leoni

Mehmet Bislimi: Shteti i fuqishëm, apo fuqia e shtetit të Kosovës!

 

Për habinë tonë monedhën e Shqipërisë nuk e njohin bankat e Kosovës, në një kohë kur mu në këto banka mund ta konvertosh dinarin serb, të cilin e njohin, e pranojnë dhe e konvertojnë! …

Ndonëse jemi të vetëdijshëm për peripecitë e një shoqërie, që është ngërthyer për të bërë shtetin, qytetari hallexhi, në mënyrë të vetëdijshme ose spontane ngre revoltën në vetvete për të vrarë të ligën që në embrion, pra është ky një kontribut që do të duhej t’i shërbejë shtetit, të cilin po mundohemi ta ndërtojmë nga e para. Në fakt, ne jemi pjesë e këtij procesi kalimtar, që lë aq shumë për të dëshiruar, megjithatë në vete gumëzhijnë ngjyrat, dëshirat dhe ambiciet për progres aq të dëshiruar në Kosovë, sado që hapat tanë mund të jenë minimalë, por të paktën kahun e rrugëtimit ta marrim nga e mbara dhe nga e ligjshmja…
Në këtë pikë vështrimi qytetari dhe burri i dheut shumë nga mangësitë që sot janë ose hasen në rrugën e rendit të ri shoqëror, sikur nuk do t’i shohë e prekë me dorë, sepse ai nuk dëshiron të zhgënjehet e të trishtohet në iluzionet e tij për një shoqëri të civilizuar, të ngritur e të përparuar në nivel kombëtar. Ai në rend të parë e do atdheun dhe lirinë e tij, e do kombin dhe popullin e vet, prandaj ligjshëm ngre zërin kundër shëmtive të kohës së pakohë…
Përballja me ca gjëra që ndoshta janë të padenja për një shkrim si ky, por që pa dyshim të ngacmon timbri i një absurditeti të ditëve tona, në fakt nuk të lë krejt indiferent, thjesht për hallin praktik e teknik të qytetarit të urtë, i cili do të niset nga Tirana si vizitor, për të ardhur e drekuar në Prishtinë, për një vizitë, punë, çmallje, shëtitje, vizitë miqësore ose biznesi etj.
Mirëpo, çfarë do të ndodh me shtetasin shqiptar sapo të vijë në Kosovë?!
Hallin e parë që do të duhej ta zgjidhte ai është që lekët e sjellë nga shteti shqiptar do duhej t’i konvertojë në euro në bankat e Kosovës në mënyrë që të shërbehet me gjërat e nevojshme gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ta zëmë. Krejt kjo normale, por fatkeqësisht krejt kjo tmerrësisht e pashpjegueshme e po kaq absurd, sikur është qëndrimi i bankave të Kosovës?! Bankat e Kosovës nuk e konvertojnë, nuk e pranojnë dhe nuk e njohin lekun, pra monedhën e shtetit shqiptar?!…
• Cili do të jetë zhgënjimi i parë i qytetarit nga Shqipëria, në përballje me “fuqinë e shtetit”, apo me “shtetin e fuqishëm” të Kosovës sonë, e cila nuk e pranon monedhën e Shqipërisë!…
Shqipëria pra, është shtet me një monedhë stabile, e pranuar ndërkombëtarisht që afro një shekull, anëtare e OKB-së dhe e Aleancës Atlantike, monedhën e së cilës e njeh dhe e pranon bota dhe mund ta konvertosh në bankat e Amerikës e të Evropës e gjetiu… Për habinë tonë monedhën shqiptare nuk e njohin bankat e Kosovës, në një kohë kur mu në këto banka mund ta konvertosh dinarin serb, të cilin e njohin, e pranojnë dhe e konvertojnë! … A nuk është kjo më shumë se një anomali e ligësi e pap[gjegjshme?

P. S.
Ky shkrim nuk është trillim ose diçka e sajuar. Më 30 korrik 2009 u ktheva nga Tirana, në xhep më kishin tepruar 2500 lekë shqiptarë. Së bashku me mikun tim A .G. shkuam në bankat:
• NLB, ProCredit Bank,
• Raiffaisen Bank,
• BKT (Banka Kombëtare Tregtare),
të cilat shkoqur na thanë: “Ne nuk e konvertojmë dhe nuk e pranojmë monedhën shqiptare, pra lekun e Shqipërisë!”…. Krejt në mënyrë ironike thashë me vete: “Kjo është fuqia e shtetit, apo shteti i fuqishëm i Kosovës, i cili ndërmjet lekut shqiptar dhe dinarit serb përsëri dredh bishtin si të dhelprës!”…

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …