Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Hashim Thaçi, me shokët e luftës së UÇK-së nuk kursyen asgjë nga vetja për të çliruar atdheun, madje as jetën e tyre

Meqë as Hashim  Thaçi nuk bën ndonjë përjashtim të veçantë në tabanin kombëtarë, nga paraardhësit e tij e më gjerë, në fakt ai  me shokë kanë bartur mbi kurriz detyra me përgjegjësi shtetërore, dhe, sa ia kanë dalë, sa kanë arritur t’i realizojnë  synimet tona të shtet bërjes, janë faktet që flasin argumentueshëm.
Thaçi së bashku me strukturat që kishin përgjegjësi, realizuan shumë nga gjëra që kishin premtuar para elektoratit, por edhe para së të vinte në pushtet.

Thaçi, me shokët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk u kursyen për të çliruar atdheun, madje edhe me çmimin e jetës.
Ata, ishin futur në luftë me forcat e veta, mbështetur në vullnetin e popullit.
Ata nuk e dinin se do t’i ndihmonte NATO , apo jo,  thjeshtë luftonin për liri.
Ata mund të ishin vrarë, si kushdo në luftë, ashtu si mund të bien  luftëtarët e lirisë, as atyre nuk ua kishte garantuar askush jetën.
Ata nënshkruan Marrëveshjen historike të Rambujes, dhe vetëm nënshkrimi i tyre, para ndërkombëtarëve dhe para botës, ishte i vlefshëm- valid!
Ata, transformuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës, më pas në Forca të Armatosura të cilat sot gëzojnë respekt.
Ata nënshkruan edhe marrëveshjen e Ahtisarit.
Ata shpallën Kosovën shtet Sovran më 17 shkurt të viti 2008, vendim i drejtë të cilin e pranoi  edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë!

Në vazhdim, miratuan dhe shpallen Kushtetutën e Kosovës. Ngritën Policinë dhe Doganat e Kosovës. Sollën mbi 100 e sa njohje ndërkombëtare, akomoduan shumë Misione Diplomatike nëpër botë, ngritën dukshëm buxhetin e Republikës së Kosovës, avancuan sistemin pluralist e demokratik në Kosovë.
Ata, ngritën një infrastrukturë të kënaqshme, që Kosova nuk e kishte përjetuar asnjë herë më parë, si:

Autostrada, rrugë regjionale, rrugë lokale, kanalizime, ura, rrjete të ujësjellësit, ambulanca, shkolla dhe çerdhe fëmijësh, investime në zhvillimin rural, çështja e arsimit, shëndetësisë, të asaj sociale etj. Këto janë gjëra që shihen dhe preken me dorë, mirë keq, ashtu siç janë, dhe nuk është etike as t’i mohojmë, as t’i hiperbolizojmë- Kosova është kjo që është sot.

Pa dyshim së kanë mbetur edhe qindra projekte tjerë, që nuk janë realizuar, madje edhe janë neglizhuar, si kudo në botë që nuk ka asgjë të përkryer, por që Qeverisja në vazhdim, herët a vonë do t’i realizojnë të gjitha ato çështje që i duhen një vendi të lirë, pra edhe Kosova do ta arrijë këtë, pa pavarësisht së kush është në Qeverisje sot e kush nesër.

Një gjë nuk duhet ta harrojmë, është gati ves universal, pa dyshim jo i këndshëm, që pason me një kosto, faturën e së cilës dikush e paguan më lirë e dikush më shtrenjtë, siç po e paguan tani edhe Hashim Thaçi me shokë.

Njeriu duke qenë në pushtet (pushtetarë), rreth vetes, krijon një rreth vicioz përtej së cilit, dhe në të cilin, as nuk kalon dhe as nuk futesh dot. Ky rreth vicioz i mbyllur hermetikisht të krijon ndjesinë e ekstazës së të plotpushtetshmit, që nuk e pranon mendimin ndryshe- po ngjet edhe sot tek pasuesit e pushtetit.
Duke qenë i rrethuar me një grumbull servilësh (të përzgjedhur), të cilët përditë të gudulisin veshin me lajka … “Ku je shef, ku je lartë madhëri!”… dhe pikërisht këtu, fillon zhdavaritja e kësaj ëndrre të trishtueshme- fatkeqësisht, nga kjo ëndërr, nuk shpëtoi as z. Thaçi!

Do të them diçka absurde:

“Është fatkeqësi që keni shpëtuar!” Sikur të kishit rënë në luftë, ju që pas lufte e keni pasur jetën kusur; si: z. Thaçi, z. Krasniqi, z. Veseli, z. Selimi, z. Ramush e Nasim Haradinaj, z. Gucati, z. Limaj, z. Buja, z. Syla, z. Haliti, z. Reçica, Bashota e shumë të tjerë.

Pa dyshim së nuk do t’ju shanin, nuk do t’ju lakonin nëpër rasa, nuk do t’ju linçonin, nuk do t’ju akuzonin, nuk do t’ju etiketonin, nuk do të sajonin kundër juve, nuk do t’ju akuzonin nëpër gjyqe, madje edhe do të bënin fotografi në shenjë nderimi tek lapidari juaj- veç z. Rugova jo, ai nuk fotografohej pranë Dëshmorëve të kombit!

Mos u shqetësoni, kështu kanë sharë e akuzuar, madje edhe vrarë e syrgjynosur Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Avni Rrustemin, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Tahir e Nebih Mehën, ne brezin e 1981- ës, së ua kemi prishur farsën e vëllazërim-bashkimit, prandaj mos e qani trapin për këtë hesap!

Një gjë duhet ta keni të qartë:

Sido qoftë fati juaj, një ditë, të gjitha këto do të kalojnë si një ëndërr e keqe; vetëm një gjë do mbetet për jetë të jetëve:

Ju, dhe ata qindra trima, që nuk janë më në mesin tonë- jeni pishtarët e çlirimit të atdheut!…

CH- Gusht, 2022

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …