Mehmet Bislimi: SERBIA SËRISH PO KËRCËNON!

Fjala e vjetër popullore thotë ,”Ujku ndërron qimen, por jo edhe zakonin“. Kjo mençuri popullore ka për bazë përvojën e gjatë shumëshekullore, që shqiptarët e kanë paguar shumëfish nën pushtimin serb. Pushtuesi i dhunshëm serb, që nga vitet e largëta e të përgjakshme, qysh nga Dinastitë e Nemanjidëve e këtej, në rajon ka sjellë vetëm luftëra e gjakderdhje, pothuaj ndër të gjithë popujt e rajonit, duke bërë reprezalje, spastrime etnike e deri të masat e dhunshme gjenocidiale. 
Qeveritë serbe çdoherë ishin të veshura me petkun e dhunës, masakrimit e deri të rastet më të rënda të krimit! Serbët, si gjithmonë të yshtur nga qeveritë e tyte gjithnjë kanë dhunuar popujt fqinj me qëllim për të dominuar mbi ta. Edhe aktualisht Serbia po i tregon dhëmbët duke kërcënuar Kosovën, (në rast të shpalljes së mëvetësisë) edhe me një luftë të re, madje mu para hundëve të diplomacisë botërore e cila sot është e inkorporuar seriozisht, më shumë se kurdoherë tjetër, për gjetjen e një solucioni të paqes në këtë pjesë të Evropës, e cila këto pasoja po i bartë, pikërisht nga mënyra e trajtimit të çështjes Shqiptare nga ana e saj, mbi të cilat diplomacia e dikurshme evropiane kishte vu hipotekë, dhe çështja shqiptare kishte pësuar fatin më tragjik në rajon, duke ia ndarë territoret e saja, si pre plaçke mes shteteve të gllabëruese sllave e greke të Ballkanit për t’i ngopur ambiciet e tyre pushtuese. Rol vendimtar në këtë drejtim atëherë dhe sot ka luajtur dhe po luan Kremlini zyrtar. 

Kreu serb, ende pa numëruar mirë viktimat e veta, por edhe të të tjerëve shumëfish më shumë, që pësuan pikërisht nga represioni i një lufte të ndytë nga ana serb, ata kërcënojnë me luftë të re në Kosovë! Duke ditur se si përfundoi lufta në ish Jugosllavi, serbët, këta shkaktarë të vërtetë të kësaj gjakderdhje, me vulën më të përgjakshme i dhanë fund ish nomenklaturës Jugosllave, duke irrituar në mënyrën më ekstreme ish “bashkëjetesën”, që përfshinte, apo ngërthente dhunshëm nën këtë tutelë popujt sllavë por çuditërisht edhe jo sllavë, siç ishin shqiptarët. Krimet që i bëri Qeveria Serbe me soldateskën e vet ushtarake mbi popujt e tjerë, në emër të asaj që të ruhet shteti Serb, për nga forma, përmbajtja dhe tmerri trishtues i veprimit të tyre, në të shumtën e rasteve ia kalojnë edhe bëmave më monstruoze të krimeve naziste të fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore! 

Janë faktet kokëforta historike që flasin se Serbia me politikat e saja në vazhdimësi, ishte ajo që bëri spastrime etnike dhe zbatoi gjenocid mbi popullin shqiptar, slloven, kroat, boshnjak, hungarez, vllehë, gjerman (mbi 600 mijë gjermanë të shpërngulur dhunshëm nga rrethi i Mitrovicës së Sremit përnjëherë pas Luftës së Parë Botërore). Qeveria serbe është përgjegjëse për fillimin e disa luftërave, që nga Lufta e Parë Botërore e deri të luftërat e përgjakshme kundër popullit slloven, kroat, boshnjak, shqiptarë e kështu me radhë, duke bërë krime të tmerrshme mbi njerëz të të gjitha moshave, gjinive dhe përkatësive kombëtare në ish Jugosllavi. 
Duke mos u ngopur vetëm me të gjallët, ata dhunuan edhe varrezat e viktimave që vet i kishin ekzekutuar, dogjën kufomat e të ekzekutuarve, fshehën viktimat në varreza individuale dhe masive për të humbur gjurmët e krimit. 
Dhe prapë edhe sot, serbët kërcënojnë me luftë, ata duan ende të derdhet gjak në këtë pjesë të rajonit dhe të Evropës!… 

Në kohën kur kjo luftë e përgjakshme mbaroi, me angazhimin më fisnik të shteteve aleate të NAT)-s, me gjithë pasojat e saja afatgjata, shumë nga popujt që ishin të sulmuar nga pushtuesi serb, kanë zgjidhur fatin e shtetit të tyre dhe janë në rrugë të mbarë për të ndërtuar ardhmërinë e tyre në shtetin e vet të lirë. Fati i Kosovës dhe statusi i saj, sikur u zvarrit tepër, jashtë mase, pa arsye të argumentuara, pa qëndrueshmëri politike dhe diplomatike, pa motive për perspektivën e saj. Kjo shtyrje, jo që solli ndonjë rezultat pozitiv, por përkundrazi çdo ditë e më shumë po rritë pakënaqësinë tek përfaqësuesit vendës, por edhe tek ata ndërkombëtarë, mbi të gjitha po forcohet arsyeja e dyshimit se ç’është duke u bërë, se çka po luhet prapa perdeve të bashkësisë ndërkombëtare në raport me zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës? Tani më kur kjo çështje e zvarritur është afruar që të definohet, Qeveria e Serbisë në mënyrë publike, përmes Aleksander Simiçit, këshilltar i kryeministrit serb (pa dyshime, me uratën e Qeverisë serbe, e veçmas edhe të Kishës serbe), kërcënon Kosovën, krejt hapur e pa druajtje, para diplomacisë ndërkombëtare me një luftë të re! Qeveria serbe, vazhdon pa hezitim politikën luftënxitëse të ish diktatorit dhe kasapit të Ballkanit Millosheviq. 

Ne duhet t’i themi Qeverisë së Serbisë çartë dhe prerë se, populli shqiptar nuk ka mbetur para e kusurit mes llogarive diplomatike të rajonit dhe të Serbisë. Populli shqiptar, ka pësuar shumë nga pushtuesi hegjemonist serb dhe as dje, as sot, e as nesër nuk është pajtuar me robërinë dhe as që do të pajtohet ndonjë herë. 
Populli shqiptar, këtë e ka dëshmuar sa e sa herë edhe me gjakun e derdhur për lirinë e vet. 
Populli shqiptarë, kurrë nuk është pajtuar as me robërinë e as me pushtuesin serb, prandaj ky kërcënim i këtij shteti të shpartalluar, popullin tonë vetëm sa do ta mobilizojë më shumë. 
Ky kërcënim popullin shqiptar nuk e tremb më, për faktin se populli shqiptar nuk ka çka humbas më përveç pretendimeve të sërishme të pushtuesit serb, me të cilin kemi bërë luftë të përgjakshme për të jetuar të lirë në tokat tona, dhe asgjë më tepër. 
Nëse këto kërcënime vazhdojnë, ne do të jemi të detyruar të mbrohemi- po ashtu ME LUFTË! Dhe nuk ka çmim e marrëveshje tjetër që mund të krijojë paqe në rajon veç çmimit të lirisë së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur! Një Kosovë e lirë dhe sovrane për shqiptarët dhe për të gjitha pakicat kombëtare që jetojnë aty. Vetëm një Kosovë e tillë realizon pjesërisht aspiratat shekullore të popullit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Turqia e vlerëson vendimin e gjykatës së BE-së si një sulm ndaj të drejtave të grave myslimane

Rexhep Tajip Erdoğan: Netanyahu dhe bashkëpunëtorët në gjenocid do të japin llogari për çdo pikë gjaku që kanë derdhur

Kryetari i Turqisë. Rexhep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Netanyahu dhe bashkëpunëtorët në gjenocid do të …