Mehmet Bislimi: Kosovë, dil priti bijtë

 

1.

 

Kosovë

dil priti bijtë tuaj

priti se po vijnë buzëqeshur

me shtatin e kuq si bajraku

me armët e lirisë ngjeshur

të përgjakur e të heshtur

me mustaqe e mjekër

syzi e vetullpërpjekur

për atdhe djegur

përjetësisht futur në këngë

priti ti oj nënë

priti pa bërë gjëmë

 

2.

Kosovë kryelartë

me bijtë tuaj shtatgjatë 

si lisat e mëdhenj me kurorë

po të kthehen si Gjergj Elez Alia

me nëntëqind plagë në shtat

si nëntë lisa të gjatë

lisat e Dukagjinit

po

një lis mbeti në Kumanovë

atje ku një ditë do të shkojmë

hakun për tua marrë

do të shkojmë

herët a vonë

atje është vendi jonë

vëllezërit tanë t’i mbrojmë

do përgjakemi prapë

rrugë e lirisë

është rrugë e gjatë

 

3.

Kosovë në stinë pranvere

Kosovë në stinë dimri

Kosovë kurrë ngushtë nuk të zunë

Kosovë amësi e trimërisë

Kosova gjak ka për të dhënë

për hir të lirisë

për mua

për ty

për shqiptari 

Kosovë

ata ranë edhe për ty

ata ranë për të gjithë ne

ata ranë për atdhe

 

4.

Kosovë dil priti tek porta

nëntë lisat e gjatë

po të vijnë buzëqeshur

me nëntëqind plagë në shtat

po të vijnë në këmbë

nuk po të vijnë ratë

dil atje

ku po i presin nënat

ku po i presin motrat

ku po i presin fëmijët dhe gratë

ku nuk shuhet zjarri në vatër

ku po i pret flamuri shqiptar

ku në shenjë pikëllim

trëndafilat ulur kokën po mbajnë

atje ku po i presim të gjithë ne

ku dielli është ndalë dje

ku është skuqur bari

ku është përkulur në pritje

Komandant Adem Jashari

atje

ku dje ka ardhur për t’i pritur

nga Vlora në Prishtinë

vet Ismajl Qemali

atje ku pikat e gjakut ranë

ku ata namin e madh lanë

ku ata këngës së lirisë ia thanë

atje ku mitralozi i tyre volli zjarr

ku ata hodhën valle

ku ata veprën e madhe e bënë

atje

ku nuk do të ketë paqe në Ballkan

pa bashkimin tonë kombëtar

 

5.

Kumanovë në flakë lirie

lagja e trimave në zjarr të sprovës

o sa shumë të paskan hije

lulëkuqet e Kosovës

ata sollën me flamur

sollën nusen e Kumanovës

Beg Rizai ai dhëndri i parë

Xhafer djali bajraktar

përcjellë nga krushqit e lirisë

djem të zgjedhur të shqiptarisë

për atdhe gjithmonë përpjekur

ata te marrin gjak në vetull

ti moj vatra e Kumanovës

mbaj fort në gjirin tënd 

krushq e trima të Kosovës

që s’ia marrin dorën pushtuesit

nuk i kanë frikën prushit

ata bijtë e kësaj toke

më të dashurit e nënës loke

krenaria e shqiptarisë

për ta kënga s’ka me pushue

sa të jenë jeta me jetue

toka mëmë s’ka me i harrue

përgjithmonë

qofshin lavdue

 

23, maj 2015

 

 

Mehmet  Bislimi: Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare

 

Ranë dhe u ngritën

mbi hirin tonë të fashitur

urëzat e vjetra në pritje

me zjarrin në gji

atdhe

po digjen për ty

bijtë tanë

 

prapë

dikush po vritet

dikush po përgjaket

dikush po zgërdhihet

dikush po përjargët

 

Kumanovë

me dhimbje mbi shtat

për së mbari

në rrugën e gjatë

të bashkimit tonë mbarëkombëtarë

ti zjarr lirie

nga urëzat e hirit

Kumanovë

ti zonjë e parë

 

kambanat për mortin

nuk po pushojnë

dikë do ta shajmë me breshëri

dikë me breshëri do ta nderojmë

rrugë të gjata janë këto

kanë nisur e nuk kanë të sosur

lirinë e atdheut kërkojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …