Ministria e Bujqësisë mbështet fermerët e Deçanit

Fermerët e Deçanit nëpër vite janë mbështetur me grante dhe subvencione nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe kjo mbështetje do të vazhdojë, gjithnjë me synimin që të rritet. Kështu tha Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në një takim me kryetarin e Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

Me këtë rast, ai e njoftoi kryetarin më hollësisht lidhur me përkrahjen e MBPZHR-së në kuadër të masave mbështetëse të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti, si dhe me ecurinë e implementimit të këtij programi deri më tani, ku në kuadër të të cilit ai tha se kanë gjetur mbështetje edhe fermerët e kësaj komune, të cilët kanë traditë në disa kultura dhe aktivitete  bujqësore.

Në këtë drejtim, ministri e njoftoi kryetarin edhe me disa nga prioritetet e ministrisë për vitin e ardhshëm, me ç’rast ai tregoi se mbështetja do të rritet në vazhdimësi për fermerët anë e mbanë vendit. Ai inkurajoi kryetarin Selmanaj që komuna të shtojë investimet në bujqësi, duke shtuar kështu prodhimin vendor dhe hapur vende të reja pune.

Nga ana e tij, kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj e falënderoi ministrin për gatishmërinë për avancim të projekteve në këtë sektor, si dhe e njoftoi për sfidat dhe të arriturat e komunës në fushën e bujqësisë. Ai shprehu shqetësimin për mungesën e kapaciteteve të ujitjes në këtë komunë, për çka tha se do të punohet në të ardhmen bashkërisht.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …