nuk shkojnë fjollë, siç mund të duken në nivele zyrtare: për te sjellë vetëm një shembull, martesat ndërfetare vazhdojnë ende të kundërshtohen ashpër nga shumë familje. Kështu, treguesi në rritje i konvertimeve në katolicizëm mund të çojë drejt konflikteve më të thella në shoqërinë kosovare në të ardhmen.

VATIKANI NË KOSOVË: NË TË ARDHMEN NJË ROL MË AKTIV?

Në të vërtetë tendenca në rritje e përpjekjeve për konvertim, janë garantë se Kisha Katolike, dhe si rrjedhim Vatikani , do të përfshihen më thellë në punët e Kosovës, duke marre parasysh edhe konseguencat.

Gatishmëria e Vatikanit për të luajtur rolin e tij u shpreh formalisht me emërimin e Nuncit Janusz si i Deleguar Apostolik: anipse kjo nuk është një njohje e njëmendtë diplomatike ky akt tregon interesim në rritje të Vatikanit ndaj Kosovës, gjë e cila, në një të ardhme jo fort të largët, mund të sjellë një ndryshim të qënësishëm në marrëdhëniet mes qeverisë së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.

*Mateo Albertini është studjues i pavarur me bazë në Milano dhe është përfshirë në çështjet ballkanike që me shkrimin e tezes të Masterit në vitin 2005. Së fundmi ai mbrojti doktoraturën në Semiotikë prane Institutit Italian të Shkencave Humane me një tezë mbi konstruksionet kulturore dhe shoqërore të nacionalizmit jugosllav. Si ekspert i semiotikës fokusi i tij studimor përqëndrohet tek etnitë, kujtesa historike dhe politikat publike të nacionalizmit jugosllav, subjekte të cilat ai i ka trajtuar në shumë artikuj në gazeta të ndryshme si në Itali ashtu edhe në shtypin nderkombëtar.

Përktheu: Nolian Seitaj

( Balkanalysis)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …