RKL: Fushatë kundër UÇK-së apo kundër “krimit dhe kriminelëve”?

 

Qyshkur ka vendosur sundimin misioni EULEX në Kosovë, në bashkëpunim me protektorët e OKB-së, kanë filluar të aktualizohen etiketimet: “krim” dhe “kriminel” drejtuar një pjese të shqiptarëve të vendit tonë. Fillimisht këto etiketa i riaktualizoi Qeveria e Beogradit, duke i drejtuar kundër luftëtarëve të UÇK-së, pastaj në këtë valle u hodh një gazetar jo i panjohur i BBC-së, pastaj Beogradi zyrtar, që vazhdon të fsheh fatin e 1700 të zhdukurve shqiptarë, të kidnapuar gjatë kohës së luftës, akuzoi strukturat e ish UÇK-së se kanë vrarë serbë dhe paraprakisht ua kanë marrë organet. Qeveria e Beogradit nuk ka dhënë shpjegime se çfarë ka bërë me trupat e këtyre 1700 shqiptarëve, të cilëve u ka humbur gjurmët. Kësaj fushate me qëllim për të zbuluar dhe për të goditur “kriminelë” nga mesi i çlirimtarëve shqiptarë iu bashkuan edhe individë e mediume në Kosovë si gazeta “Ekspres” e Prishtinës, portali “Dardan net” “Bota sot” e të tjera për të kulmuar me një retorikë të tillë boshe dhe krejt non sens edhe në mesin e disa strukturave të caktuara të opozitës.

Goditjet e tilla që po merr UÇK-ja, pjesa e saj idealiste, nuk janë të parat dhe nuk do të jenë as të fundit. Sepse kjo forcë kombëtare, që ndërroi kahen e historisë së Ballkanit, u ka prishur planet jo vetëm Beogradit dhe qarqeve antishqiptare, qofshin ato në Evropë, Rusi apo në vende të tjera të botës, por çuditërisht u ka prishur planet dhe gjumin pacifist, kumbarinë, vëllamërinë dhe dashurinë e dikurshme të bashkim vëllazërimit shumë e shumë shqipfolësve, prej atyre që kanë lindur dhe janë pjellë e trashëguar e orgjive të tilla e deri të bijtë e bijat e tyre, që bashkëpunuan dhe bashkëpunojnë hapur me shërbimet e fshehta të Serbisë në dëm të popullit e Atdheut. Të tillët dalin hapur dhe “pohojnë” se edhe ne i paskemi kriminelët tanë, por pa marrë guxim qytetar, të mos themi guxim shqiptar për të drejtuar drejt gishtin, apo për të deponuar haptas të dhënat e argumentuara, të cilat do të dëshmonin për krime të tilla.

Opinioni që përcjellë me vëmendje zhvillimet politike në vendin tonë e din mjaft mirë se Misioni i BE-së për vendosjen e ligjit ka pasur dhe ka një synim parësor, “vendosjen e ligjit” duke nxjerrë para gjyqit të gjithë ata luftëtarë të UÇK-së, për të cilët Serbia ka hartuar dosje, dhe të cilët Beogradi i etiketon si kriminelë dhe terroristë. Bashkëpunimin në këtë drejtim të EULEX-it me Beogradin e ka pranuar botërisht edhe kryesuesi i këtij misioni, z. Kermabon. Këtë orientim parësor të EULEX-it më së miri e di kreu politik i vendit, pozita dhe opozita, deputetët, ministrat e të tjerë. Këtu nuk kemi asgjë të fshehtë. I fshehtë dhe tinëzar del fakti se me një anë mbrohet gojarisht e deklarativisht pastërtia e UÇK-së, ndërsa në anën tjetër bëhet i shurdhër veshi, kur dënohen luftëtarët e lirisë, të akuzuar sepse paskan rrahur ndonjë kolaboracionist shqipfolës gjatë luftës, apo paskan vrarë ndonjë paramilitar serb, nga mesi i atyre që kanë vrarë, masakruar e likuiduar qindra shqiptarë.
Edhe më hipokrit dhe më i damkosur është konstatimi se në një zonë të UÇK-së qenka zhvilluar luftë e pastër dhe në zonën tjetër paskan ndodhur edhe krime.
Megjithatë, faktet janë kryeneçe.
EULEX-i nuk po i merr në trajtim hetimor e gjyqësor krimet e grupeve kriminale, të cilat i kanë kryer bosët e profiterisë politike dhe ekonomike, trafikantët e të gjitha segmenteve, bosët e prostitucionit drogës dhe shumë krimeve mizore që janë kryer sidomos pas luftës në Kosovë, por po dënon luftëtarë të lirisë, të cilët paskan kryer “krime lufte” duke vrarë policë, ushtarë apo bashkëpunëtorë serbë.

Në këtë fushatë kundër luftëtarëve të lirisë, po marrin pjesë në radhë të parë shërbimet e fshehta dhe të hapura të Beogradit, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, gjyqtarët dhe prokurorët nga Kosova, shërbëtorë të ish regjimeve serbe, antishqiptare, kolaboracionistë të njohur qysh nga koha e luftës, ndonjë prej tyre i kamufluar dhe i rekrutuar edhe në radhët e ish-UÇK-së, dëshmitarë të fshehtë e të mbrojtur nga policia e EULEX-it si dhe gazetarë e zyrtarë partiakë, të cilët qysh moti e kanë publikuar qëndrimin e tyre kundër UÇK-së, duke sajuar dosje të paqena në bashkëpunim me shërbimet e fshehta të UNMIK-ut dhe duke mos nënshkruar dokumentet e tilla sekrete partiake.
Fushata, ka filluar të intensifikohet sidomos kohëve të fundit, kur forcat e errësirës mendojnë ta destabilizojnë gjendjen në Kosovë, me qëllim që të përfitojnë nga kaosi për të marrë frenat e qeverisjes dhe për të vjelë përfitimet e favoret që sjellë “vetëqeverisja” në këto rrethana.
Deklaratat publike të qarqeve të caktuara për “kriminalizimin” e shoqërisë “kosovare”, jo vetëm që janë të papërgjegjshme, por kombëtarisht janë shumë të dënueshme.
Që mund të ketë ndonjë individë të “kriminalizuar”, (më shumë në kuptim të korrupsionit) në Qeveri apo nëpër institucione, kjo edhe nuk mund të përjashtohet;
që mund të jetë postuar në krye të një institucioni tejet të rëndësishëm të Kosovës një kuadër me prejardhje nga ish LSPP, apo Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, kjo nuk ka si mohohet, ( por ky nga të tillët nuk quhet kriminel, edhe pse i kishte shërbyer me besnikëri regjimit kriminal të Beogradit);
se mund të jenë të postuar disa ish-spiunë të Serbisë në një apo disa ministri, as kjo nuk ka si përjashtohet, meqë ka edhe ministri, që i drejtojnë vetë serbët;
se mund të jetë në krye të Prokurorisë, ish- prokurori që ka dënuar dhe sakatosur shqiptarë madje deri në kohën e regjimit të kriminelit Milosheviq, as kjo nuk ka si mohohet.
Por gishti i njerëzve, për të cilët po shkruajmë, nuk është i orientuar kundër kësaj klase, sepse ata i përkasin edhe vetë asaj klase të zezë dhe tërë damka të kombit tonë, por kundër kuadrove të lartë të UÇK-së, të cilët drejtojnë dikastere të Qeverisë qendrore apo vendore dhe të cilët kanë dosje në ministrinë e Drejtësisë së Serbisë, qysh nga koha e regjimit të Milosheviqit, dosje të cilat po i përpunon prokuroria e EULEX-it.
Këtu është i orientuar gishti i këtyre qarqeve ogurzeza, meqë këta zemër katranë mendojnë se “kriminalizimi” i UÇK-së nga EULEX-i bën që në zgjedhjet e ardhshme të mos fitojë krahu i luftës, por ish forcat politike me prejardhje nga regjimi titist-rankoviqist, tanimë të rreshtuar në disa parti politike dhe të përkrahur fuqishëm nga EULEX-i e pse jo edhe nga Beogradi
Fushata kundër luftëtarëve të lirisë, të cilën e ka ndërmarrë EULEX-i pritet të intensifikohet, dhe, në këtë situatë të nderë e kaotike kërkojnë të nxjerrin fitime të caktuara, kush tjetër pos armiqtë e UÇK-së të të gjitha ngjyrave. Mjerisht, me këtë fushatë të “gjuajtjes të shtrigave”, gjueti kjo të cilën evropianët e moderuar e kanë trashëguar nga stërgjyshërit dhe e kanë perfeksionuar gjatë shekujve, synohet që përfundimisht të dëmtohet, jo vetëm imazhi i UÇK-së në popull, por edhe tërë trashëgimia e saj, meqë, Evropa nuk e ka pranuar as e pranon luftën tonë, si luftë çlirimtare. Qëllimi i saj është që me shpalljen fajtor të luftëtarëve të lirisë të stopohet më tej trashëgimia e saj dhe të realizohet synimi i Serbisë për demonizimin e UÇK-së.
Të gjithë ata pjesëtarë të kombit tonë që i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë në forma të ndryshme kësaj fushate, do të radhitën në mesin e klasës së “bashkëpunëtorëve jetikë” që ngrehin origjinë qysh nga koha e baba Sulltanit, pastaj nga koha e Pashiqit, e Kral Aleksandri, e Titos, Rankoviqit e deri të ajo e Milosheviqit. Të paktën, për t’i radhitur në këtë “plehurinë të jashtëqitjeve të historisë” nuk mund të na pengojë askush, ashtu sikur askush nuk mund t’i ndalojë aspiratat e shumicës së popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim. Qarqet kolaboracioniste gjithnjë kanë përfunduar dhe do të përfundojnë në plehra, por jo gjithherë e kanë marrë dënimin e merituar nga populli.
Fakti se Kosova e ka shpallur pavarësinë, nuk do të thotë se këtu edhe ka përfunduar historia.
Lufta e idealistëve shqiptarë për një Shqipëri unike, për një shtet të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, është një e drejtë natyrore ende e pakonsumuar, e drejtë kjo të cilën e kanë realizuar serbët, grekët, bullgarët, madje edhe kombi gjysmë-milionësh malazez me ndihmën e aleatëve të Kremlinit dhe të disa qarqeve evropiane proruse. E ardhmja fare lehtë mund t i favorizojë shqiptarët në drejtim të realizimit të aspiratave të tyre jetike, të natyrshme dhe të patjetërsueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti

Albin Kurti: Është koha që kryetarët e katër komunave në veri të vazhdojnë detyrat në objektet komunale

Kryeministri Albin Kurti,  ka reaguar në lidhje me procesin e votimit në katër komunat në …