Mërgim Lushtaku: Kosovës i duhet energji e re!

Mërgim Lushtaku: Kosovës i duhet energji e re!

 Na ka rënë shpesh të dëgjojmë se, rinia është pasuria dhe vlera më e madhe e vendit. Ky është një cilësim më se i vërtetë. Por, kjo pasuri, rinia e Kosovës, është e nevojshme të përfshihet dhe të përfaqësohet edhe më shumë në jetën institucionale të vendit, si në atë ekzekutive por edhe legjislative, se sa është momentalisht. Vendi ynë i dashur ka nevojë tani, më shumë se asnjëherë tjetër, që rinia, e cila ka integritet dhe që bart vlera të mirëfillta, të marrë përgjegjësi më të mëdha mbi supet e veta dhe të shërbejë në të mirë të qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi. Vendi ynë i dashur, Kosova, ka nevojë për energji të re, për njerëz të ri të besueshëm dhe të cilët duan të shërbejnë me sinqeritet.

Nisur ka kjo premisë, në konsultim me familjarë, miq dhe përkrahës të shumtë nga të gjitha trevat e Kosovës, tashmë është e ditur, kam vendosur të garoj për deputet në Kuvendin e Kosovës, me Partinë Demokratike të Kosovës.

Para sa ta marrë vendimin përfundimisht, pas takimeve të shumta me qytetarë nga qytete dhe fshatra të ndryshme anekënd Kosovës, kam mësuar për nevojat e shumta që kanë qytetarët e vendit. Kjo ka qenë një periudhë bindjeje dhe një shtysë për mua ta marr këtë vendim, që t’i hy garës për deputet të Kuvendit të Kosovës, duke u matur në popull, duke kërkuar votën e qytetarëve të vendit, që t’i shërbej vendit tim me përgjegjësi dhe nder.

I rritur në një familje e cila i çmon vlerat kombëtare e fetare, që e nderon mikun, e respekton diversitetin, e dëshmuar në luftë kundër armikut, me përgjegjësi dhe sinqeritet kërkoj nga ju qytetarë të Kosovës, ju që më njihni dhe ata që s’më njihni, që fillimisht të më mirëkuptoni dhe pastaj të më përkrahni në angazhimin tim aktiv në politikë, me qëllimin që të kontribuojë dhe të jem një zë i së mirës dhe i dobisë për qytetarët dhe për vendin tonë, i cili edhe meriton më mirë.

Duke u ndjerë dhe duke shprehur falënderimin për familjen dhe shokët që më kanë përcjellë në këto vite, më është dhënë mundësia të edukohem dhe arsimohem në mënyrë solide, por edhe të arrijë një përvojë të madhe menaxheriale dhe organizative, duke u përballë edhe me situata të atilla kur më është dashur të marrë vendime, nganjëherë edhe të vështira e të dhimbshme, por gjithmonë të drejta e në dobi dhe interesa të të tjerëve. Ata që më njohin e dinë këtë fakt.

Në këto pak vite përvoje e shërbimi ndaj atyre që kam pasur afër dhe atyre që ka qenë e nevojshme t’u shërbejë, jam munduar vazhdimisht të kontribuojë në të mirën e përgjithshme duke e konsideruar në instancë të fundit edhe shërbim ndaj vendit, Kosovës tonë të dashur. Qoftë gjatë kohës sa kam qenë përfaqësues i studentëve, si Kryetar i Parlamentit të Studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, qoftë si shërbyes civil në Ministrinë e Administratës Publike, si Drejtor i Departamentit të Integrimit Evropian dhe Koordinimit të Politikave, por edhe si anëtar i Këshillit Drejtues në Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, jam angazhuar dhe kam kontribuuar që të jem në shërbim të qytetarëve dhe në përmirësimin e vendit në përgjithësi.

Duke u këshilluar dhe koordinuar për t’i hyrë garës për deputet në Kuvendin e Kosovës, kam marrë përkrahjen e profesionistëve dhe ekspertëve nga lëmi të ndryshme, dhe kjo ma ka fuqizuar edhe më bindjen për të provuar që të shërbejë edhe në një mënyrë tjetër për qytetarët e Kosovës, si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen edhe të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, për mundësinë dhe besimin që të punojmë bashkë në shërbim dhe të mirë të vendit tonë, qytetarëve të Kosovës, pa harruar të falënderoj të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës gjithandej vendit.

Të nderuar qytetar të Kosovës, duke shprehur sinqeritetin dhe besimin tim, pres përkrahjen tuaj në zgjedhjet e 11 qershorit. Ju votën tuaj mua, unë shërbim dhe përkushtim për ju. Shpresojmë që gjeneratave të reja të na jepet hapësirë, që edhe ne, të rinjtë e Kosovës, të jemi pjesë e vendimmarrjes dhe jetës institucionale të vendit.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj.

Mërgim Lushtaku: Kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës

Të dashur e të nderuar miq, qytetarë,

Siç edhe e dini, këto katër vitet e fundit për mua dhe familjen time kanë qenë vite mjaft të rënda. Për arsye të panjohura krejtësisht, kemi qenë në shënjestër të persekutimeve të pakuptimta, mirëpo ne vazhdojmë të jemi të pastër, sa i përket drejtësisë.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk jemi lënduar, e që nuk kemi vuajtur. Kjo bëhet edhe më e dhimbshme, kur këto padrejtësi po bëhen në Kosovën e pavarur. Në këtë kaos të madh, padyshim se spekulimet janë të pashmangshme.

Çdo kush e merr të drejtën të flasë në emrin tonë. Shumëkush nuk heziton të tregojë nëse ne, familja e Sami Lushtakut, është hidhëruar me atë, ose me këtë politikan, me atë ose me këtë parti.

Është tashmë e njohur edhe për opinion që ne jemi të hidhëruar me sistemin juridik në Kosovë dhe me pafuqinë e klasës politike për t’i parandaluar këto padrejtësi.

Ndërsa, dëshiroj ta shpreh qartë, ne vazhdojmë të jemi aty ku kemi qenë, me Partinë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqjen e saj të re, me kryetarin Kadri Veseli.

Nëse kemi pakënaqësi, atëherë kjo është sepse duam ta shohim këtë parti edhe me më shumë vlera dhe më të fortë, shumë më të fortë. Për të ndodhur kjo, kam vendosur që në këto zgjedhje të kandidoj për deputet të Kuvendit të Kosovës, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë dhe mbetet edhe babai im, Sami Lushtaku.

Ky angazhim i imi, le të shërbejë edhe si mbyllje e spekulimeve. Le të shërbejë si përgjigje që PDK-ja është unike, se Drenica është unike dhe se do të rreshtohet pa asnjë rezervë përkrah PDK-së dhe kryetarit Veseli.

Asnjëherë në jetën time nuk kam marrë përgjegjësi më të madhe se sa kjo. Jo pse i frikësohem punës dhe angazhimit, mirëpo përfaqësimin e zërit të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës nuk e konsideroj privilegj. Jo pse unë nuk dua, po sepse përgjegjësia është shumë e madhe.

Nuk do të rresht së punuari që ta nderoj sa më shumë që mundem familjen, Drenicën dhe Kosovën. Do të provoj që në institucionet publike, në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, të angazhohem për dobinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti për dobinë e qytetarëve të rajonit të Drenicës, interes dhe ideal për të cilin është angazhuar edhe babai im, në luftë dhe pas saj.

Drenica meriton edhe më shumë përkujdesje. Diskriminimi shekullor prej shtetit jugosllav dhe atij serb, edhe më tutje nuk është shëruar. Rajoni ynë, përkundër përkujdesjes së institucioneve, vazhdon te mbetet më i pazhvilluari në Republikën e Kosovës. Ne nuk guxojmë të kompleksohemi prej zërave keqdashës. Duhet të vazhdojmë të japim çdo gjë brenda forcave tona, t’i fokusojmë të gjitha energjitë tona, që Drenica ta kap zhvillimin e rajoneve tjera të Kosovës. Për këtë, kam marrë mbështetje edhe nga kryetari Kadri Veseli, për të realizuar investime që do të ndikonin në mënyrë direkte në zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së jetesës në Drenicë.

Të nderuar miq,

Më lejoni të ju garantoj që do të punoj kokëulur e me zell të madh për qytetarët që më votojnë, por edhe për ata që nuk më votojnë. Me të drejtë, opinioni do të me gjykojë dyfish: edhe si deputet i ardhshëm, nëse zgjidhem, e edhe si pjesëtar i një familje me të kaluar të ndritshme.

Unë, edhe pjesa tjetër e familjes, presim që shumë shpejt edhe baba do të fitojë lirinë e merituar. Asnjë akuzë ndaj tij nuk është provuar. Ai vazhdon të mbetet i pafajshëm, por në burg. Është dëshirë e tij, e edhe vullnet i imi, që PDK, e bashkë me PDK-në edhe Kosova, të fitojë edhe në këto zgjedhje.

Zoti na ndihmoftë!

Zoti e bekoftë Drenicën!

Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur!

Me respekt,

Mërgim Lushtaku

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …