MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS E GATSHME T’I NDIHMOJË KRYEQYTETIT

Ministria e Infrastrukturës dhe stafi udhëheqës i saj, në krye me Ministrin Pal Lekaj, vizituan sot Komunën e Prishtinës, duke mbajtur kështu takim me kryetarin e kësaj komune, Shpend Ahmeti. Paraprakisht Ministri Lekaj u njoftua nga kryesuesi i kryeqytetit, për problemet dhe vështirësitë që has Komuna e Prishtinës gjatë përditshmërisë së saj, dhe ndikimin që mund të ketë Ministria e Infrastrukturës, në evitimin e problemeve infrastrukturore. E gatshme për t’i ndihmuar kryeqytetit në planin zhvillimor urban, Ministria e Infrastrukturës do të financojë projekte të cilat kanë rëndësi të veçantë, fillimisht për Prishtinën, e pastaj edhe për gjithë qytetarët të cilët do të kenë kyçje në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit. Me një bashkëpunim nikoqirësh dhe përkushtim ndaj punës, për të cilën edhe janë të ngarkuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës do të realizojnë edhe projekte në bashkëfinancim dhe të cilat konsiderohen me dobi reciproke. Megjithëse ky ishte vetëm një takim paralajmërues dhe një lloj mundësie për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi mes ministrisë dhe komunës në fjalë, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, qartazi pohoi se Ministria e Infrastrukturës do t’i jap rëndësi të veçantë kryeqytetit, pasi edhe nevojat janë dukshëm më të mëdha. Në konferencën e mbajtur për media, Lekaj përmendi disa prej projekteve të cilat do t’i bashkëfinancojë dhe do të ofroj çfarëdolloj përkrahje, por pa konkretizuar ndonjë gjë, vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Këto projekte janë: Ura e Veternikut, qarkorja e jashtme tek AL-PETROL, rikategorizimi i infrastrukturës, si dhe vija e tramvajit. Drejtuar mediave, Lekaj u shpreh: “Ne jemi në gjendje që ta mbështesim Komunën e Prishtinës në çdo rrugë, duke e ditur që është kryeqyteti i Republikës së Kosovës. Barra kryesore bie mbi kryetarin, por ne jemi këtu që të bashkëpunojmë dhe, ne si Ministri e Infrastrukturës, nuk do të hezitojmë që të japim mbështetje në projektet madhore, e të cilat do t’ia lehtësojnë punën komunës”. Pavarësisht mangësive në buxhet si dhe vështirësive në teren, Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Prishtinës, në përputhje me nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, do të bëjnë më të mirën e mundshme, që të gjitha projektet infrastrukturore të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, t’i finalizojnë me sukses.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …