Mimoza Cika: Myslimanët dhe paniku i rremë kundër tyre

Mimoza Cika: Myslimanët dhe paniku i rremë kundër tyre

Pas sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel, gati çdo ditë vijnë kërcënime të reja: Islamistët po tronditin Evropën me dhunë dhe frikë. Sipas një sondazhi të fundit, 62 % e njerëzve në Gjermani i lidhin sulmet terroriste në Bruksel me myslimanët. Gjermania respekton prejardhjen, vlerat kulturore dhe identitetin e njerëzve me prejardhje të huaj. Por ajo nuk pranon importimin e vlerave autoritare, antidemokratike dhe fanatizmin fetar.  Nga ana tjetër, myslimanët në Gjermani apo Evropë nuk besojnë se për ta dhe çështjet e tyre raportohet në mënyrë të balancuar. Ata mendojnë se zgjidhja do të ishte pjesëmarrja më masive e gazetarëve të fesë myslimane në media.

Në Gjermani vetëm 5 për qind e gazetarëve janë me prejardhje të huaj.  Myslimanët shpesh janë viktimë e pamjeve të kufizuara nga jeta e tyre. Mediet më shumë pasqyrojnë probleme e konflikte se histori suksesi për njerëzit që i takojnë këtij besimi. Qysh pas sulmeve të 11 Shtatorit bota pati një konfigurim të ri, ku një rol të rëndësishëm luajti edhe media. “Të mirët dhe të këqijtë” ishte termi i ri dhe që u përdor për ta theksuar ndryshimin midis botës së krishterë perëndimore dhe botës orientale.  Pas sulmeve të fundit në Bruksel apo Paris ka një panik të madh mbi numrin e refugjatëve myslimanë që po strehohen në Evropë. Por realiteti hedh poshtë edhe “Mitin” e ngritur për një “shumicë myslimane” që do të dominojë në Gjermani apo kontinentin e vjetër evropian në të ardhmen. Shumë studiues me të drejtë e quajnë “Propagandë të rreme”.

Sepse faktet flasin ndryshe:

Aktualisht në Gjermani (sipas statistikave zyrtare) jetojnë më shumë se 4.5 milionë myslimanë (në 1972-n kishte rreth 500 mijë). Ky numër përbën gati 5.5 % të popullsisë gjermane prej 81.5 milionë banorësh. Dy milionë nga këta myslimanë janë qytetarë gjermanë (me pasaportë gjermane). Ndërkohë që popullsia gjermane përbëhet nga 30 % katolike dhe 61 % protestante. Në gjithë Gjermaninë ka rreth 2 400 xhami, por edhe më shumë se 45 000 kisha. Sipas studiuesve, deri në 2030-n numri i myslimanëve në Gjermani do të arrijë mbi 7.5 % të popullsisë. Në Britaninë e Madhe në 2030-n pritet që numri i myslimanëve të arrijë në 5.6 milionë ose në 8.2 %. Në Francë numri i myslimanëve pritet të arrijë në 6.9 milionë ose në 10.3 % të popullsisë. Ndërkohë BE-ja bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën që numëronte në 2010-n rreth 405 milionë banorë, ndër to 18.2 milionë myslimanë ose 4.5 % të gjithë kësaj popullsisë deri në 2030-n, pritet që numri i myslimanëve të rritet në 32.8 milionë ose në 8.1 % të të gjithë popullsisë. Pra: a ka vend për panik? Sipas ekspertëve, studiuesve të fesë, ekziston vetëm një fe islame. Pra, në botë ka vetëm 1.6 miliard myslimanë, ka shiitë dhe sunitë, sufitë dhe alevitë. Ka realitete myslimane me të gjitha problemet brenda tyre – dhe një deficit të madh informimi për kaq shumë njerëz të cilët i përkasin fesë islame. T’i luftosh terroristët, islamistët radikalë kudo ku ndodhen, nuk do të thotë të jesh kundër njerëzve të besimit mysliman.  Terrorizmi nuk ka lidhje me fenë myslimane. Terroristët përmes sulmeve të tyre duan po ashtu të krijojnë një klimë armiqësore për vetë myslimanët. I ashtuquajturi shtet islamik IS apo xhihadizmi spekulojnë nëpërmjet “filozofisë së tyre strategjike” për ta justifikuar pushtetin e tyre kundër kulturës dhe demokracisë perëndimore. Sepse në dallim nga mendimet akademike në politikë dhe media, shumica e njerëzve nuk kanë një ide të diferencuar mbi rrymat që ekzistojnë brenda fesë islame. Meqenëse feja islame ka qenë gjithmonë një fëmijë i epokës së vet dhe teologjia islamike është një produkt i pushtetit politik, shteti dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka që evropianizimi i islamit të shpejtohet. Fundja, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë apo Evropës, sepse ata jetojnë aty, kanë lindur aty, sikurse katolikët, protestantët, ateistët që i përkasin Gjermanisë apo Evropës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …