Me aktivitete të shumta Malisheva po shënon ditën e çlirimit

Komuna e Malishevës po shënon 25-vjetorin e çlirimit me një festë madhështore, ku janë mbajtur dhe po mbahen aktivitete të shumta. 16 Qershori është dita e çlirimit dhe dita e dëshmorëve të Malishevës, të gjitha aktivitetet organizohen nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Në kuadër të këtyre shënimeve, sot u përurua “Kulla”, shtëpia e veteranëve dhe muzeu i UÇK-së, dhe u bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë. Më pas, u mbajt manifestimi qendror, ku morën pjesë figura kyçe të luftës, politikës, kulturës dhe jetës në Malishevë, si kryetari Ekrem Kastrati, Fatmir Limaj – komandant Çeliku, ish-kryetarët e komunës Isni Kilaj dhe Argjend Thaçi, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, dhe figura të shumta nga të gjitha trevat shqiptare. U mbajt gjithashtu një program artistik me emra të njohur të skenës shqiptare. Në fjalën e tij në manifestimin qendror, Kryetari Ekrem Kastrati tha: “16 Qershori është data më e madhe për Malishevën. Komuna jonë dhe qytetarët e saj janë pjesë e lavdishme e historisë së Kosovës dhe luftës për liri, liri të cilën e paguam shtrenjtë, por gjithmonë krenar për krejt çfarë kemi bërë.” Ai gjithashtu paraqiti kronologjikisht përpjekjet e qytetarëve të Malishevës në luftën për liri dhe kontributin e tyre gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës të Malishevës, Argjend Thaçi, gjithashtu prezantoi përpjekjet e kombit shqiptar dhe luftën për liri, duke u ndalur tek kontributi i Komunës së Malishevës, që u kurorëzua me çlirimin përfundimtar të Malishevës dhe Kosovës. I pari i veteranëve të luftës në Malishevë, Metush Kryeziu, kritikoi krerët e shtetit për mos përmendjen e vlerave të luftës dhe krerëve të UÇK-së, që padrejtësisht po mbahen në Hagë. Ai foli për kontributin e Malishevës në luftë, duke vlerësuar dëshmorët për sakrificën e tyre. Njëri nga bartësit e luftës, Fatmir Limaj – Komandant Çeliku, duke ju drejtuar qytetarëve, tha: “Sot është datë e Malishevës për Malishevën dhe Kosovën, pasi shënojmë 25-vjetorin e çlirimit. Kjo është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të popullit shqiptar, përpjekje që u finalizua me luftën e UÇK-së. Që nga koha e Skënderbeut, populli shqiptar nuk ka pasur një datë që ka shënuar lirinë, por tani e 25 vjet e kemi. Tani 25 vjet më parë kemi rilindur, kemi dinjitetin tonë dhe si shtet kemi statusin juridik.” Limaj shprehu mirënjohje për të gjithë të rënët dhe ata që kontribuuan për liri, duke theksuar se liria e Malishevës është më e plotë pasi, pas shumë maltretimeve, është kthyer njëri nga bartësit e luftës, Isni Kilaj. “Liria do të jetë më e plotë kur të kthehen të gjithë drejtuesit e luftës që padrejtësisht po gjykohen e po mbahen në Hagë,” tha ai. Ai gjithashtu theksoi se Malisheva ka paguar një çmim të madh gjatë luftës dhe bëri thirrje që të nderohet dhe respektohet e kaluara e lavdishme e Malishevës. “Ne pamë kur të tjerët nuk panë, ne ecëm, atëherë kur të tjerët hezituan, prandaj duhet të respektohet dhe çmohet mundi, sakrifica dhe lavdia e luftës, sepse këtë më së miri e dëshmoi koha. Malisheva doli fitimtare në këto përpjekje,” tha Limaj, duke uruar të gjithë qytetarët e Malishevës për datën e 16 qershorit, datën e fitores dhe çlirimit të Malishevës. Në manifestim u ndanë çmime tradicionale, duke përfshirë çmimin për trimëri dhe heroizëm “Imer Krasniqi”, që iu dha pas vdekjes veteranëve të luftës Mehmet Kastrati, Asllan Elshani dhe Njazi Krasniqi. Çmimi për kontribut në shkollën shqipe “Hamdi Berisha” iu dha mësuesve Bajram Samadraxha (pas vdekjes) dhe Sherif Elshanit. Çmimi për kontribut në shëndetësi “Dr. Shpëtim Robaj” iu dha doktoreshës Sehrije Bujuqi-Gashi (pas vdekjes) dhe infermieres Sadije Thaçi (pas vdekjes). Kryetari Ekrem Kastrati dha mirënjohje për Ragip Shala për kontributin e tij për çështjen kombëtare dhe luftën për liri. OVL e UÇK-së në Malishevë ndau mirënjohje për ish-kryetarin e komunës Ragip Begaj dhe kryetarin aktual Ekrem Kastrati për përkrahjen e tyre ndaj OVL të UÇK-së dhe ndërtimin e “shtëpisë së veteranëve” dhe muzeut të UÇK-së në Malishevë. Manifestimi përfshiu një program të pasur kulturor dhe artistik, të hapur nga këngëtari Arif Vladi me një këngë kushtuar dëshmorit dhe heroit Hamdi Berisha, dhe aktivitetet do të vazhdojnë me një koncert të madh në sheshin “Ibrahim Mazreku”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati priti në takim kryetarin e Komunës së Orhangasit, Bekir Aydin

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, priti të premtën një delegacion nga Komuna e …