Prekaz

Mehmet Bislimi: Flakët e lirisë

1.

 

sonte

në Prekaz

flakët e lirisë

Komandantin përkujtojnë

me shkëlqimin e flakës

lirisë njerëzishëm ia hapem derën

më në fund erdhën lulet edhe nder ne

se bashku me pranverën

sakrificë e paparë

e padëgjuar nder shekuj

shqiptarët qëndruan të pathyer

kurrë nuk e mohuan rrënjën e vet

o botë e madhe a dëgjon

këngët tona të fuqishme

që luftëtarët e lirisë i kënduan

një shekull këngë

një shekull rrugëtim

një shekull qëndresë

deri me sot

sot në agim

gjithë kjo rrugë e këngës sonë

për t’u kënduar sonte

tek Jasharët

me zemrën tonë

tek të pavdekshmit

tek të gjallët

tek kulla të gjithë

së bashku

me Jasharët

 

 

 

2.

 

Adem

sonte pa ty

këngët e lirisë nuk do të kishin kuptim

pa ty

pranvera nuk do t’i sillte lulet e lirisë

pa ty

marsi do të ishte muaj i rëndomtë

pa ty

nuk do të kishin harmoni notat e melodisë

Adem

ylli i hyjnisë

Adem

frymëzim i djalërisë

Adem

palca e shqiptarisë

Adem

sonte do thërrasim deri në kupë të qiellit

në Prekaz

aty ku ka lindur s’pari

rrezja e diellit

 

 

3.

 

Adem

po

me ty erdhi pranvera

me ty

krenarinë kombëtare madhështojmë

me ty

të kaluarën e lavdishme nderojmë

në flakën e zjarrit që sonte për ty ndizet

u dogj robëria e gjatë

në Prekaz

në arenën legjendare

ku kanë rënë si me le burrat dhe gratë

atje ku themeli i lirisë është i lashtë

atje ku loza jote sonte shkëlqen flakë

atje ku lirisë i këndohet gjatë

atje ku burrat e dheut flasin pak

atje ku krisma e mitralozit të lirisë

ndihet larg

atje ku flakë do të ndezim prapë

e prapë do ringjallesh ti

për Plavë Ulqin e Guci

Preshevë Medvegjë e Çamëri

për Bujanoc Tetovë e Strugë

për Kerçov Gostivar e shqiptari

atje në Prekaz

ku po linden përditë

Ademë të ri

atje ku ngrihemi dhe biem me emrin Shqipëri

atje ku ëndrrat i shohim shqip

atje ku ti ke vënë s’pari këmbën mbi dhe

atje ku kemi shumë shokë e miq

atje ku trimërisht këngën e the

për liri

për atdhe

për besë e dhe

Adem

flakë e rrufe 

 

 

4.

 

sonte

zjarret do ndezim

sonte do qajmë e do qeshim

sonte do vallëzojmë deri në mëngjes

sonte lot do qesim

nga malli e mallëngjimi

për ju nëna

për ty nënëmadhja Zahide

nënë e të gjitha nënave

nënë e Mic Sokolave

nënë e shtojzovalleve

nëna e zanave

nëna jonë arbërore

sonte në gjunjë do biem për ty

lokemadhja Zahide

nusja e Shaban Plakut

motra e bacë Osmanit

nderi i konakut

bija e Llaushës

mbesa e Shaban Polluzhës

nëna e Ademit djalit

nënë e Hamzës

nëna e shqipeve të malit

nëna e Zarifës e Hidajetës

nëna e Igballit e Valdetës

nëna e Igballës e Feridës

nëna e Afetës e Besimit

nëna e Selvetës e Blerimit

nëna e Fatimës e Blerinës

nëna e Adilës e Fitimit

nëna e Kushtrimit

nëna jonë

nëna e madhe e shqiptarisë

nëna e lirisë

lavdia e Shqiptarisë

 

 Mars, 2017

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …